Financieri i Habilajve mbetet në arrest shtëpie, pritet gjykimi

Sep 9, 2018 | 10:29
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit në Katania ka konfirmuar masën e sigurisë së caktuar nga Shkalla e Parë atje për Nezar Seitin, i konsideruar nga Prokuroria italiane si krahu i djathtë i Moisi Habilajt dhe njëherësh “financieri” i bandës.

seiti-800x450

 

Kështu, në fund të muajit gusht, Seiti u la në “arrest shtëpiak” në një seancë për rivlerësim mase. Prokuroria e Katanias e apeloi vendimin dhe tashmë, Apeli vendosi që Seiti do të qëndrojë në arrest shtëpiak deri në përfundim të gjyqit. Procesi ndaj bandës së Moisi Habilajt pritet të nisë brenda këtij muaji. Seiti, megjithatë, ende nuk është liruar nga qelitë e paraburgimit, për shkak se ende nuk i është vendosur byzylyku elektronik. Mbrojtja e Seitit pretendon se ai ka pasur një rol periferik te banda e Moisi Habilajt. Sipas tyre, ai ka qenë thjesht një i punësuar dhe ka dalë në skenë tepër vonë. Mirëpo, në dosjen e Prokurorisë së Katanias, ai përmendet si i rëndësishëm dhe ka qenë subjekt nën përgjim. Në dosje ai përmendet si një ndër dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Moisi Habilajt. Seiti përmendet në dosje edhe me nofkën “Gazepi” dhe ka pasur role organizative në grupin e strukturuar. Ai ndihmonte grupin në logjistikë, duke siguruar karburantet për skafet, me të cilët kryej transporti i drogës, si edhe kryente transferta parash për dërgesat. Ai ka dalë në skenë në përgjimet që janë bërë në vitin 2015 e pas, ku sipas dosjes, Seiti ka qenë mjaft aktiv dhe ka udhëtuar disa herë nga Shqipëria drejt Italisë për t’i ardhur në ndihmë Moisi Habilajt. Për të ka me dhjetëra biseda të përgjuara, ku flitet për skafe, karburante, si edhe për transportin e drogës dhe çmimin e tregut të zi për të. “Nga përgjimet që kemi bërë, dalim në përfundimin se nga qershori i vitit 2015 e më pas, dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Moisi Habilajt janë Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti. Sulaj dhe Seiti ishin në krye të transfertave që kryheshin nga Shqipëria në Itali, edhe për llogari të Angelo Busacca-s”, shkruhet në faqen 342 të dokumentit të dalë nga Prokuroria e Katanias. Në një bisedë me Sulajn, Seiti thotë se “nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”. Bëhet fjalë për një bisedë të regjistruar në janar të vitit 2017. Materiali ka plot biseda mes tij dhe Moisi Habilajt, të regjistruara kryesisht në një automjet, me të cilin lëviznin.

Moisi Habilaj në seancën e funit gjyqsore në Gjykatën e Katanias
Moisi Habilaj në Gjykatën e Katanias

EKSTRADIMI

Nezar Seiti, i cili u arrestua në Shqipëri në fund të vitit të kaluar, shihej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si dëshmitar kyç në hetimet për ishministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Megjithatë, në janar të këtij viti, Seiti u ekstradua në Itali mes shumë polemikash. Ky ekstradim u bë edhe pjesë e një hetimi nga Prokuroria e Durrësit me urdhër të Kryeprokurores Marku. Ishkreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdaramtaj, i cili është njëherësh edhe prokuror i dosjes “Tahiri”, në një prononcim për “Panoramën”, thoshte në janar se ekstradimi i Seitit nuk duhet të ndodhte, pasi për të, Krimet e Rënda kishin nisur procedim penal. Nga ana tjetër, hetimi i Prokurorisë së Durrësit nxori se vendimi i Gjykatës së Tiranës, që i tha po ekstradimit të Seitit nuk ka shkelje dhe ishte tërësisht i bazuar në ligj. “…Vendimmarrja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për miratimin e ekstradimit është e drejtë dhe e bazuar në ligj. Ajo çfarë ka sjellë problematikën e rastit objekt hetimi është arsyetimi i vendimit gjyqësor, ku thuhet se nuk ekziston asnjë nga pengesat ligjore të parashikuara nga neni 491 i Kodit të Procedurës Penale, pa bërë një verifikim paraprak” thuhet në vendim.

Dosja “Tahiri”/ Afati tremujor i hetimeve skadon në muajin tetor

Saimir Tahiri

Në tetor të këtij viti do të skadojë edhe afati tremujor i radhës për hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokuroria e Krimeve të Rënda është në garë me kohën për të sjellë prova të reja, në mënyrë që të bindë Gjykatën për zgjatjen me tre muaj të hetimeve për ish-ministrin. Megjithatë, hetimi pasuror i nisur për Tahirin, familjarët dhe dy shoferët e tij nuk ka nxjerrë në dritë asgjë. Të gjitha pasuritë e hetuara nga Krimet e Rënda janë të justifikuara nga ana e ishministrit të Brendshëm. Tashmë, Prokuroria është përqendruar në gjetjen e aseteve të fshehura, nëse ka të tilla. Ndërkohë, ish-ministri vijon të qëndrojë në “arrest shtëpie”, edhe pse Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë që Tahiri të rikthehet në qeli. Gjykata e Apelit vendosi që të pranojë kërkesën e palës mbrojtëse, duke shfuqizuar vendimin e gjyqtares Baku, që e la në “arrest shtëpie” ish-ministrin Tahiri. Sipas Gjykatës, Tahiri nuk rrezikon të largohet, nuk mund të prishë provat e Prokurorisë dhe nuk mund të përsërisë të njëjtat vepra penale.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura