Ftohen marrëdhëniet Tiranë- Athinë, Bushati: Greqia s’ka punë në Himarë

Jul 2, 2016 | 8:53
SHPËRNDAJE

Ministria e Jashtme ka reaguar sot lidhur me një deklaratë të Athinës për sherrin e djeshëm në Himarë mes banorëve të zonës dhe Këshillit bashkiak të këtij qyteti.

Ministrat e Jashtem, Bushati dhe Kotzias
Ministrat e Jashtem, Bushati dhe Kotzias

Ky sherr u interpretua nga Athina si një cënim i të drejtave të minoritetit.

Ndërkohë, sot ministria e Jashtme i bën thirrje Greqisë të mos ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë duke konfirmuar edhe njëherë se nuk ka asnjë fakt që të pretendohet se Himara është hapësirë minoritare.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqiperisë, shpreh keqardhjen që Greqia fqinje kërkon të instrumentalizojë aktet e padenja të kryera dje nga disa individë në Himarë, duke synuar të përfshijë në to çështje të respektimit të të drejtave të minoritet grek në Shqipëri. Rasti në fjale po trajtohet nga organet kompetente shqiptare. Në këtë kontekst, reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqise përbën ndërhyrje të përsëritur në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe bie ndesh me angazhimin e Greqisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

“Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrëfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare. Përpjekjet e vazhdueshme për të instrumentalizuar çdo pakënaqësi individuale ose kolektive, synojnë shtrëmbërimin e realitetit të bashkejetesës së shkëlqyer midis popullsisë shqiptare dhe minoritetit grek, i cili gëzon të drejta të plota, në baze të legjislacionit vendas, si dhe normave dhe konventave ndërkombetare”, vijon më tej njoftimi për shtyp.

Një ditë më parë diplomacia greke reagoi lidhur me ngjarjet në Himarë. Në një deklaratë ajo kërkon që qeveria shqiptare të mbajë qëndrim ndaj kësaj ngjarjeje dhe të mbrojë të drejtat e minoriteteve. “Dënojmë ngjarjet në këshillin bashkiak të Himarës. Qeveria shqiptare të mbajë qëndrim. Jini në lartësinë që kërkon Europa dhe ndërkombëtarët. Thirrje për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve”, thuhet në reagimin e MPJ greke.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura