Fushë patatesh, 4 ndeshje në 10 ditë në “Qemal Stafa”

Feb 14, 2016 | 14:47
SHPËRNDAJE

Takimi mes Tërbunit dhe Skënderbeut është luajtur në një terren shumë të rënduar në stadiumin “Qemal Stafa”. Fusha e impiantit kombëtar ka qenë në gjendje të keqe pas shirave të dendur që kanë rënë gjatë ditës së djeshme në kryeqytet, çka ka sjellë edhe vështirësi te lojtarët, të cilët humbisnin kontrollin herë pas here.qemalNdeshja e djeshme ishte parashikuar për t’u luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, por në momentet e fundit është zhvendosur në kryeqytet për shkak të reshjeve të borës që kishin rënë në qytetin verior. Nuk duhet të harrojmë se tri ditë më parë, të enjten, aty është luajtur finalja e Kupës së Shqipërisë mes Partizanit dhe Tiranës për 19- vjeçarët.

Që në ndeshjen e asaj dite u vu re se fusha ishte në gjendje jo të mirë dhe duhej pak kohë për rikuperimin e saj. Kalendari – Por, kalendari nuk është shumë shpresëdhënës dhe fusha e stadiumit më të madh në vend do të detyrohet që të presë edhe dy ndeshje të tjera gjatë javës së ardhshme.

Partizani do të luajë takimin e kthimit ndaj Laçit në kryeqytet në mesjavë dhe nëse reshjet e shiut vazhdojnë, atëherë do të jetë e pamundur që fusha të rikthehet në gjendje normale për të luajtur normalisht një takim, ku të kuqtë do të kërkojnë me çdo kusht kualifikimin, edhe pse në takimin e parë kanë humbur.

Ndeshja e katërt brenda 10 ditëve në “Qemal Stafa” do të luhet mes Partizanit dhe Kukësit, e vlefshme për Kategorinë Superiore. Gjendja e fushës ka shqetësuar drejtuesit e Partizanit, të cilët, në një situatë të tillë, nuk mund të bëjnë asgjë. Ndërkohë që FSHF ka lejuar luajtjen e takimeve pavarësisht faktit se terreni do të dëmtohej, pasi edhe kushtet e motit ishin mjaft të rënda. Tani do të mbetet për t’u parë se çfarë përmirësimesh do të bëjnë punëtorët e stadiumit, pasi kanë në disavantazh kohën dhe reshjet e shiut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura