FOTOT/ Seks dhe pushtet, skenat e papritura në shfaqjen “Galaksia”. Rrëfehet Olta Daku

Feb 11, 2020 | 17:24
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ. Dy vite më parë, kur Olta Daku më nisi dramën e Howard Barke, “Galaksia”, e pëlqeva aq menjëherë sa nuk munda ta lexoj, nuk shkova më shumë se 7-8 faqe.seks-teater

M’u duk se po të më pëlqente deri në fund, sa në fillim, shfaqja nuk do të vihej. Nuk e lexova as në verë kur Olta më tha se do të nisnin provat me regjisoren Rovena Lule, sapo të mbyllnin pushimet. Mirëpo, kur nisën lajmërimet për premierën e “Galaksia”-s në shkurt, nuk kishte më vend për mosbesime.

Tani, leximi ishte më i thjeshtë sepse nuk ngelej i hirtë. Galaksia në letër dëgjohej me kumbimin e zërit, në qëndrimin e trupit, në dritën e syve, në flokë, e deri në heshtje, si Olta Daku. Regjisorja, që herën e parë, e kishte lexuar pjesën me Oltën në sy. Të gjitha gjendjet e çonin atje dhe nuk priti fare për t’ia thënë, sado që pesë vite më parë nuk kishte asgjë konkrete në tavolinë.galaksia

Nga ajo kohë, “Galaksia” u bë hija e të gjitha daljeve të tyre. Ishte aty kur flisnin për punë, kur donin të qeshnin, kur udhëtonin… Piktorja veneciane e 1500-ës, u bë fati i tyre. “Nuk kishte asgjë për t’u menduar, Galaksia do të ishte Olta Daku, sado që isha ende larg konkretizimit të pjesës që rastësisht lexova. Që atëherë, të gjitha diskutimet rreth shfaqjes, si mund të ishte, ku të ndryshonte, ku çalonte, si do të zhvillohej, i kemi bërë bashkë”, tregoi Lule pas premierës, me kënaqësinë e gjithë fjalëve të bukura që askush nuk ia kurseu.lule

Mirëpo, e kuqja që shpiku Galaksia në pikturën e saj, “Beteja e Lepantos”, nuk do kundërmonte erë gjaku nëse edhe ngjyrat e tjera pranë saj nuk do ta ndihmonin për t’i dalluar vibrimin. “Kjo ishte etapa që kërkoi më tepër kohë. Përpara fazës së audicioneve kishim hamendjet tona, por pikëpyetjet binin, derisa koha solli Igli Zarkën”.

Carpeta, dashnori piktor i Galaksias, është po aq i rëndësishëm për të theksuar vërtetësinë dhe talentin e asaj që adhuronte. Në rolin e tij të dytë të rëndësishëm, pas bujës që bëri me zhveshjen tek “Equus” (është sërish kënaqshëm i zhveshur), kishte arritur të vishte pasiguritë e të patalentuarit përpara gjeniut, bindjen e meskintë përpara pushtetit, por edhe nevojën e dashnorit për gjithë shprehitë e shfrenuara që i dhuronte mishi i saj.seks-teater.jpg1

“Jemi përpjekur të punojmë me vërtetësi pa iu shfaqur publikut deri në momentin e fundit të seksit. Të luaje orgazmën mund të kishte qenë më e thjeshtë sesa të interpretoje skena kënaqësie të vazhdueshme që mund t’i përfshijnë njerëzit në mënyrë të atillë që të mbërrijnë në kënaqësinë që duan. Skenat e seksit nuk veçohen nga të tjerat, kërkojnë të njëjtën punë dhe unë u përpoqa ta realizoja me të njëjtin përkushtim bashkë me partneren”, thotë Zarka me avantazhin natyral të portretit që sikur del nga vitet e ngjarjes së shfaqjes.

* * *

Lufta e piktorit me pushtetin nuk meriton më shumë vëmendje nga ç’meriton ankthi i vazhdueshëm i gjeniut dhe krizat e tij të mëdyshjeve, të pasigurive. Historia i njeh që nga krijimi shërbëtorët e oborreve, por njeh vetëm pjesërisht luftërat e shpirtrave të artistëve. Ato nuk kanë asnjëherë të njëjtën fytyrë, sado që ngjajnë, megjithatë Olta Daku interpretoi deri në fijet e kuqe që u kishte ngjyrosur flokëve, gjithë lugetërit që i vardisen në kokë piktorit, atij që tregon të vërtetën, në mënyrw unike. Diti të tregojë mungesën e fleksibilitetit në marrëdhënie me njerëzit, zhurmat që i shponin sytë, paaftësinë për të zotëruar situatat, huqet e vjetra dhe të gjitha përpjekjet për t’i dhënë pikturës vdekjen! Pa bërtitur dhe pa qarë, përmes personalitetit që i kishte dhënë personazhit në vështrim, në përhumbje.84283773_2541085089506189_9171573099177443328_o

“Do kisha dashur të kisha edhe pak kohë, të paktën edhe tri javë”, thotë Daku pas premierës, por ndoshta sepse nuk e vë re shqetësimin e Galaksias, që nuk i ka dalë ende nga lëkura e nga zëri. Thonjtë me bojë nuk i janë pastruar asnjëherë plotësisht gjatë gjithë kësaj kohe. I ka ndjerë në gjumë e në ushqim. I është tharë boja në letrën e duhanit të saj të dredhur, që Galaksia të bëhej ajo që ishte, ajo që nuk pritej. E tjetërsuar nga fytyrat komike të ca roleve më parë, Olta Daku kishte ruajtur vetëm ca batuta të zeza për ta bërë Galaksian të bukur.

“Autori e kishte vetë humorin, kështu që nuk është se bëmë ne punë të shtuar për t’i përfshirë apo për t’i kërkuar. Për mua, puna është punë në cilindo rast, në komedi, në dramë… nuk është që njëra kërkon ca më pak përkushtim se tjetra. Kalimet janë të natyrshme, janë pjesë e punës sonë”, thotë Olta. Gjatë dhe në fund të shfaqjes, askujt nuk i shkoi mendja për komeditë e saj të mëparshme, ajo ishte vetëm Galaksia, piktorja me personalitet, me fuqi fizike e shpirtërore që tronditi Venecian. Ajo që nuk bërtiste as kur bënte seks, as kur e burgosën, por vetëm përmes së kuqes së gjakut të të vdekurve në luftën e Venecias me Turqit.

Ishin të shumtë elementet regjisoriale që e plotësonin shfaqjen dhe e ngrinin në nivelin e pak shfaqjeve të vëna në teatër. Ajo që dallohej që nga fillimi ishte Vikena Kamenica, si zgjedhje e regjisores Lule për ta përfshirë si narratore në momentet e ‘krizave’ të piktores, që, edhe kur dilte nga skena, vazhdonte të ishte aty. Prodo ishte një ndër personazhet që megjithëse për pak kohë në skenë, Lulëzim Zeqja e kishte bërë të kishte ndikim të rëndësishëm.

“Njeriu me shigjetë të ngulur në kokë” u bë e vërteta e Galaksias për të pikturuar luftën. Nga shpirti që i dilte në plastikën e portretit, Zeqja i dha famën dhe vendin që meritonte Prodos. Aktorë të tjerë me rëndësi ishin: Neritan Liçaj, Rajmonda Bulku, Bujar Asqeriu, Myzafer Zifla, Najada Saliasi, Genti Deçka, Paola Kodra, Naun Shundi, Besmir Bitraku, etj. Mirëpo, kur të shkoni të shihni shfaqjen, prej së mërkurës në “arTurbina” dhe në javët në vazhdim, deri në fund të shkurtit, do ta shihni vetë që në të gjithë personazhet ishte hija e asaj që i krijoi, Galaksias!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura