Formohet grupi, cilët do të hetojnë shkaqet e rrëzimit të helikopterit

Apr 15, 2016 | 8:10
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Shkodrës urdhëron ngritjen e një grupi me specialistë të Ushtrisë dhe të Aviacionit për ekspertizën e pjesëve të helikopterit të rrëzuar më 6 prill në Shkodër.

Kutia e zeze e helikopterit te rrezuar te ushtrise ne Liqenin e Shkodres
Kutia e zeze e helikopterit te rrezuar te ushtrise ne Liqenin e Shkodres

Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve në lidhje me shkakun e aksidentit që pësoi mjeti fluturues i Ushtrisë, duke sjellë si pasojë vdekjen e dy pilotëve dhe plagosjen e ushtarakut të tretë që ndodhej në bord. Grupit të specialistëve pritet t’i bashkohen ekspertë të Ushtrisë dhe Aviacionit, në detyrë dhe në lirim, me qëllim përcaktimin e shkaqeve që mund të kenë çuar në rrëzimin e helikopterit EC-145.

Pjesë e grupit, sipas Prokurorisë, do të jenë edhe specialistë të kompanisë prodhuese të mjetit fluturues. Ekspertiza e pjesëve të helikopterit të nxjerra nga Liqeni i Shkodrës pritet të ballafaqohet edhe me regjistrimet që ka bërë kamera, apo kutia e zezë e helikopterit.

Kjo pajisje është dërguar në Gjermani me qëllim nxjerrjen prej saj të materialeve zanore e filmike që janë regjistruar gjatë fluturimit të helikopterit. Në përfundim të ekspertizës, specialistët do të hartojnë një raport me vlerën e provës për Prokurorinë, ku pritet të japin versionin e tyre në lidhje me shkakun e aksidentit.

HETIMI

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar gjatë ditëve të fundit një mori dokumentesh nga regjimenti i helikopterëve në Farkë. Organi i akuzës ka marrë të gjithë dosjen teknike të helikopterit, por edhe praktikën e ndjekur ditën e ngjarjes me ngritjen në fluturim të avionit me tre persona në bord.

Nga dokumentacioni i mbledhur dhe nga dëshmitë e marra, Prokuroria duket se është bindur në lidhje me planin stërvitor të helikopterit. Sipas planit të fluturimit, helikopteri EC 145, me numër bordi 637, me ekuipazh prej tre vetash në bord, kapiten Florian Deliajn, toger Donald Hoxhën dhe ushtar profesionist Gerald Baramuçën, janë nisur nga Farka në orën 12:10 të datës 6 prill në një fluturim stërvitor në përputhje me programin e planifikuar dhe miratuar më parë.

Në orën 13:45 ka qenë kontakti i fundit që helikopteri ka pasur me Qendrën e Kontrollit dhe Raportimit në Rinas. Pas humbjes së kontaktit, është nisur drejt zonës ku u humb kontakti një helikopter kërkimshpëtimi, ku është konstatuar rrëzimi i helikopterit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura