Gabrielle, “shefja” që po çmend Gwyneth

Nov 19, 2012 | 13:16
SHPËRNDAJE

Shefja e kuzhinës në restorantin “Pune” në New York tregon në librin e saj “Gjak, kocka dhe gjalpë” dashuritë dhe të shkuarën e errët. Libri do të bëhet së shpejti film, me protagoniste Gwyneth Paltrow. Martesa? “Si një pjatë ravioli”.

Një martesë e gabuar? Mund të jetë e pangrënshme njësoj si një ushqim tepër i kripur. Të përdorësh ushqimin si metaforë është diçka që i vjen fare natyrshëm Gabrielle Hamilton. Tek e fundit, është një shefe kuzhine dhe drejtuese e një restoranti në New York, aq të vogël sa dhe legjendar. Tashmë është edhe autore e një libri, pasion të cilin e ka pasur përpara se të bëhej kuzhiniere. Edhe pse në të shkuarën ka refuzuar të bëjë libra. “Jam rritur në një kohë në të cilën shkruanin libra vetëm shkrimtarët e vërtetë. Sot, mund ta bëjë kushdo. Nga njëra anë, kjo më dha kurajën të shkruaj, nga ana tjetër, nëse të gjithë i hedhin mbeturinat përtokë, nuk është e thënë që duhet ta bësh edhe ti”, – shkruan Gabrielle. Në fakt, libri “Gjak, kocka dhe gjalpë” është kthyer në një bestseller në Amerikë, ndërsa tani po shitet po kaq edhe në Europë. Është një autobiografi, ku ushqimi pasqyron jetën dhe anasjelltas.

Kriza e martesës suaj është një temë e rëndësishme e librit. Ndërkohë, a jeni divorcuar?
Procesi është pezulluar. Ai nuk përgjigjet. I shkruaj ndonjëherë e-mail me subjekt : divorci. Heshtje…
Ç’raport keni mes jetës dhe të gatuarit?
Artistët dinë t’i universalizojnë përvojat e tyre: flasin për veten, flasin për të gjithë. Disa shefa kuzhine, dinë të bëjnë të njëjtën gjë.
Po raporti mes dashurisë dhe kuzhinës?
Me fjalët dashuri dhe ushqim është abuzuar shumë. Të bësh shefin është një punë, dhe të kesh një restorant është biznes. Ama, di të bëj dallimin mes një pjate që është bërë pa dëshirë dhe një tjetre, që i është kushtuar vëmendje. Të gatuash, do të thotë të kujdesesh.
Drogë, krime të lehta, homoseksualitet… jeni ekspozuar shumë…
“Ndoshta im atë nuk e dinte për kokainën apo për problemet e mia me drejtësinë, por ata që më njihnin, nuk u çuditën nga asgjë. Kam qenë gjithnjë njeri shumë i hapur. Dhe nuk e kuptoj pse duhet kaq mund për të thënë të gjithë të vërtetën. Mendojmë se po u bëjmë nder të tjerëve, duke thënë se gjithçka shkon shumë mirë? Mendoj se është e pahijshme të thuash “Po, jam shumë mirë, martesa ime shkon për bukuri”, kur kjo nuk korrespondon me realitetin. Kështu nuk u japim as të tjerëve mundësinë për t’u hapur, të tregojnë problemet e tyre.
Libri juaj do të kthehet në film, me protagoniste Gwyneth Paltrow… Urime!
Mendoj që është njeriu i duhur: është nënë, di të hajë mirë dhe të gatuajë.
Ama është vegjetariane, ju jo…
Është aktore e mirë, jam e sigurt që do të dijë të bëjë sikur i pëlqen shumë mishi…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura