Fatos Klosi i përgjigjet Izet Haxhisë: Çfarë më thanë vrasësit e Azemit, arsyet pse e ekzekutuan (E plotë)

Mar 1, 2018 | 17:08
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i përgjigjet ish-truprojës së Presidentit Berisha, Izet Haxhia, duke i cilësuar të pabaza akuzat e tij. Sipas tij, Izetit i pëlqen të dalë në media dhe kërkon të tërheqë vazhdimisht vëmendjen.

klosi-izet-haxhia

Sipas tij, Izetit i pëlqen të dalë në media dhe kërkon të tërheqë vazhdimisht vëmendjen. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Klosi, duke folur për gjyqin e Azem Hajdarit, shprehet se Izet Haxhia duhet të kishte folur gjatë kohës që zhvillohej gjyqi, tani është vonë dhe dëshmitë e tij nuk do të mund të ndryshojnë asgjë. Sipas Klosit, vrasësit e Azem Hajdarit i kanë thënë se ishin në hakmarrje me të, por Berisha kishte interes nga eliminimi. Në lidhje me akuzat e Berishës për spiun të një prej negociatorëve të marrëveshjes së detit me Greqinë, Klosi shprehet se ka ikur koha e spiunëve, Shqipëria nuk ka më sekrete, për sa kohë është në NATO dhe kur Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme është plot me këshilltarë të huaj.

Ish-Kryeministri akuzoi si spiun një nga anëtarët e grupit negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë. Duke qëndruar te bota e spiunazhit, çfarë profili ka sot një spiun?

Në një libër vërtet shumë të bukur që ka bërë ish-shefi i shërbimit italian, i cili ka qenë shef shërbimi dhe gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj, jep një situatë vërtet interesante. Ai thotë nuk ka më kuptim termi ‘spiun’, nuk ka më sekrete. Sipas tij, kur merrnim vesh se dikush punonte për rusët, ne ua thoshim atyre se ky agjent i tyre është dekonspiruar. Dhe vetë rusët e largonin një ditë më vonë në një shërbim tjetër. Sekretet sot i ka më shumë teknologjia se sa shtetet. Rusët, për shembull, prodhojnë dhe shesin avionët e fjalës së fundit të teknologjisë së tyre dhe në momentin që shiten, janë në dorë të blerësit dhe nuk ka më sekrete për këtë lloj avioni. Të njëjtën gjë bëjnë dhe amerikanët. Spiunë brenda NATO-s jo se nuk ka, sepse janë evidentuar, janë ankuar edhe gjermanët dhe e kanë përzënë një amerikan. Mendoj se është e rëndë për atë shtet, për të cilin pretendohet se personi është spiun, nuk e di, mund të jetë shërbimi grek apo amerikan, nuk i di detajet, por t’i thuash spiun dhe për këtë arsye ne nuk e vëmë në delegacion?!! Spiunazhi nuk është aq kollaj të vërtetohet, se hëngri një drekë apo u bë një takim me një atashe të huaj dhe ky të quhet argument për ta cilësuar spiun, më duket e rëndë.

Nuk shikoni një paradoks kur ky person nga njëra anë cilësohet spiun dhe nga ana tjetër punon si këshilltar pranë zyrës amerikane në Kabul, i pajisur me certifikatë sigurie të NATO-s?

Nëse është, ai spiun i një vendi të NATO-s është. Me NATOn ai është në rregull, problemin e gjejmë brenda nesh. Nuk di të them, mua më vjen për të qeshur kur dëgjoj për spiunë në këtë kohë. Nuk e di se çfarë i ka mbetur Shqipërisë sekret për t’u ruajtur. Ne, në momentet më të vështira, na kanë ardhur grekët, italianët, gjermanët, për të mbajtur qetësinë në Shqipëri. Një shtet i tillë që krijon situata të tilla, nuk e di se çfarë sekretesh i kanë mbetur. Një herë, një drejtues i lartë i një shërbimi perëndimor më ka thënë: Fatos, duhet t’ua bësh të qartë drejtuesve të vendit tënd se ju jeni vend i vogël, as na prishni dhe as na ndreqni punë. Por një gjë nuk duam që të na e bëni përsëri: Të na detyroni të vijmë të mbajmë qetësinë! Ne duam një njeri në krye, që garanton stabilitet. Ne aktualisht kemi shumë këshilltarë të huaj në dy ministritë më të rëndë- sishme, në atë të Mbrojtjes dhe të Brendshme. Ku janë sekretet tona?! Se duhet të kesh sekrete që të prodhosh spiunë!! Loja me spiunë është lojë e Berishës, që vetëm ai mund t’i thotë. Berishës nuk i pëlqen që Rama po bën një marrëveshje të re me grekët, ndërkohë që marrëveshja që ai bëri në 2009, u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është pjesë e luftës së tij politike, por marrëveshja e kufirit është shumë serioze dhe nuk duhet përfshirë në luftën politike. Puna e grupit negociator do të jetë një punë kolektive, anëtarët e grupit nuk do të punojnë në mënyrë individuale. Në fund, drafti përfundimtar i marrëveshjes do të tregojë se sa spiunë ka pasur grupi negociator. Unë, nga qeveria ime, do të doja pak më shumë transparencë, edhe pse nuk jemi ende në negociata. Por Gjykata Kushtetuese aty është, po rinovohet dhe nëse shihet se ajo cenon interesin kombëtar, mund të dërgohet edhe kjo në Gjykatën Kushtetuese.

Si e shihni qëndrimin e Presidentit Meta për kërkesën për autorizim e bërë nga ministri i Jashtëm?

Unë mendoj se Presidenti bëri shumë mirë që kërkoi informacione shtesë, por dhe emrat e grupit që do të negociojë. Nëse është e shkruar kjo kompetencë e tij, është më mirë që edhe Presidenti të bëhet pjesë e negociatave, që të kemi garanci më të mëdha për produktin, marrëveshjen. Kjo do të garantojë se probabiliteti për të bërë një gabim, është më i vogël. Në lidhje me rihapjen e disa dosjeve, një prej të cilave pritet të ndodhë më ekstradimin e Izet Haxhisë. E kam fjalën për dosjen Hajdari. Si e shikoni, a mund të rihapet ajo dosje? Unë kam thënë se ato që shkruan Izet Haxhia, nuk kanë bazë sepse ai nuk ka qenë në dijeni të gjërave. Këtë, se sa të vërteta janë ato që shkruan, e kam vërtetuar me atë që shkruan për mua. Thjesht për Izetin ky është bërë një sport i dashur, për të qenë në vëmendje të opinionit publik dhe mediave. Këto gjëra që Izeti i thotë sot, duheshin thënë atëherë, kur ishte gjyqi i Azemit. Ai mund ta përballonte gjyqin siç e përballuan vëllezërit e tij.

A mund ta rihapë gjyqin Izet Haxhia?

Po, ai mund ta rihapë sepse nuk ka qenë prezent kur është dënuar dhe është dënuar në mungesë. Mund ta rihapë për t’u dëgjuar, tjetër gjë se çfarë argumentesh dhe provash do të thotë. Por unë nuk besoj se kjo do të përmbysë ndonjë gjë. Sepse shumica e njerëzve nuk janë gjallë. Ata që e vranë, vërtet nuk janë. Jaho është në burg dhe ai nuk ka folur dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Them se është e vështirë të ndryshojë ndonjë gjë në atë gjyq.

Ju, Izet Haxhia ju akuzon si pjesë e ‘grupit të Rognerit’. Kush ishte pjesë e këtij grupi?

(Qesh) Më morën nga Prishtina dhe më thanë, mos u bëj merak se çfarë shkruan Izet Haxhia. Më mirë se të tjerët, e di unë se çfarë kam bërë në punën time. Kur nuk u merakosa kur dola para Komisionit Hetimor Parlamentar, kur i kisha të gjithë kundër, kur kisha dhe Nanon dhe Berishën përballë sepse ishin në periudhë mjalti mes tyre, e jo më tani me Izetin. Atëherë nuk pata asnjë merak se isha i qartë se çfarë kisha bërë me detyrën time.

Me kë keni biseduar në Prishtinë?

Me drejtuesit e lartë të UÇK-së, që sot janë politikanë të lartë. Ata shkonin keq në atë kohë me njëri-tjetrin. Dhe u thashë, unë nuk ju kam parë ndonjë herë të tre bashkë, kush ka qenë ky ‘grupi i Rognerit’?! Në zyrën time jeni mbledhur, por ju kam detyruar unë që të bëheni bashkë për të mirën e punëve, por ju nuk rrinit bashkë!! Personi që fola, qeshi dhe më tha mos u merakos nga këto deklarata.

Nga emrat që përmend Izet Haxhia, ju keni pasur konflikte me dikë apo dhe me familjarët e Izetit?

Asnjëherë, me askënd. Unë jam takuar njëherë me një nga vëllezërit e Izetit, i cili ishte polic rrugor në Durrës. Më kërkoi ndihmë, që unë ta ndihmoja për të ikur nga Shqipëria si familje. Ishte koha kur hetimet ishin në proces. Pranova ta takoj, e dëgjova dhe i thashë do bisedoj. Unë fola me italianët, se ata ishin më disponibël dhe ata më thanë po, i pranojmë ne. Por, pas disa ditësh, ata dolën në shtyp dhe thanë se Fatosi na ka propozuar që të vrasim Berishën, na dha dhe snajpera!!! (Qesh)

Izeti ju vendos ju në një pozicion me Berishën për çështjen Hajdari, por dhe luftën e Kosovës…

Është qesharake. Në fillim, Berisha pretendonte se kishte qenë Fatos Nano, ai që kishte urdhëruar vrasjen e Azem Hajdarit, ekzekutori isha unë përmes Haklajve. E imagjinoni Fatos Nanon të merrej me vrasje politike, ata që e njohin nga afër e kuptojnë mirë. Kur unë isha në Komision Hetimor Parlamentar, Berisha, i cili ishte miqësuar me Nanon, tha se nuk kishte urdhëruar Nano, por Rexhep Meidani. Dhe unë e pyeta Berishën: Çfarë përfitonte Rexhep Meidani nga vrasja e Azem Hajdarit?! I vetmi njeri që rrezikohej nga Azemi, ishte Berisha. Azemi nuk prishte asnjë punë nga e majta. Vrasësit më kanë thënë se ne me Azemin ishim në hakmarrje, por Berisha kishte interes nga ai eliminim. Bashkëpunuam të dyja palët dhe u krye. Në mënyrë të përsëritur Berisha ka deklaruar se kur të vijmë në pushtet, do ta zbardhim dosjen “Hajdari”. Unë Berishës i kam kërkuar publikisht që të rihapë gjyqin e Azemit. Por ai, për 8 vjet në pushtet, nuk e preku me dorë dhe vazhdon të thotë se Azem Hajdarin e ka vrarë Fatos Klosi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura