Fitorja me përmbysje, Inzagi: Korrea qershia mbi tortë, ka shumë për të dhënë

Aug 28, 2021 | 8:38
SHPËRNDAJE

Interi vijon rrugëtimin në sezonin për të mbrojtur Skudeton dhe Simone Inzagi del i lumtur nga transferta në Verona, sidomos kur përmbysja erdhi nga stoli. Për “Sky Sport”, trajneri u shpreh i lumtur për organikën në dispozicion dhe për reagimin e të tijve këtë ndeshje.

Simone Inzagi

FITORJA – “Ka qenë një fitore e vuajtur. Kemi interpretuar mjaft mirë ndeshjen, por më pas pësuam golin dhe bëmë shumë pak në gjysmorën e parë. Sigurisht, për këtë ka meritë edhe Verona. Më pas jemi riorganizuar dhe u treguam të zotët duke shënuar shpejt golin e barazimit me Lautaron.

Zëvendësimet na dhanë diçka më shumë. Është një fitore që në fund nuk ka rëndësi se sa vuajtëm për ta marrë, por jua pata thënë djemve që do të ishte e vështirë. Edhe vjet, Interi vuajti ndaj Veronës në të dyja ndeshjet. Edhe këtë vit kanë një trajner të shkëlqyer. Ishin agresivë, por meritë e jona që ia dolëm të marrim 3 pikët nga kjo transfertë”.

GOLI I PËSUAR – “Iliç u tregua i zoti me presionin që bëri. Pasimi i Samirit duhet të ishte më i mirë, ndërsa edhe Brozoviç duhet të bënte më shumë, megjithatë, skuadra më pëlqeu në interpretimin e lojës. Me Barelan e Çalhanoglunë kishte diçka që nuk shkonte, teksa ishin të bllokuar shumicën e kohës”.

KRAHASIMI ME KONTEN – “Unë jam i kënaqur për këtë që shoh çdo ditë. Do ta doja në fushë Hakimin, ndërsa Lukakun e kam stërvitur një javë dhe ishte impresionues. Pastaj iku duke bërë zgjedhjen e tij. Jam me fat që jam në një klub që reagoi shpejt për të më dhënë një organikë konkurruese.

E dinim që kishte probleme dhe objektivi ishte që të rivendosej siguria ekonomike e klubit. Tashmë e kemi arritur atë dhe punojmë me entuziazëm të madh. Shumë i lumtur që të drejtoj këtë ekip. Radhën e ka Sampdoria dhe debutimi në Champions dhe më pas”.

KORREA E TIFOZËT – “Më bëjnë të ndihem mirë. Tifozët më kanë mirëpritur në mënyrën më të mirë, pastaj flet fusha, por i falënderoj sepse nuk kanë reshtur së mbështeturi dhe kjo fitore është edhe për meritën e tyre. Jam i lumtur për ‘Tukun’, por ende nuk e ka shfaqur më të mirën.

Ka gjithçka: cilësi, shpejtësi, teknikë, gjuajtje dhe potencë. Kjo dopietë i vlen shumë në debutim. Ju thashë që është qershia mbi tortë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura