“Furnizimi me ujë 24 orë”/ Nënshkruhet marrëveshja me kontraktorin gjerman! Tiranës i shtohet ujësjellës i ri, burimi i Gurit të Bardhë

Oct 19, 2021 | 15:03
SHPËRNDAJE

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për realizimin e dy projekteve për furnizimin me ujë dhe rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit me kontraktorin gjerman CES Consulting Engineers.

erionveliaj

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj takoi përfaqësuesin e kontraktorit gjerman, Karl Philip me të cilin nënshkroi marrëveshjen që synon rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të qytetarëve të Tiranës.

“Projekti i parë ka të bëjë me unazën e presionit. Ne kemi sjellë një linjë direkt nga Bovilla, pra është shtuar prurja në Tiranë. Kemi zgjeruar gjithashtu impiantin tonë të filtrimit, por na duhet një unazë e presionit që të mos kemi disa zona me ujë 24 orë, ndërsa në disa të tjera përdorim të pompave për katet më të larta. Unaza e presionit mundëson që i gjithë qyteti të ketë të njëjtin presion, për t’u siguruar që furnizimi të jetë i njëtrajtshëm”, sqaroi Veliaj.

Projekti i dytë ka të bëjë me një tjetër burim uji në Tiranë. Kryebashkiaku u shpreh se do të shtohet burimi i ri me ujë për kryeqytetin, ai i Gurit të Bardhë.

“Projekti tjetër shumë i rëndësishëm për të cilin kemi nevojë për këtë fizibilitet është ai i një burimi të ri uji për Tiranën, burimi i Gurit të Bardhë. Pra, përveç burimit të Selitës, Shën Mërisë dhe Bovillës do të duhet të mendojmë për Tiranën e viteve 2030, 2040 dhe 2050 dhe për këtë duhet të fillojmë punë tani”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i CES Consulting Engineers, Karl Philip Khugin tha se nga këto dy projekte përfitojnë banorët e kryeqytetit.

“Ndihemi të nderuar që jemi pjesë e këtij projekti sfidues dhe absolutisht shumë të nevojshëm për të shtuar volumin dhe cilësinë e furnizimit me ujë në vitet e ardhshme. Jemi shumë krenarë të marrim përsipër këtë sfidë dhe do të bëjmë më të mirën që mundemi”, tha Karl Philip Khugin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura