Fyle: Jo zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë

Apr 30, 2012 | 17:30
SHPËRNDAJE

“Nuk ka vend për zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës”. Kështu ka deklaruar Komisioneri i zgjerimit Stefan Fyle në Bruksel, duke shtuar se këtë qëndrim, që ai e kishte shprehur edhe më parë, e mban edhe sot.

Por, Fyle ka thënë se për ata në Kosovë, të cilët kanë të drejtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, duhet të gjenden mundësitë që t’u jepet rasti  të votojnë në këto zgjedhje.

Fyle i ka bërë këto komente duke folur në një konferencë në Bruksel, kushtuar bashkëpunimit rajonal në territorin e Ballkanit dhe të ardhmen e këshillit të bashkëpunimit rajonal.

Duke qenë se tema ka qenë bashkëpunimi rajonal, shumica e folësve kanë përmendur edhe marrëveshjen e fundit të arritur në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, dhe kanë shprehur keqardhje se marrëveshja e arritur është interpretuar në mënyrë të ndryshme dhe nuk po zbatohet.

Fyle ka shprehur keqardhje që Serbia dhe Kosova kanë filluar ta interpretojnë në mënyrë të ndryshme këtë marrëveshje, dhe ajo ka rezultuar me moszbatimin e duhur të saj.

Ai ka thënë se pret si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova, që pas zgjedhjeve në Serbi të gjejnë mënyrë pragmatike për zbatuar këtë marrëveshje, në mënyrë që të mundësohet bashkëpunimi rajonal pa u penguar.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë dhe Hido Bishçeviq, që është sekretar i përgjithshëm i këshillit të bashkëpunimit rajonal, me seli në Sarajevë.

Sipas tij, në Sarajevë, delegacioni i Serbisë nuk kishe pranuar të marrë pjesë në një konferencë, pasi që emri i Kosovës ishte i shkruar vetëm me shenjë, pa përmendur edhe fusnotën.

Po ashtu, ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me të ardhmen e takimeve rajonale, sidomos atyre që duhet të zhvillohen në Serbi.

Bishçeviq ka kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian që të bëjë më shumë në sqarimin e paqartësive, që kanë lindur si rezultat gjatë interpretimeve të ndryshme të marrëveshjes nga ana e Serbisë dhe e Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura