Për shumëkënd ishulli Sazan në Vlorë të Shqipërisë ishte mister për dekada.Aty dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste.
Herë pas here ishulli përdoret edhe për stërvitje nga ushtria shqiptare dhe nga NATO-ja.
Por, në vitin 2017, Qeveria e Shqipërisë, vendosi ta lejojë qasjen për vizitorë nga maji deri në muajin tetor.
Vëmendja në këtë ishull u rikthye para pak javësh kur dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, shprehu interesim për ndërtimin e një kompleksi turistik.
Kur dhe si mund të shkohet në ishull?
Nga maji deri në tetor, për të shkuar në Sazan është i nevojshëm udhëtimi me anije.
Udhëtimi zgjat nga 20 deri në 45 minuta.
Kohëzgjatja e udhëtimit varet shumë edhe nga moti.
Distanca më e afërt e Vlorës me Sazanin është rreth 8 kilometra.
Kur të nisë udhëtimi, sa më shumë që anija i afrohet ishullit, aq më shumë vërehen objektet e vjetra që dekada më parë shfrytëzoheshin nga ushtarakët.
Aty ishte krijuar një mini-qytet, ku oficerët jetonin me familjet e tyre.
Kishte edhe shkollë për fëmijët.
Niko Leraj, një ish-ushtarak nga Vlora, jetoi 9 vjet në Sazan në vitet ‘80.
Ushtrimet dhe përgatitjet ushtarake thotë ai, ishin rutina e ushtarakëve në ishull.
“Përditshmëria do të thoshte stërvitje, përgatitje dhe vetëm përgatitje dhe gatishmëri për mbrojtjen e atdheut, ashtu siç ishte teoria”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë.
“Sazani, duke qenë i izoluar nga toka, nuk kishte dritë elektrike të pandërprerë, nuk kishte ujë të rrjedhshëm, as 24 orë e as me orë të ndërprera. Sazani, ujin e kishte me cisternë që vinte nga Vlora”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë.
Në ishull ende nuk ka ujë të pijshëm e as energji elektrike.