Flutura Açka: Kam droje nga poezia politike, erotika në thelb të çdo poeti

Feb 16, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ajo nuk e kishte harruar poezinë, jo më braktisur. Asgjë e dashur nuk harrohet. Mund ta lësh gjatë, duke ditur se e ke aty sa herë të kthehesh. Ndonjë natë, mund të të pickojë për të të kujtuar, por ti do t’i flasësh kur do ti. Jo, në fillim do t’i shkruash, pastaj do të njoftosh edhe të tjerët që jeni sërish bashkë! Kur vendosi të botonte poezitë e librit “Ftesë për flirt”, shkrimtarja, në këtë rast poetja, Flutura Açka, kishte vendosur, këto kohë, të flinte me poezinë.

flutrr

Jo sa për flirt. Atë etapë e kishte kaluar me kohë. Por, si për të kujtuar se ajo ngelet, sidoqoftë, etapë e bukur, bëri bashkë me poezitë e reja, edhe ato të dikurshmet, kur ëndërronte vetëm si poete. Na i solli tani sepse, për të, kjo është stina me presion të ulët shpirtëror.

Na nevojiten! Qëlluan të vinin pas një zhurme jo dhe aq të arsyetuar rreth erotizmit (për ta mbajtur butë) në poezi, por, përkueshmëria, nuk ka të bëjë me sensualitetin e poezive të Açkës. Do ta shihni edhe vetë që, erotika e saj, ka nisur qysh kur mbante fustane basme… 

Flutura, një pjesë e mirë e poezive të përmbledhjes “Ftesë për flirt” janë shkruar kohë më parë. Duket sikur tani, që të gjithë klikojnë vetëm erotizmin (në rastin më të mirë), është koha më e mirë për t’i botuar. Në fakt, a ka qenë ky një plan i hershëm, apo…

“Ftesë për flirt” ka qenë gati për botim më herët, edhe në disa intervista të vitit 2015 e pata shpallur. Madje, një vonesë gati e pashpjegueshme më kishte vënë edhe në njëfarë vështirësie. Kështu që botimi i këtij libri ishte akut për mua. Botimin e tij e shtyva, për shkak se gjatë Panairit të Librit të përvitshëm të nëntorit është shumë e vështirë të sillem në stendën e “Skanderbeg Books” njëherësh si botuese dhe autore.

Doja t’u lija një stinë më të përshtatshme poezive, kur njerëzit kanë nevojë më shumë për të, dhe më shumë se kurrë në një stinë me presion të ulët shpirtëror. Në kohën kur nisi debati mbi poezinë erotike, “Ftesë për flirt” ishte në shtyp, por unë nuk isha pranë lexuesit shqiptar që të mund ta promovoja.

Pastaj, “Ftesë për flirt” nuk është libër erotik që detyrimisht të renditet si i tillë dhe të përfshihet në këtë kategorizim; ka në të poezi me nota të forta sensuale, por i parë në tërësinë e tij, është një vëllim më i përgjithshëm, është libri im i gjashtë me poezi, dhe nuk ka lidhje me asnjë lloj klikimi apo qëmtimi që kanë dalluar kohët e fundit fushën e poezisë.

Unë kam pasur më herët në vëllimet e mia poezi sensuale, ata që e njohin poezinë time, e shohin si vazhdim krejt të natyrshëm të saj, aq më shumë që ky libër është shkruar më herët se vala e “erotizmit shoqëror”, që pushtoi kafenetë e rrjetet tona sociale. Trendi i vetëm që ndjek unë është të paqëtuarit dhe të bindurit e vetes se libri e ka marrë formën për botim.

Përgjegjësia, ky është parametri i vetëm, trendet janë trende, shkojnë e vijnë. Dikur ishte trend edhe të shkruaje për klasën punëtore, për kontrollin punëtor, për misrin kubik, për qenin e kufirit; kur shkruheshin të tilla poezi, unë isha fëmijë dhe i kam lexuar thjesht si një vajzuke që e adhuronte poezinë. Trend si ky i erotizmit, është i përjetshëm, dhe do të mbetet i përjetshëm.

 

Kopertina Ftesë front (1)

Kur keni shkruar poezinë e parë të këtij lloji, a keni menduar se do të vinte dita që do të bëheshin shumë e do të botoheshin? E bëj këtë pyetje duke menduar atë që keni thënë vetë, se “nuk është aq pa drojë kjo tufë poezish”…

Kjo drojë nuk ka lidhje me poezitë e hershme, është një cikël rinor në të, që unë nuk e kam prekur, i shkruar me vite dhe ka poezi gati lirike. Droja ka lidhje me kombinimin mes poezive sensuale dhe atyre sociale, me po të njëjtën nerv në llojin e tyre. Meqenëse poezia sensuale është në natyrën e çdo poeti dhe nuk bën ndonjë ndryshim esencialish mes poetësh (veç stilit), droja ime mund të lidhet më shumë me ato sociale, ose politike, të themi.

Po aq, droja ka lidhje edhe me këtë shkëputje të gjatë nga poezia, a thua se rikthimi te lexuesi që e ke braktisur dikur, të jep një ndjesi faji. Njëlloj si të takosh një ish-të dashur, që gati e ke harruar, por që ka qenë aty, bashkë me kujtimet e tij. Dhe poezia është dashuria ime e parë. Ka disa lexues të çuditshëm që kanë një bindje se ka qenë një gabim i madh i imi ta braktisja poezinë për prozën. Por nuk e kam braktisur poezinë, thjesht nuk fle me të përnatë.

Në fakt, pse ka autori, shkrimtari o poeti, nevojë të ndajë gjithçka me lexuesin? A ka raste kur ju, o gjithkush, mund të shkruanit vetëm për t’u çliruar dhe për t’i lënë aty deri sa, pas 50 vitesh, dikush t’i gjejë? Nëse ka, pse? A ka të bëjë kjo me frikën e gjykimit? Gjithkush mund të shkruajë, por a është gjithkush shkrimtar?

Blloqet e gjimnazisteve janë plot me poezi të mrekullueshme, që mbase asnjëherë nuk do ta shohin dritën e botimit, veç ndonjëri a ndonjëra që vërtet ka lindur për të qenë poet a poete. Pyetja është: A janë këta shkrimtarë? Ka plot njerëz që, në një kohë të caktuar, i botojnë nga shënimet e tyre edhe poezi që mund të kenë shkruar në vite, por a janë këta shkrimtarë? Nuk e di.

Di që vetë nuk do të kisha pritur 50 vite për t’i botuar gjërat e mia. Mendoj se shkrimtari e ka të lindur ndjesinë e komunikimit, nevojën për auditor, që në këtë rast është lexuesi. Shkrimtari ngjan me një misionar; siç thotë Mario Luzi, shkrimtari është një zë i deleguar i komunitetit, pjesë e së cilit është, ndaj edhe artikulon me zë të lartë, dhe këtë e bën natyrshëm, pa e munduar kurrë veten të dijë përse-të e kësaj.

Të shkruarit është një formë e lartë ligjërimi, barrësimi me të cilin të vjen nga një bekim hyjnor, nga një fat i shkruar për ty diku, por që kushte të caktuara e zgjojnë ose e vdesin. Shkrimtari lind, por që të kuptohet që ka lindur, ai duhet të rritet, dhe terreni, klima, fati, kushtet atmosferike, frenimet, liria janë përcaktuese në fuqinë e tij artikuluese. Por, pa dyshim, edhe karma e tij, pra të qenit ai që është.

Ngaqë biem në dashuri me “karmën” e tij, ne e kërkojmë sërish autorin që preferojmë, pa e ditur se autori vetë, ai i përgjegjshmi, e kupton se ka një përgjegjësi për dialogun që ka nisur dikur me lexuesin, atëherë kur nisi të kërkonte vë- mendjen e tij.

“Ftesë për flirt” është vërtet në fazën e joshjes, pa kaluar ca më tej kur “gjërat” familjarizohen e bëhen më të zakonshme. E keni “mbajtur dorën” vetë për të qëndruar deri këtu, apo kjo është faza më frymëzuese?!

Jo, titulli thjesht mvesh atmosferën e librit, nuk është një qëllim më vete. Në të vërtetë, përngjan me joshjen (fundja unë për të joshur e kam vënë, sepse kam nevojë të lexohem dhe jo thjesht të shitem), por shkon më përtej. Fundja, titujt duhet të transmetojnë, në njëfarë mënyre, thelbin e librit, por për poezinë është e vështirë ta thuash këtë.

Ndonjëherë titujt e poezive më ngjajnë si etiketa kavanozash, dhe as ia qëlloj mirë, por titulli i librit e di që ka rëndësinë e tij, dhe nuk e shoh thjesht si shkrimtare, por edhe si botuese. Nuk është e lehtë të konkurrojë një kopertinë dhe titulli i një libri në vitrinën shqiptare, me aq shumë çalesa, për të cilat kam folur shpesh.

“Ftesë për flirt” nuk është fraza më frymëzuese e këtij libri, është një prag që parathotë shumë gjëra, pasi fjala flirt nuk ka domosdoshmërisht ngarkesën e kuptimit të parë që të vjen në mend kur e dëgjon. Flirti, pavarësisht joshjes që të jep kopertina, dhe mbase dhe ndonjë shtysë e brendshme si lexues, mund të jetë çfarëdo, edhe një flirt i rëndomtë i përditshëm, që nuk ka lidhje me asnjë ngjyresë sensuale.

Ju thashë, nuk është ekskluzivisht libër erotik, ka në të shumë sensualitet, por në masën dhe kuptimin tim për erotikën dhe poezinë që ndjell loja erotike. Unë kam pasur edhe më herët, mjaft t’ju përmend skenat erotike nga romanet e mi “Kryqi i harresës”, “Kukullat nuk kanë atdhe”, dhe këto poezi do t’ju duken thjesht si arabeska të asaj që kam shkruar “pa turp” më herët.

“Kur numëroja psherëtimat/fustanë basme vajzërie mbaja,/gjer i grisja,/në yje kërkoja/”fajin” që nuk e njihja.” A kujtohen ndjesitë e dikurshme për t’i shndërruar në poezi? Pra, a i humbet gjë mendjes, apo vetëm tjetërsohet brenda saj?!

Arti është imitim, edhe poezia po ashtu. Ti je po i njëjti njeri që të duhet të sillesh si qenie biologjike e pushtuar nga instinkti yt, por njëherësh të jesh edhe poeti, për të cilën poezia është metafizika e asaj çfarë e mundon pjesa tjetër e tij.

Letërsia nuk vepron me flukset e koshiencës tënde, as nuk njeh vuajtjet e tua, kështu që pavarësisht se është një realitet ku ti bart dhe ndërton një ngrehinë të vërtetë, është një realitet i rremë, paralel me atë fizik e real. Si e bën ti ndarjen e kësaj gjysmërie tënde? Ndoshta këtu, te ndarja, dallohet shkrimtari nga shruesit e tjerë, pasi arrin të ta bëjë realitetin e tij, si tëndin.

Në gjithë këtë, kujtesa është burimi themelor, vetë arti është kujtesë, pasi çdo mendim i yti, para se të hidhet në letër apo tastierë, ka qëndruar në mendjen tënde aq sekonda të mjaftueshme për të qenë kujtesë, një nocion ky që Orhan Pamuk e shqyrton gjatë në kryeveprën e tij “Unë jam e kuqja”, pavarësisht se atje flitet për miniaturën.

Por arti vepron me të njëjtat shenja, i çfarëdo forme qoftë. Forma e tij është artikulimi i kujtesës. Por ndryshe nga çdo lloj rrëfimi tjetër, poezia është më afër thelbit, për vetë ndërtimin e saj, mënyra si shkruhet, mënyra se si ta bart emocionin, “imponimi” akut që të bën duke ta bërë si gjënë tënde atë që s’është më shumë, veçse shkërbim i realitetit, qoftë edhe personal.

Në këtë gjë, poezia në artin e shkrimit, është superane: shkruhet më pak, lexohet më pak, kultivohet gjithnjë e më pak, dhe arkivohet më së shumti si kujtesë e ngrirë, që kur i afrohesh me mendime, të ringjall të njëjtin emocion që ke përjetuar dikur së gjalli.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura