Fyle, letër ministrave të BE: Statusi për Shqipërinë, po heton korrupsionin e Gjikës

Nov 30, 2013 | 10:20
SHPËRNDAJE

Pak ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, u bën thirrje vendeve anëtare t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Në një letër dërguar 27 ministrave të Jashtëm ai bën një panoramë të detajuar mbi zhvillimet pozitive të dy muajve të fundit në vend.

“Qartësisht në dy muajt e fundit Shqipëria ka forcuar pozitat e saj në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit, Këshilli do të dërgojë një sinjal të fortë te populli shqiptar, njëkohësisht duke shërbyer si një konsolidim në përfshirjen europiane të vendit. Kjo do të ndihmojë qeverinë dhe opozitën në shtimin e promovimit të kulturës demokratike, mbi të gjitha gjithëpërfshirjes, duke prodhuar më shumë reforma. Shpresoj se elementet e mësipërme do të ndihmojnë për një dialog të frytshëm ditët në vijim”, shkruan komisioneri Fyle.

LETRA E PLOTË FYLES PËR MINISTRAT E JASHTËM TË 27 VENDEVE ANËTARE TË BE
Raporti i Progresit i vitit 2013 i Komisionit Europian për Shqipërinë përshkruan progresin e arritur nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve të specifikuara në vitin 2012 në konkluzionet e Këshillit për dhënien e statusit të vendit kandidat. Siç është paraqitur në raportin tonë, Shqipëria ka miratuar çështjet kyçe të administratës gjyqësore, publike dhe të reformës parlamentare me një konsensus bipartizan. Përveç kësaj, Shqipëria ka organizuar zgjedhje parlamentare të suksesshme në qershor 2013 dhe ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbi këtë bazë, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit në kuptimin se vendi do të vazhdojë të ndërmarrë veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kuadër, unë do të doja t’ju përditësoja ju për zhvillimet kryesore të fundit në Shqipëri, në veçanti në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë do të doja të ndaj me ju vlerësimin tim të këtyre zhvillimeve përpara vendimit të Këshillit, mbi rekomandimet e Komisionit, në dhjetor. Më 12 nëntor, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe unë, nisëm takimin dialogun e nivelit të lartë mbi prioritetet kryesore në Tiranë. Qëllimi i dialogut është të ndihmojë Shqipërinë në ruajtjen fokusit dhe konsensusit për integrimin në BE. Takimi ishte një rast në kohën e duhur për të vlerësuar rezultatet e para të arritura nga qeveria e re dhe të planeve të autoriteteve lidhur me reformat e mëtejshme lidhur me BE. Qëkur qeveria e re nën Kryeministrin Rama ka marrë detyrën në shtator, ka pasur një angazhim të qartë dhe veprimtari në rritje në qeverisje dhe sundimin e reformave të shtetit të së drejtës. Gjatë dialogut të nivelit të lartë, qeveria paraqiti një plan veprimi për adresimin e masave afatshkurtra, që synojnë heqjen e pengesave për hetime eficiente, bashkërendimin e procedurave gjyqësore, përgatitjen e themeleve për një luftë gjithëpërfshirëse ndaj korrupsionit. Qeveria gjithashtu ceku qasjen e saj ndaj administratës publike dhe reformën në Gjyqësor. Në këtë të fundit, qeveria ka sinjalizuar synimin e saj për t’u angazhuar në mënyrë aktive me Komisionin e Venecias për të identifikuar dhe adresuar mangësitë e sistemit gjyqësor, sidomos në lidhje me pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e saj. Mes masave të para të ndërmarra në luftën ndaj korrupsionit është emërimi i një koordinatori në rang kombëtar për antikorrupsionin, i cili do të përmirësojë ndërveprimin institucional për këtë çështje. Një tjetër hap lidhet me mandatin e komisionerit që pritet të konformohet nga qeveria ditët në vijim. Sakaq, komisioneri është përfshirë në hartimin e projektligjit për strategjinë e antikorrupsionit, që pritet të përfundojë në dhjetor. Për më tepër, një rrjet i pikave të kontaktit kundër korrupsionit është duke u ngritur në ministri dhe organe të tjera. Një konferencë kombëtare antikorrupsion, e mbajtur më 13 nëntor, me pjesëmarrjen aktive të Kryeministrit Rama, shumica e qeverisë së tij dhe të aktorëve të tjerë kyçë, duke përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile, u demonstrua në mënyrë të qartë vendosmëria e qeverisë dhe angazhimi politik për të trajtuar çështjen tërësisht. Ministrat raportuan mbi masat e para të marra në fushat e tyre të kompetencës. Si rezultat i këtyre diskutimeve, konkluzionet operacionale tani janë duke u finalizuar. Sa i përket hetimit të Prokurorisë, në shtator dhe tetor janë hapur një mori hetimesh lidhur me korrupsionin, shpesh duke përfshirë teknikat speciale të hetimit dhe një hetim pro-aktiv në sektorë të ndjeshëm, duke filluar nga Policia, Arsimi, Shëndetësia, autoritetet lokale, taksave dhe shërbimet doganore. Janë raportuar 13 hetime pro-aktive për rastet e korrupsionit, 9 procedura për hetimin e pasurive janë referuar në Prokurori, dhe rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, përfshi padinë ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës, një anëtar i lartë i qeverisjes së Partisë Socialiste. Në anën e parandalimit, Shqipëria ka forcuar rolin e shoqërisë civile duke krijuar pika të reja të kontaktit për qytetarët që të japin informacion mbi rastet e korrupsionit, një portal të vetëm të qeverisjes, dhe “linjat e gjelbra”, duke lejuar qytetarët që të paraqesin ankesa për korrupsion dhe shkelje të nëpunësve publikë. Gjatë së njëjtës periudhë, agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit kanë intensifikuar përpjekjet e tyre kundër krimit të organizuar. Veprimet kanë ndodhur gjatë dy muajve të fundit, duke krijuar një pamje të përgjithshme pozitive. Operacione të mëdha kundër trafikimit të makinave të vjedhura u zhvillua në bashkëpunim me Europolin me rezultate pozitive. Një operacion në mbarë vendin kundër bixhozit çoi në mbylljen e rreth 300 “dyqaneve të kumarit” të paligjshme, zbulimin e mbi 500 veprave penale dhe sekuestrimin e mijëra pjesëve të pajisjeve të paligjshme të lojërave të fatit. Përpjekjet në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike janë rritur ndjeshëm gjatë periudhës tetor-nëntor 2013, me kapjen e konsiderueshme të drogës dhe 318 të dyshuar që u kallëzuan penalisht për vepra të lidhura me drogën. Një operacion i madh kundër trafikimit të veprave të artit rezultoi me zbulimin e një rrjeti të organizuar dhe rikuperimin e mbi një mijë objekteve me vlerë qindra mijëra euro. Bashkëpunimi ndërkombëtar është rritur me një numër të konsiderueshëm të personave të kërkuar ndërkombëtarisht, duke u arrestuar dhe ekstraduar. Qeveria ka rritur bashkëpunimin e saj dypalësh me vendet anëtare të BE-së në çështjet lidhur me migracionin e paligjshëm dhe keqpërdorimit e sistemit të azilit në BE. Nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi operacional me Europolin është e paraparë për më 9 dhjetor, në pritje të autorizimit nga Këshilli i Çështjeve të Brendshme dhe të Drejtësisë në mbledhjen e 5 dhe 6 dhjetorit. Një Memorandum mirëkuptimi mes zyrës së prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimeve të Inteligjencës është nënshkruar për të mbështetur bashkëpunimin ndërinstitucional. Kjo është parashikuar të shtrihet më gjerë edhe tek (për) institucionet e tjera, të cilat lehtësojnë aksesin ndaj informacionit dhe mbledhjes së provave. Zyra e Kryeministrit bashkorganizoi një konferencë mbi luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore më 19 tetor, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama. Një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit u zhvillua. Përsa i përket kuadrit ligjor, po rishikohet kodi i procedurës penale me qëllim lejimin e procedimit të çështjeve të korrupsionit në gjykatën e krimeve të rënda; zbatimin e reformës së fundit për imunitetin, dhe përforcimin e sanksioneve( masave ndëshkuese) ndaj avokatëve që pengojnë/ zvarrisin( zgjasin kohën) procedurat gjyqësore. Në lidhje me procesin e dialogut të nivelit të lartë, unë u inkurajova nga pjesëmarrja e opozitës, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Majlinda Bregu. Për më tepër, drejtuesit e institucioneve të pavarura, duke përfshirë edhe Avokatin e Popullit dhe prokurorin e Përgjithshëm, ishin të pranishëm. Kryeministri nënvizoi rëndësinë që qeveria e tij i jep Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian duke shprehur gatishmërinë e tij për të punuar me opozitën në këtë forum. Opozita pohoi rolin e saj në monitorimin e zbatimit të reformave lidhur me BE. Nga ana ime, përshëndeta angazhimin e tyre, si dhe vendimin e qeverisë për të vënë në vend një mekanizëm për përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e reformave. Në vijim të nivelit të lartë të dialogut, Kryeministri u angazhua për të çuar përpara reformat në fushat kyçe të identifikuara nga Komisioni në Raportin e Progresit tetor dhe për të vazhduar diskutimet në këtë kuadër në fillim të 2014-s. Duke pasur shansin të kem bisedime me qeverinë dhe opozitën, unë jam i bindur se Shqipëria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në forcimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike, gjithashtu duke u angazhuar në mënyrë të gjithanshme në kryerjen e reformave. Qartësisht në dy muajt e fundit Shqipëria ka forcuar pozitat e saj në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit, Këshilli do të dërgojë një sinjal të fortë te populli shqiptar, njëkohësisht duke shërbyer si një konsolidim në përfshirjen europiane të vendit. Kjo do të ndihmojë qeverinë dhe opozitën në shtimin e promovimit të kulturës demokratike, mbi të gjitha gjithëpërfshirjes, duke prodhuar më shumë reforma. Shpresoj se elementet e mësipërme do të ndihmojnë për një dialog të frytshëm ditët në vijim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura