Fier, 100 banorë zbulojnë pas 20 vitesh se janë pronarë tokash. Akuzojnë komunën: E dinte. Do kishim bërë pasuri me to

Apr 15, 2015 | 11:41
SHPËRNDAJE

FIER- Mbi 100 banorë të fshatit Grecalli në komunën Qendër të Fierit, kanë mësuar se prej 20 vitesh ishin pronarë tokash, por që deri më sot, ata nuk kishin dijeni për këtë fakt. Është dashur që të kalojnë punonjësit e projektit TAP në këtë zonë, ku do të kalojë edhe tubacioni, që banorët të mësonin se do të shpronësoheshin për disa hektarë tokë bujqësore që deri më sot as nuk e dinin se ekzistonte në emër të tyre.

Banori Koci Beha

Banorët mësohet se ishin njoftuar për këtë fakt para dy muajsh nga punonjëist e TAP, të cilët i ishin referuar listës që gjendej pranë hipotekës në Fier. Në njoftim banorëve u kërkohej të plotësonin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë dëmshpërblim në kuadër të shpronësimeve që po bën TAP-i për tokat që zë aty ku kalon.

Pasi janë çuditur nga ajo që kanë dëgjuar dhe dokumentet që u ishin lënë në dorë, banorët kanë kërkuar sqarime në Komunë. Pas verifikimit të formularit nr 6, që quhet formulari i banorëve që kanë në pronësi tokat bujqësore të ndara sipas ligjit 7501, rezultoi se ata nuk figuronin fare në të, por në kadastër quheshin si pronar të ligjshëm.

‘’Ne nuk kemi dijeni fare se cfarë ka ndodhur me këto toka. Sot marrim vesh që qenkemi pronar, kur ne për 20 e ca vjet do kishim bërë pasuri me këto tokat sepse ato janë toka pjellore dhe produktive. Se dime se ku ka çaluar puna, por organet kompetente të na japin sqarime. Do kishim marrë hipotekën e tokës dhe nuk kemi aplikuar sepse nuk e dinim fare që kishim toka. Tani që na i kërkon TAP-i ne s’kemi dokumentat’’, ka thënë banori Koci Beha.

Nga ana tjetër kryetari i komunës Qendër, Harilla Mile thotë se komuna nuk ka patur dijeni për këtë situatë. Ai ka pritur banorët që protestuan sot pranë komunës, duke i sqaruar se nuk ka lidhje komuna me ndarjen e tokave.

‘’Ju sqaroj edhe njëherë qytetarëve se komuna nuk ka dijeni se cilët janë pronarë dhe cilët jo në këtë hapësrë toke. Ne nuk kemi ndarë tokë bujqësore. Tokat bujqësore u ndanë nga komisioni i ndarjes së tokës dhe kjo cështje nuk i përket komunës, edhe pse më duket mister kjo çështja e pronësisë në këtë zonë’’, ka thënë ndër të tjera Mile.

Banoret e Fierit sot ne proteste

Mësohet se janë rreth 50 ha tokë të lëna djerrë, të cilat prej 20 vitesh nuk janë shfrytëzuar pasi nuk dihej se të kujt ishin. Në rregjistrin kadastral të ZRPP rezultojnë se kanë marrë nga 2 dynyme për frymë rreth 100 familje nga fshati Grecalli, me afërsisht 50 ha tokë djerrë në një fshat fqinj.

Në Fier nga projekti TAP preken 5 komuna dhe fermerët do të kompesohen për tokën ku po bëhet invetsimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura