FOTOT/ Valbona, mrekullia shqiptare mes “etheve” te hidrocentraleve

Jun 29, 2016 | 14:41
SHPËRNDAJE

Qershor. Dielli shndrin në kupë të qiellit, por ajri është krejtësisht i freskët. Gjelbërimi i luginës dhe i ahut e lisave shpateve të maleve rrotur thyhet aq bukur me grinë e majave vigane të tyre.

Në kreshtat më të larta nuk nuk mungojnë as boka të murrme e të bardha të dëborës së vonë, asaj që, siç na thonë, nuk kanë shkrirë prej dekadash.

valbona 1

Jemi në Valbonë, aty ku lugina hapet për t’i lënë vend një fushe, që ndahet nga shtrati i lumit nga rruga automobilistike. Në kahun tjetër shquhen rrënojat e hotel turizmit të para viteve 1990 në këtë pikë turistike. Ujin e kthjellët të rrjedhës së lumit që i ka dhënë emrin luginës e kemi disa metër më tej. Qershori e gjen këtë vend në përgatitjet për hapjen e sezonit turistik. Pamja rrotull të mrekullon.

Po ashtu edhe vendasit, që duket sikur kanë marrë nga shtati u maleve pranë të cilëve kanë lindur. Një burrë mbi të 50-tat është krejtësisht i thinjur, por kjo s’e ndalon të jetë më energjiku mes valltarëve të tjerë në një aktivitet që po zhvillohet në kuadrin e  hapjes së sezonit. Të veshur me kostumet popullore të zonës kërcejnë para nesh me ca nuanca të pashoqe koreografike vallen e Tropojës, nën bucimën e daulles, që mbush gjithë luginën. Vallja hidhet hareshëm, si e dalë nga legjendat me Muj e Halil e zana mali.

Improvizimi i një dasme malësie para të pranishmëve të fut thellë në traditën, doket e zakonet e tyre. Kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj, thotë se Tropoja është e bukur, në çdo cep të saj, nga Brisa në Padesh, nga Curraj Epër në Bytyç e Berishë, nga Valbona në Fierzë. Më tej ai shpreh nevojën e ndihmës nga shteti për të pasur turizëm të nivelit të kërkuar dhe me leverdi ekonomike.

valbona 2

“Duhet të konsistojë në subvencionimin e prodhuesve, apo bizneseve që promovojnë tradicionalen e zonës, si dhe të reduktojë, ose t’i heqë tërësisht taksat për një periudhe të caktuar kohore atyre bizneseve që investojnë në infrastrukturën turistike në zonat malore, kur dihet se ky lloj investimi ka një kosto të lartë”, shprehet ai para të tjerë.

PERLA E VERIUT

Valbona, destinacioni i largët në dukje, për një pjesë të mirë Shqipërisë nuk është aspal e tillë. Të paktën jo më. Nga Tirana në këtë mrekulli të veriut mbërritëm për katër orë. Ndoqem Rrugën e Kombit drejt Kukësit dhe përtej kufirit në Kosovë. Më pas në Prizren e Gjakovë për të mbërritur në qendrën e Bajram Currit. Nga aty ishim vetëm 23 kilometra të tjera larg Valbonës. Rrugëtimi nëpër luginë qe mahnitës.

Rruga automobilistike e shtruar së fundmi depërton në brendi të Alpeve duke gjarpëruar krahas rrjedhës së vrullshme të ujit të kristaltë, që shkelqente cdo gur të shtratit të tij. Sa më shumë që thelloheshin më luginë, aq më tepër na hapeshin mushkëritë nga oksigjeni.

BUJTJA

Në Valbonë ka kapacitet fjetës të konsiderueshëm në shërbim hotelerie si dhe bujtina familjare, që konakët e tyre i kanë vënë në shërbim të turistëve. Cmimi mesatar fjetjeje për person në natë përfshi dhe mëngjesin, në këtë zonë është nga 15 në 35 euro.

valbona 3

Odat bujare por dhe restorantet e zonës shërbejnë krejtësisht ushqim tradicional, të bollshëm me kaloritë e nevojshme mes të ftohtit alpin, duke filluar me bukën e gatuar vetë në saç, turshitë dimërore, specat e zhytur në ajkën e qumshtit, flinë e tëhollur me kujdes nga gratë tropojane e duke vijuar me mishin e kecave të zonës, troftës së Valbonës e deri tek pulat e fshatit. Mirash Lamthi, një ndër biznesmenët e zonës ku ne bujtën, nuk harron të na theksojë se cdo ushqim i servirur në tryezë është bio.  

“ETHET” E HIDROCENTRALEVE

Sherif Margjeka është një burrë plot humor. Është bashkëshorti i një gjermaneje, e cila, për cudinë e të gjithëve, ka zgjedhur të ndajë jetën me të aty në Valbonë. Cifti Margjeka pret e përcjell turistë si “zot shtëpie” të një hoteli. Janet, nusja gjermane ne Alpe, ndjehet mirë me vendin ku thotë se do jetojë për gjithë jetën. Shijon ushqime tradicionale të zonës dhe thuajse ka mësuar t’i gatuajë të gjitha ato.

Stafi i hotelit përbëhet nga vendas. Shefifi ndjen nevojën e specializimit të të rinjve të zonës në turizëm. “Në zonë ka plot djem e vajza të rinj e të shkathët, por shteti duhet të na ndimohjë me

hapja e shkollave të mesme, apo kurseve këtu në Tropojë, ku të rinjtë të kualifikohen në turizëm”, thotë. Duhen vec pak çaste që ai të rrëfejë pengun e vërtetë të tij. Peng që, mesa duket, e kanë gjithë bizneset dhe banorët e zonës. I druhet ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë. “Deri më sot neve nuk na ka pyetur njeri, por nëse ndërtohen hidrocntrale në Valbonë marrim fund, si ne, si biznesi jonë. Gjithë zona do të shkretohet dhe askush nuk do të dojë të vijë më këtu”, rrëfen ai me shqetësim.

“MOS E PREKNI”

Duhet të qëndrosh të paktën 24 orë në Valbonë për të kuptuar tërheqjen si me magnet të këtij vendi. Zgjimi në një hotel a bujtinë nën krahët e pishave e aheve, nën tavanët e drurit, me zhaurimën e një përroi në vesh dhe oksigjenin e pasuruar në mushkëri është një eksperiencë e parrëfyeshme.

valbona 4

Gjatë ikjes të shoqëron dëshira për të mos i kthyuer shpinën Jezercës, por me bindjet të plotë se Valbonën do ta shohësh përsëri dhe herën tjetër…do të rrish më gjatë, për të parë Shpellën e Dragobisë, stanet e Sylbicës, bjeshkën e Dobërdolit, rudinat e pyjet e Çeremit, liqenet alpinë, apo plantacionet e boronicave. Është e pamundur të mos i bashkohesh shqetësimit të banorëve: Mos na e prekni Valbonën…

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura