FOTO/ Modelja shqiptare: Mesazhi im për vajzat që gjejnë meshkuj ‘sponsor’

Jan 14, 2017 | 17:37
SHPËRNDAJE

Iva Spaho është një nga modelet më simpatike në vendin tonë. Ka preferuar të ecë me hapa të sigurt në modeling, duke mos eksperimentuar me ekstravagancën dhe zhveshjen.

“Vulgariteti nuk bën pjesë në karakterin tim”, thotë Iva. Ndjen keqardhje për nivelin e modeleve sot në vendin tonë, megjithatë shprehet se nuk është detyra e saj të gjykojë askënd. Në jetën private ndihet e lumtur dhe e plotësuar, edhe pse nuk jep detaje.

Iva-5

Meshkujt që dinë të trajtojnë femrat janë ata që e joshin bukuroshen tonë. Nuk i vë vetes çmim, ndaj nuk preferon të zhvishet përpara objektivit.

Sipas Ivës, seksi mund të jesh edhe duke qenë më e përmbajtur apo misterioze. Iva Spaho, një modele e suksesshme në Shqipëri, por jo vetëm; si e keni nisur?
E kam nisur që në moshë të vogël. Kam qenë rreth moshës 14-15 vjeçare. Fillimisht bëja shooting fotografish, për editoriale mode të ndryshme të revistave, e më pas, duke u njohur me njerëz të ndryshëm të kësaj fushe më ofroheshin vazhdimisht punë të tilla, të cilat normalisht nuk mund t’i pranoja të gjitha, por një pjesë të konsiderueshme të tyre e ato që më përshtateshin më tepër i pranoja e i kryeja me dëshirë.

Sa ndryshon modelingu në Shqipëri nga ai në vendet e tjera?
Për fatin tim të mirë e punës sime, unë pata shansin të prekja pasarelat që ëndërroja aq shumë. Një ndër eventet më të rëndësishme që mund të përmend është “World Fashion Week”, që u krye në Paris, në të cilin prezantova Shqipërinë nën fustanet e mrekullueshme të stilistes me origjinë shqiptare Ema Savahl. Emocioni e kënaqësia ishin të papërshkrueshme. Ajo që bën më shumë përshtypje krahasuar me modelingun në Shqipëri është organizimi, që mendoj është elementi më i rëndësishëm në kryerjen me sukses të një eventi modelingu. Detajet që bëjnë diferencën e bëjnë në një farë mënyre të duket më bukur një sfilatë tek ata se te ne.

Mendoni se është bërë disi i “rëndomtë” profesioni i modeles në Shqipëri?
Në kohën kur fillova unë të merresha me modeling, ishte herët, atëherë kur edhe fotografë e stiliste kishte më pak, sikurse modele, që në një farë mënyre numëroheshin e njiheshin pothuajse. Sot kur forcë tepër të madhe kanë marrë edhe rrjetet sociale, si “Instagram”-i, një pjesë e madhe e femrave e ashtuquajnë veten modele. Deri diku më vjen keq për këtë pjesë, sepse nuk bëhet më dallimi, e që të jesh një modele duhet detyrimisht të plotësosh disa kritere.

Keni dëgjuar apo njeh Iva modele që kanë nga pas meshkuj që i përdorin si sponsorë? Si i gjykoni këto femra?
Kam dëgjuar e më ka rënë rasti edhe të rastis vajza të tilla, duke marrë parasysh që jetojmë në një vend të vogël, por mendoj se në përgjithësi bëhen sponsorë për nevoja vetjake të vajzave, e jo në aspektin e modelingut. Secili e zgjedh vetë mënyrën e jetesës, e varet se çfarë kërkon nga vetja, por në aspekte në ndryshme nuk më pëlqen t’i gjykoj njerëzit. Gjithashtu mendoj se jo detyrimisht duhet të jesh modele që të kesh të tillë sponsor; këto janë raste të rëndomta që na vrasin veshin shpesh, jo vetëm në modele, por edhe në vajza të profileve të tjera. Unë vetëm mund t’i këshilloj e t’u them që të jenë të zonjat e vetes, e kurrë të mos jenë nën tutelën e dikujt.

A të bën modele një set seksi, me foto provokuese?
Absolutisht jo! Foto seksi e provokuese mund të bëjë secila nga ne, qoftë edhe për dëshirën e saj, pasi një shoot fotografik sot nuk është vështirë për ta pasur. Siç e thashë edhe pak më lart, që të jesh modele duhet të përmbushësh disa kritere, e jo detyrimisht të jesh seksi.

Teksa shikon fotot tuaja, ndryshe nga modelet e tjera nuk ka shumë foto ku shfaqeni e zhveshur; është një zgjedhje kjo?
Është e vërtetë. Patjetër që është një zgjedhje e imja. Kur një modele fillon shkallë-shkallë ta ushtrojë këtë hobi apo pasion për fotografinë, që në fillim, mendoj e pozicionon veten në atë që dëshiron, aty ku e shikon veten e në atë profil që i përshtatet. Edhe pse, mbase për sytë e publikut nuk bie në sy, edhe bota e modelingut është e egër dhe duhet të dish të menaxhosh veten dhe imazhin tënd. Pasi, gjatë gjithë rrjedhës propozimet do të jenë të shumta, por varet si i seleksionon, si e ruan dhe si e prezanton imazhin tënd. Më tepër se foto të zhveshura apo seksi, unë kam zgjedhur të bëj fotografi sensuale, ajo që vërtet mua më përshtatet, pasi vulgariteti nuk bën pjesë në karakterin, idetë e imazhin tim.

I gjykon Iva femrat që zhvishen?
Unë nuk gjykoj asnjë. Nuk kam ardhur në këtë botë për të gjykuar, e njerëzit me të tillë virtyte nuk më pëlqejnë. Pasi secili ka jetën e vet, e ndërton dhe e vazhdon atë sipas dëshirës e koncepteve. Në botë ka shumëllojshmëri njerëzish e karakteresh. Ne zgjedhim vetë me kë duam të rrimë e kush na përshtatet për të na qëndruar pranë. Unë nuk i pëlqej ekzagjerimet, zhveshjet, ekstravagancën pa kufij. Unë pëlqej të jem interesante, mistike dhe nuk më pëlqen ta shpalos të gjithë veten time. Të qenët misterioze apo më pak e zhveshur, kjo mendoj se është seksi.

Ndërkohë, në natën e ndërrimit të viteve ju pamë edhe si aktore te “Xing me Ermalin”; si ishte kjo eksperiencë?
Ishte një eksperiencë shumë e bukur, pasi për mua ishte diçka e papritur e spontane, ashtu si mua më pëlqen të jenë gjërat. Kaluam shumë bukur ditët e xhirimeve e kur ka organizim dhe mirëkuptim çdo gjë është e suksesshme e merr kënaqësi shpirtërore. A do të tentojë Iva botën e televizionit, ke marrë oferta deri më tani? Kam marrë oferta të ndryshme e, siç e sipërpërmenda, më takon mua tani të bëj selektimin, por së shpejti do jem me projekte të reja tepër interesante.

Si është jeta private e Ivës?
Kam një jetë të bukur, falë Zotit! Jam rritur, jam formuar dhe e di çfarë dua e çfarë zgjedh. Kam miq të mirë shumë, kaloj kohë me ta, merrem me veten, me familjen time, me punën time. Duke qenë se për momentin nuk kam preokupime të tjera, jam e lumtur me këto që kam e u përkushtohem. Mundohem çdo ditë ta bëj ndryshe, pasi mua rutina nuk më pëlqen e nuk më përshtatet. Në një farë mënyre shpesh them që jetoj një jetë të shpejtë e aktive.

Çfarë duhet të ketë një mashkull që t’ju joshë?
Së pari të jetë mashkull, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Një mashkull që e respekton femrën, e di ta trajtojë, mua më tërheq. Për mua shumë i rëndësishëm është komunikimi, të qenët i vërtetë e i thjeshtë dhe sensi i humorit, pa dyshim.

Cila është shuma që e zhvesh nudo Ivën përpara objektivit?
Unë nuk mund t’i vë vetes kurrsesi një çmim apo shifër! Do ishte ekstrem mbase, nëse do më kërkohej patjetër një shifër. Nëse një ditë do ta bëja, do ta bëja për pasion apo kënaqësi, ose ajo varej pastaj, nëse do pozoja për ndonjë nga revistat me famë botërore, atë që kam dëshirë e synoj unë në këtë fushë, por gjithsesi jo nudo.

A bëhesh një modele e famshme në Shqipëri vetëm nëse bën skandale?
Nuk e besoj absolutisht këtë gjë. I famshëm në një metropol kaq të vogël sot bëhesh, pa diskutim, duke bërë skandale, por modele kurrsesi. Po bëhen të famshëm individë që nuk kanë asnjë talent apo elementë për të qenë të famshëm, por prapë kjo i përket asaj që synon e si kërkon të prezantohesh.
(Bluetooth/Gazeta Shqiptare)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura