Festivali i verës shqiptare, 28 kantina në garë

Nov 30, 2012 | 10:25
SHPËRNDAJE

TIRANË- Hapet në Tiranë me mbështetjen e Bashkisë së kryeqytetit festivali i verës shqiptare. Në ceremoninë e hapjes ka folur ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili ka deklaruar se në garë do të jenë 28 kantina.

Sipas tij, synohet prodhimi i një vere cilësore që nxirret nga varietetet e rrushit shqiptar, që vec cilësore duhet të jetë edhe origjinale, që të identifikohet me vendin.

“Vera është një ndër simbolet përfaqësuese të kombeve që prodhojnë verë, jemi krenarë edhe për verën. Shqipëria është një vend mesdhetar i brezit të artë gjeonatyror të kultivimit të verës, është toka, dielli dhe uji dhe vreshti, ky kuartet nuk i ka munguar Shqipërisë për të qenë prodhues i verës së mirë”- tha Ruli.

Sipas tij, tradita jonë në produktin e këtij produkti nuk është as e gjatë e as e konsoliduar. Kjo sepse, bujqësia jonë është e dominuar nga parcelat e vogla që s’jepnin mundësi për zhvillimin e vreshtave të mëdhenj.

Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha ka ftuar shqiptarët ta vizitojnë panairin.

“Vizitojeni dhe fusni në koleksion dicka që do të ketë vlerë të pakrahasueshme, verën e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Jam i bindur se sasia totale e verës së prodhuar do të jetë e pamjaftueshme për të kënaqur dëshirën e qytetarëve për ta provuar atë në festat e fundvitit, apo për ta ruajtur për më vonë”- tha Basha .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura