FMN mbërrin në Tiranë për rishikimin e katërt. Takime me Ramën, Canin dhe Guvernatorin Sejko

Mar 6, 2015 | 12:35
SHPËRNDAJE

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur në Tiranë për vlerësimin e radhës së ekonomisë, në kuadër të programit që ky institucion ka me qeverinë.

Shefi i misionit te FMN Ilahi dhe Ministri i Financave Cani

Kjo vizitë vjen vetëm dhjetë ditë pas miratimit nga ana e bordit ekzekutiv të FMN të rishikimit të dytë dhe të tretë, çka i dha mundësinë qeverisë që të disbursojë 58 milionë dollarë të tjerë nga programi i financimit. Përfaqësues të Fondit kanë zhvilluar takime paraprake me kreun e qeverisë Edi Rama dhe ministrin e Financave, Shkëlqim Cani dhe pritet që në ditët në vijim të mbajnë takime edhe më të gjata për të diskutuar rreth çështjeve kyçe të realizimit të treguesve.

Misioni ka në axhendë takime me kreun e ri të Bankës së Shqipërisë, Gent Sekjo. Kjo është hera e parë për guvernatorin e ri që pret misionin e FMN, për ta informuar edhe mbi zhvillimet më të fundit ekonomike. Fokusi kryesor i diskutimeve me bankën gjatë kësaj kohe pritet të jenë masat e ndërmarra mbi politikën monetare, por sidomos gjetja e një zgjidhjeje për kreditë me probleme.

Sot, misioni i FMN pritet të zhvillojë një takim pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të diskutuar rreth një sërë çështjesh që mbulon ky institucion, me fokus te fondet e investimeve dhe tregu i sigurimeve. FMN ka parashikuar që në rishikimin e katërt të marrëveshjes së borxhit të ketë diskutime për një periudhë dyjavore për të dalë në fund me një raport, që i paraqitet sërish bordit ekzekutiv për disbursimin e transhit të radhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura