Florida Beluli: Me biçikletë, e lehtë si një pupël!

Sep 30, 2013 | 14:53
SHPËRNDAJE

Florida Beluli, menaxherja e një atelieri mode.
Foto: Vlasov Sulaj
Në kuadër të javës sensibilizuese për përdorimin e biçikletave në vend të makinave personale dhe mjeteve të tjera të transportit publik, vjen shembulli i një vajze që pedalon në kryeqytet prej shumë vitesh…

Dikur i shihje ngjeshur bulevardit të Tiranës. Gra e vajza që drejtoheshin nëpër uzinat e fabrikat ku ishin të punësuara, ndërsa tingulli i ziles së rastit shpesh ndihmonte për të çarë turmën që lëvizte me të tillë mjet. Sot, të shohësh një vajzë që pedalon, është një ndjesi e rrallë, ose të paktën jo shumë e ndjekur nga brezi i sotëm, ku thuajse të gjithë të rinjtë i kanë sytë nga makinat, dhe, pse jo, autobusët e mjetet e tjera të transportit publik. Florida Beluli, e punësuar si menaxhere në atelierin e modës “Tatjana Isaj” në zonën e ish-Bllokut, është shembulli praktik i një vajze që nuk i ndahet biçikletës prej 10 vitesh. Nga historitë e fëmijërisë, që shpesh përfundonin me gjunjë të gjakosur, te dashuria e zgjatur në vite për të. Për 25-vjeçaren, të ngasësh biçikletën ka vetëm anë pozitive… Lëvizja është më e kollajtë, sepse shmang trafikun e ngjeshur, parkimi është çështje e zgjidhur ngase biçikleta zë vetëm 15% të vendit, gjithashtu duke vënë muskujt në lëvizje, pedalimi i vazhdueshëm ndihmon edhe në mbajtjen e trupit në formë, si edhe tonifikimin e tij. Listës së gjatë të të mirave që përftohen nga  biçikleta, i ka shtuar edhe një detaj të fundit, por jo të tillë për nga rëndësia: me biçikletë ajo është në kontakt me ajrin, ka ndjesinë e lirisë, dhe ndërsa pedalon, shpesh ndeshet rrugës me fytyra të njohura, ku nuk kursen as përshëndetjet e momentit. Me makinë ose autobus vështirë të sillet njësoj…
Me biçikletë, lëvizje e sigurt në Tiranë
“U vonova se kishte trafik rrugës” është një nga ato justifikimet që ajo nuk e përdor kurrë! Përdorimi i biçikletës e ndihmon të jetë e përpiktë çdo ditë në orarin e punës, si edhe në takimet e ndryshme ku duhet të jetë e pranishme, ndërsa gjatë viteve studentore as nuk bëhej fjalë që ajo të shkonte me vonesë në leksione dhe provime të rastit. Florida Beluli i ka “vjelë” të mirat e përdorimit të biçikletës shumë herët, ndaj edhe vazhdon prej 10 vitesh të mos i ndahet pedalimit të saj. “Biçikletën nuk e ndërroj me asnjë mjet tjetër transporti. Nuk besoj se dukem demode në hapësirat që përshkoj me të, ndërkohë që shumë mikesha të miat ngasin makina nga ato të thjeshtat e luksozet gjithashtu. Ka vetëm anë të mira pedalimi i biçikletës… Shkoj çdo ditë e përpiktë në orarin e punës, nuk vonohem në asnjë takim pune apo edhe në daljet me shoqërinë pasditeve. Është mjet favorizues, sidomos në llojin e trafikut që ekziston në Tiranë. Nuk kam kokëçarje për ta parkuar, sepse gjithmonë e ‘lidh’ pas vetes, në vendet që frekuentoj, dhe një tjetër detaj i rëndësishëm: nuk harxhoj para për karburant, as për mirëmbajtjen e saj. Thjesht, kur konstatoj që koha e punës i ka mbaruar, detyrohem të blej një të re”, thotë Beluli. Dashuria e saj për biçikletën është e hershme. Në fëmijëri thotë se ka qenë “tip çuni” dhe shpesh ua rrëmbente biçikletat shokëve të lagjes apo atyre të shkollës, për të bërë xhiro. Florida është disi më pak e kujdesshme ndaj faktorit ekologjik dhe idesë se përdorimi i biçikletës është një praktikë e pastër në mbrojtje të mjedisit, ndryshe nga makinat të cilat përhapin tymra në mjedisin përreth. Sepse pikësëpari, ajo ka listuar përfitimet personale… “Është shumë praktik pedalimi i biçikletës dhe po konstatoj që ka nisur të rritet numri i përdoruesve të saj. Të atyre që nuk e zgjedhin vetëm për çështje estetike, për t’u dobësuar duke ecur me biçikletë nga liqeni, por edhe të asaj kategorie që e shfrytëzon si mjet transporti”, vijon 25-vjeçarja. Por nuk mungojnë as problemet. Veshi i ka dëgjuar edhe ofendime nga ana e shoferëve të makinave e autobusëve, të cilët i janë hakërryer se pse ajo ka pedaluar në korsinë e tyre. Mungesa e këtyre të fundit përmes vijëzimeve të posaçme është një nga problemet akute të përdoruesve të biçikletave. “Jam zënë me shumë shoferë, të cilët më kanë bërtitur se pse u kam zënë rrugën, ndërkohë që lëvizja me biçikletë. Është një nga ato vështirësitë e pashmangshme, por që besoj se Bashkia e Tiranës në javën sensibilizuese kundrejt përdorimit të tyre po merr masat e veta administrative”, thekson ajo.
E lehtë pupël dhe e tonifikuar
Përdorimi i vazhdueshëm i biçikletës është zgjedhje më efikase dobësimi dhe tonifikimi për trupin. Ndryshe nga frekuentimi për disa orë i ambienteve të mbyllura, si palestra, qendra estetike dobësimi me metodat e masazheve dhe aparaturave elektronike, të qenët në kontakt përditë me natyrën, është një element i nevojshëm që e ndihmon procesin e rënies në peshë. “Kur pedaloj, muskujt e trupit, e sidomos ato të këmbëve dhe duarve, vihen në lëvizje të vazhdueshme. Kjo ndihmon në tonifikimin e fizikut dhe shpesh edhe në dobësim, sepse nëse e përdor për shumë vite biçikletën, fiton një praktikë të re të të mbajturit në lëvizje të gjithë muskujve të trupit. Personalisht, ndihem e lehtë si pupël mbi biçikletë, për vite me radhë pesha ime trupore është e njëjtë, lëviz vetëm me gramë dhe jam e kënaqur për linjat fizike që kam”, përfundon Beluli.

Moza Mevlani, instruktore palestre
Përdorimi i biçikletës dhe efeket fizike
.   Lëvizja me biçikletë bën mirë për shëndetin. Përdorimi i saj për një kohë të gjatë ndihmon që të bësh një gjumë të qetë. Ushtrimi në natyrë, ambiente të jashtme të ekspozuara në dritë natyrë, bën që kortizoli, hormoni shkaktar për stresin, të pakësohet deri në zhdukje, duke ndihmuar për një gjumë çlodhës.

.   Përdorimi i moderuar i biçikletës ndikon në çlirimin e endrofinës në trurin tonë: këto janë substanca kimike që forcojnë humorin e mirë dhe vetëbesimin. Një arsye më shumë për përdorimin e biçikletës rrit fuqinë mendore, përmirëson tretjen, koordinon ritmin e zemrës, rrit qarkullimin e gjakut, shpërndan në mënyrë efektive oksigjenin, çliron toksinat jashtë trupit.

.   Ata që pedalojnë rregullisht, kanë të njëjtin nivel të mbajtjes në formë të fizikut me njerëzit 10 vjet më të rinj se vetja. Tonifikohen të gjithë muskujt e këmbëve, pulpat, kofshët dhe të ndenjurat, por nuk mbeten pas as muskujt e shpinës. Bëhet djegia e yndyrave dhe përmirësimi i sistemit kardiovaskular që sjell një formë të bukur fizike dhe djegia e kalorive bëhet në intervale më të shpejta se në çdo formë tjetër, duke prekur mirë dhe muskujt e abdominalit (barkut). Kënaqësia që provon në dhënien e biçikletës në ajër të pastër, duke shmangur gjithmonë zonat me trafik, është një lloj sporti që lufton dhe parandalon sëmundjet kardiovaskulare të trashëguara gjenetikisht, stresit, rehabiliton personat me probleme si duhanpirja etj. Për të pasur rezultat në të mirat që ka të ngarët e biçikletës, që është një sport rezistent, duhet pedaluar në mënyrë graduale për ata persona që startojnë për herë të parë e më tutje.

.   Alternimi i të dyjave, i palestrës dhe pedalimit, është një kombinim fantastik për furnizimin e trurit me oksigjen dhe është e qartë që përfitimet me marrjen e këtyre aktiviteteve sportive janë të pafundme duke marrë një impakt pozitiv, duke rritur kreativitetin e duke dhënë hapësirë e frymëmarrje larg jetës së përditshme. Për të mbajtur doktorin larg, këshilla më e mirë është aktiviteti i moderuar fizik, i cili mban aktive qelizat imunitare, të cilat janë në gatishmëri të luftojnë infeksionin, diabetin, çrregullimet e presionit të gjakut, ku trupi ynë do të jetë i parapërgatitur në vetëmbrojtje apo rigjenerimin e qelizave. Të pedalosh 30 minuta ose 40 minuta në ditë, përfiton dy shanse, të cilat janë:
a) Lufta ndaj obezitetit
b) Përmirësimi i shëndetit vaskular

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura