Fullani: Nuk ka konsum dhe investime

Jun 30, 2011 | 10:11
SHPËRNDAJE
Guvernatori Fullani

“Ecuria e konsumit dhe investimeve private vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë”. Për Bankën e Shqipërisë rritja ekonomike e muajve të parë të vitit ka ardhura nga kërkesa e huaj dhe nga shpenzimet e qeverisë. “Ekonomia vendase vlerësohet të jetë rritur në muajt e parë të vitit. Kërkesa e huaj ka dhënë një kontribut pozitiv në kërkesën agregate, por, sikurse pritej, kontributi i eksporteve shqiptare në rritjen ekonomike ka qenë më i vogël në krahasim me vitin 2010. Gjithashtu, kërkesa e sektorit publik ka mbështetur rritjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe”, theksoi dje guvernatori. Në analizën e tij, Fullani tregoi se kërkesa e brendshme jep sinjale për ecuri të dobët,  pavarësisht përmirësimit të kushteve të financimit. “Pasiguritë për të ardhmen, sikurse shprehen në nivelin e ulët të besimit konsumator, kanë diktuar një sjellje konservatore të individëve në konsum dhe rritje të preferencës së tyre për kursim.” Në kushtet kur sipërmarrësit dhe konsumatorët heshtin, atëherë rritjen ekonomike e ka siguruar shteti. “Shpenzimet e sektorit publik kanë qenë një nxitës i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik në muajt e parë të këtij viti. Gjatë periudhës janar – maj, këto shpenzime janë rritur me 10.3% në terma vjetorë, ndërkohë që të ardhurat fiskale janë rritur me ritme të ulëta, në reflektim të kërkesës së ngadaltë të sektorit privat të ekonomisë.” Por edhe kjo ka koston e saj. Këto zhvillime janë pasqyruar në një deficit buxhetor rreth 1.7 herë më të lartë në krahasim me një vit më parë. Një tjetër problem është deficiti i llogarisë korente. Pra, sa valutë del nga vendi dhe sa hyn. “Deficiti i llogarisë korente, i vlerësuar në 11.8% të PBB-së në tremujorin e parë të vitit, mbetet i lartë. Banka e Shqipërisë e ka theksuar në vazhdimësi nevojën për marrjen e masave për uljen e tij, si dhe sigurimin e burimeve të qëndrueshme të financimit nëpërmjet nxitjes së flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.”, theksoi dje Fullani.

1.7 here
është rritur deficiti buxhetor gjatë pjesës së parë të vitit në krahasim me një vit më parë. Sipas bankës, janë shpenzimet e qeverisë ato që po mbajnë peshën e rritjes ekonomike të vendit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura