Ftesa e Prokurorisë për Bashën si skandal politik

Oct 12, 2018 | 18:07
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ/ gjekmarkajÇdokush është në të drejtën dhe lirinë e tij, kritikët, kundërshtarët brenda partisë e sidomos ata jashtë, të gjuajnë mbi Lulzim Bashën nga lart, nga poshtë, anash, ballazi, nga pas, si t’i këshillojë zogu i qejfit, bindja, interesi, nevoja apo lufta politike. Por vjen një moment ku rrezikohet tejkalimi i së drejtës. Furia dhe egërsia e sulmit, përtej motiveve legjitime apo ilegjitime, mundësojnë shndërrimin e Bashës nga “viktimizues” në “viktimë”, sidomos prej atyre, të cilët rrotullohen ndaj së njëjtës sigëlPD!

Të tjerët, personazhet e analizës, e kryesisht “Rilindja” nuk e kanë këtë pengesë psikologjike e emocionale. Këta janë në zanat të vet. Në këtë moment kur pushteti po angazhon Prokurorinë për të ushtruar presion mbi kryetarin e opozitës lind nevoja për ta tejkaluar individin në kërkim të parimit! Përtej faktit sesi Basha ka bërë politikë gjithë këto vite, për të cilat nuk kanë munguar gjykimet, pash më pash, fakti që ai është shefi i opozitës e shndërron atë në institucion për disa garanci publike. Tendenca për të ushtruar presion ndaj tij nëpërmjet Prokurorisë duhet të zuçasë çdo njeri që ka një perceptim të vetin mbi demokracinë.

Edi Rama e di që Lulzim Bashës nuk i hyn ferrë në këmbë nga kërcënimet me Prokurori e burg. Por ai e tenton këtë rrugë si formë komunikimi, dekurajuese për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi e kryesisht për mbështetësit e opozitës. Kësisoj, ai tenton t’u thotë, ja, kur Prokuroria ime thërret Bashën, me të tjerët e kam lehtë! Mbetet kjo një mënyrë për të dekurajuar çdo dëshmi për lidhjet e politikës me krimin. Po ashtu mund të jetë një vello për të mbuluar akuzat ndaj Taulant Ballës, numrit dy të maxhorancës, tepër të rënda e katër në një muaj.

Pse duhej thirrur Lulzim Basha nga Prokuroria për të dhënë dëshmi për çështjen e Xhisela Malokut? Basha ka qenë në anën e denoncimit të një ngjarjeje tronditëse në shumë aspekte! E ka përdorur politikisht? Natyrisht që po dhe mirë ka bërë. Nëse nuk përdorej kjo gjë, do të ishte një dëm publik që do e bënte opozitën bashkëfajtore në vdekjen e shtetit.

Ngado që ta kapësh, ajo mbetet një ndodhi e rëndë për dorëzimin, përdorimin politik të shtetit, Policisë dhe Prokurorisë nga Qeveria! Derisa foli nënkomisar Nuhu, asaj vajze nuk iu pranua dëshmia në disa komisariate. Pastaj ende më i trishtë bëhet, vazhdimi i historisë me pohime e mohime e sidomos me përgënjeshtrime për të kulmuar me tritolin, për të cilin zonjusha “akuzoi” opozitën! Mendoni për një çast Edmond Spahon, Eno Bozdon, Salianjin, Jorida Tabakun, Oerd Bylykbashin, Gaz Bardhin, Romeo Gurakuqin e Valentina Dukën, me kamuflazh të veshur tebdil si fshatarë të zonës që shkojnë të hedhin dinamit te shtëpia e vajzës! Oj, çfarë përralle! Oj, çfarë tragjikomedie! Oj, çfarë halli! Oj, çfarë turpi! Subjekt jo në kohën e kolerës, por të “Rilindjes”!

Situatë e dhimbshme deri në grotesk. Prokuroria do të duhej të thërriste të parin Edi Ramën, pastaj Fatmir Xhafajn, drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun, shefat e komisariateve që nuk pranuan padinë dhe ata që e vonuan aktekspertizën për në Prokurori. Ata do duhej të pyeteshin për shumë gjëra që po ndodhin në këtë vend sa lajmi i keq çdo ditë mbulohet me një tjetër më të keq. Ftesa që Lulzim Basha të paraqitet sot në Prokurori ka vetëm një emër; skandal politik që nuk do duhej të linte indiferent askënd, të djathtë e të majtë apo të paangazhuar. Nëse Lulzim Basha është i shantazhueshëm, le ta shantazhojë kush të dojë.

Gjuha e burgut dhe e prangave ka kohë që buçet njëanshëm. Kur Edi Rama i thotë atij se “ajo që dimë vetëm ne të dy, nuk do të mbesë e mbuluar”, i takon atij të flasë e të bëjë dritë. Po kaq kur e vë përballë topave të propagandës me terminologji përqeshëse si xhan, artist, gjumëdashës, njësoj i takon vetë atij të mbrojë veten dhe të dalë nga objektivi, nëse gjykon se po dëmtohet. Ndërsa kur ai shantazhohet dhe i bëhet presion nëpërmjet Prokurorisë për të dhënë dëshmi për Xhiselën, që kurrë s’do duhej të pyetej në këtë moment, kemi të bëjmë me një emergjencë demokratike e shoqërore, për të cilën na takon të gjithëve të reagojmë. Aleanca lokale me bosët e “fortë” si dhe zotërimi i sistemit të drejtësisë e akuzës në Tiranë e shndërron Ramën në sundimtar absolut.

Kjo është një provë force për të tkurrur opozitarizmin dhe opozitën. Cila gjykatë në Europë do të jepte një vendim, duke gjykuar motivimin dhe jo faktin në çështjen “Babale”, që, me të drejtë, Mark Marku dje e sillte në vëmendje si shërbestari politike të Gjykatës. Kjo ka ndodhur, po në kohën e Aranit Çelës. Çuditërisht, grupit të juristëve të opozitës ky fakt tronditës ende s’u ka bërë përshtypje kur, në fakt, do të duhej shndërruar në kauzë më vete!

Edhe personazhet e “mbetqefur” të çështjes “Babale” po i ndërrojnë dëshmitë dy herë në ditë, tregues ky se forca madhore po veprojnë mbi ta, ndonëse historia e “Babales” dhe e Xhiselës nuk përputhen askund. Me të drejtë, për të parën, Prokuroria ka kërkuar shpjegime nga ai grup i opozitës, që doli në TV dhe e transmetoi, ndërsa, për të dytën, pse duhej të thirrej Lulzim Basha! Vetëm një përgjigje mbetet! Rama po i kundërvë ngjarjet që të asgjësojnë njëra-tjetrën, të shpëtojë të vetët dhe të frikësojë të gjithë ata që frikësohen. Basha të mendohet para se të shkojë në Prokurori.

Presioni i paligjshëm përballohet me refuzim të ligjshëm. Një ditë, Arta Marku mund ta thërrasë për turtujt, gargujt, apo djajtë që fluturojnë mbi Kryeministri si komplot ndaj shtetit! A duhet të shkojë Luli të japë xhevap? Dreq, haje këtë logjikë shërbëtorësh, që po na bëjnë me turp para fëmijëve, që rrisim në këtë truall. Gjuha dhe aktet erdoganiste ndaj opozitës tanimë janë realitet!

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura