Flet “profesori” Andrea Pirlo: Italia është shumë e uritur

Jun 27, 2016 | 10:17
SHPËRNDAJE

Për të parën herë pas 12 vitesh, Italia rikthehet të luajë një kompeticion të rëndësishëm pa pasur në fushë “profesorin” Andrea Pirlo. Të kaltrit nuk mund ta dinë sa larg do të shkojnë në “Euro 2016”, por e sigurt është se në mesfushë u mungon “drita” e ish-futbollistit të Interit, Milanit dhe Juventusit.

Ky i fundit, gjatë një interviste për të përditshmen italiane “La Gazzetta dello Sport”, ka veshur “kostumin” e analistit, teksa ka folur për përballjen e sotme mes përfaqësueses së drejtuar nga Antonio Konte dhe Spanjës, kampionia në fuqi.

Andrea Pirlo

Pirlo, luhet sërish Itali-Spanjë. Mendoni se kjo sfidë ka ardhur shumë shpejt?

Mendoj se po. Spanja duhet të ishte renditur e para në grupin e saj dhe ndoshta këto dy përfaqësuese do të përballeshin në finale. Italia do të kishte mundësinë më të mirë për revansh pas humbjes në finalen e “Euro 2012”.

I druheni Spanjës?

Sipas mendimit tim, Spanja nuk e ka të lehtë të luajë ndaj Italisë, veçanërisht kundër kësaj skuadre.

Kjo do të thotë se nuk janë ata favoritët?

Janë, pasi deri më tani kanë prodhuar futbollin më të bukur në Francë. Në ndryshim nga viti 2012, ku Spanja ishte pothuajse e pamposhtur, sot mendoj se Italia ka më shumë shanse.

Cila është pika më e fortë e Spanjës?

Është skuadra më e mirë për sa i përket zotërimit të topit. Kjo veçori u mundëson që të marrin menjëherë në dorë kontrollin e lojës. Nuk është rastësi që klubet spanjolle po dominojnë Europën me futbollin e tyre.

Ksavi deklaroi disa ditë më parë se Italia është një miks midis Atletikos dhe Barcelonës. Ju ndani të njëjtën pikëpamje?

E kam lexuar deklaratën e Ksavit dhe menjëherë mendova: po, ka të drejtë. Italia di të mbrohet mirë si Atletiko dhe sulmon me agresivitetin e Barcelonës, në mënyrë të organizuar dhe çdo lojtar e ka shumë të qartë se ku duhet ta çojë topin.

Çfarë ju ka pëlqyer më shumë tek të kaltrit deri më tani?

Kam parë atë që prisja. Jam stërvitur tri vite nga trajneri Antonio Konte dhe, duke punuar çdo ditë me skuadrën, ajo përfiton imazhin e tij.

Ku e shikoni më shumë dorën e Antonio Kontes?

Në organizim. Antonio nuk shikon në sy asnjë, të gjithë lojtarët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë, pasi ai kujdeset për çdo detaj. Konte të jep siguri dhe ekipi i tij mund të të ndëshkojë nga çasti në çast, pasi punon shumë në çdo aspekt.

A ekziston “shpirti luftarak” që veçonte Italinë e vitit 2006 te skuadra e sotme?

Për atë që shoh unë po, edhe për ata çka dëgjoj kur flas në telefon me Bufonin dhe De Rosin. Në ditët e fundit kemi folur shumë me njëri-tjetrin dhe kam marr sinjale inkurajuese nga grupi. Mendoj se po lind diçka e rëndësishme dhe kam shumë besim se Italia mund të bëjë surprizën në këtë Europian.

Cila është fytyra që mund të pasqyrohet imazhi i përfaqësueses italiane?

Ajo e Bufonit. Në çdo moment shikon në sytë e tij dëshirën e madhe për të fituar dhe për të ndërtuar diç- ka të rëndësishme. Ai të inspiron dhe të bën të ëndërrosh.

Po te përfaqësuesja spanjolle?

Iniesta. Ka fytyrën e një njeriu të qetë dhe është gjithmonë i sigurt për atë që bën në fushën e lojës.

Pyetja e fundit, ka më shumë nostalgji Pirlo për Kombëtaren apo është ajo që ka nostalgji për Pirlon?

Mendoj se e kam bërë atë që duhet të bëja për Italinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura