Familjarët e Aleks Nikës takojnë raporterin e PE: Të zbardhet krimi

Jan 11, 2015 | 14:07
SHPËRNDAJE

Knut Fleckenstein
Familjarët e Aleks Nikës, që humbi jetën më 21 janar të viti 2011, janë takuar dje me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Takimi ka ardhur si kërkesë e familjarëve të Aleks Nikës, të cilët për 30 minuta kanë njohur eurodeputetin me moszbardhjen e së vërtetës së vrasjes dhe dënimit të autorëve. Rajmonda Nika ka theksuar pas takimit me eurodeputetin gjerman se ka kërkuar prej tij ndihmë për ngritjen e çështjes së bashkëshortit të vrarë në Parlamentin Europian. “Ne i kërkuam eurodeputetit ndihmë që ta ngrejë çështjen e Aleksit në Parlamentin Europian. Nuk shoh që po bëhet një zgjidhje për këtë krim që është bërë. Po bëhen 4 vjet dhe drejtësia nuk është duke luajtur vendit fare. Eurodeputeti na siguroi që çështjen do ta çojë, do t’ia drejtojë Parlamentit Europian që të bëhet drejtësi dhe gjërat të vendosen në vendin e vet”, tha dje Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës. Ndërkohë që Mark Nika, xhaxhai i të ndjerit, është treguar më i ashpër në deklarata, duke thënë se gjyqtarët janë në aleancë kriminale me njëri-tjetrin. “Ne e informuam se gjyqtarët janë në aleancë kriminale me njëri-tjetrin për shkak se janë të emëruar nga familja Berisha pikërisht nga ai person që ne dyshojmë si vrasës dhe ekzekutor i masakrës së 21 janarit. Që në fillim ne kemi informacion se arma e ekzekutimit të Aleksit është identifikuar dhe i përket ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Pas kësaj, me sa duket ata u penduan në konkluzionet që dhanë dhe u arrit që të ndryshohet tyta e armës nga e Ndrea Prendit tek ajo e shoferit të tij. Kjo me qëllim mos të dalë e vërteta”, tha Mark Nika.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura