“Fotot, shefi i policisë kufitare në Dhërmi ngre dolli me kushëririn trafikant të Tahirit”

Oct 5, 2015 | 8:31
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka publikuar sot dy fotografi të shefit të policisë kufitare në Dhërmi, Sokol Bode me njërin prej kushërinjve të ministrit Tahiri, Moisi Habilaj.

Sipas kreut të departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, këto foto provojnë edhe njëherë se trafikanti Habilaj ka kapur policinë e Jugut, pikërisht në vendin ku ish efektivi Zagani akuzoi se kalonte trafiku i drogës.

Sokol Bode (majtas) dhe Moisi Habilaj (ne mes)
Sokol Bode (majtas) dhe Moisi Habilaj (ne mes)

 

“Kushërinjtë e Saimir Tahirit, Habilajt që hetoheshin për trafik droge, dhe që policia i njeh mirë për aktivitetin e tyre në Vlorë e më gjerë, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve. Kemi këtu, Moisi Habilajn, kushëriri i preferuar i Tahirit, në një lidhje të ngushtë bashkëpunimi me kreun e policisë kufitare në Dhërmi. Pikërisht në Dhërmi, aty ku sipas dëshmisë së oficerit të lartë të antidrogës Zagani, banda e drogës magazinon mallin dhe e bën gati për ta nisur në Itali. Por siç dëshmojnë këto foto, kreu i policisë kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, nuk ka prioritet hetimin e trafikut të drogës sepse në fakt është vënë në shërbim të tyre. Ja tek festojnë së bashku kreu i kufirit të Dhërmiut me Habilajt, arritjet në biznesin kriminal. Dolli pa fund për drogën dhe për shefin e madh në Tiranë. Oficeri Bode e ka marrë mesazhin”, thuhet në deklaratën e Alibeajt.

Sipas tij “Ai (Bode) nuk mund të hetojë kushëririn trafikant të ministrit të brendshëm. Nuk mund të prekë Habilajt që ndajnë makinën me Saimir Tahirin. Eshtë provuar publikisht tanimë, dhe e ka pohuar vetë me gojë Tahiri, se makina e tij që shërben si mbrojtje, si garanci e imunitet, është në dispozicion të habilajve kur ata kanë punë me drogën, e më pas në dispozicion të Saimirit kur ai shkon me pushime. Kjo aferë kriminale, ky skandal i padëgjuar më parë, tashmë është ndërkombëtarizuar. Mediat italiane kanë pasqyruar akuzat tronditëse që rëndojnë ndaj narkoministrit të brendshem shqiptar. Prokurorët italianë të anti-mafias janë vënë në alarm për volumin e madh të drogës që po kalon nga Shqipëria drejt vendi fqinj”.

Sokol Bode (majtas ne rreth) dhe Moisi Habilaj (djathas ne rreth)
Sokol Bode (majtas ne rreth) dhe Moisi Habilaj (djathas ne rreth)

 

Në deklaratën e sotme për mediat Alibeaj tha se ministri i Brendshëm sot është i diskretituar në sytë e opinionit publik dhe largimi i tij i menjëhershëm i hap rrugë drejtësisë që të heq njollën e turpit dhe korrupsionit në radhët e efektivëve të Policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura