Falimentimi, Greqia mund të “dëbohet” nga Schengen

May 31, 2012 | 13:39
SHPËRNDAJE

Banka Nacionale e Greqisë

Sondazhet favorizojnë radikalët e majtë, Banka me humbje rekord.

Greqia rrezikon të shpallë gjendje të jashtëzakonshme nga situata financiare e krijuar në vend, dhe nëse kjo ndodh, Bashkimi Europian mund të vendosë kontrollet kufitare duke e nxjerrë vendin nga lista “Schengen”.
Sipas burimeve për të përditshmen austriake “Standard”, zyrtarë të nivelit të lartë në BE po shqyrtojnë shumë opsione për skenarë të ndryshëm që mund të ndodhin në Greqi, duke parashikuar “dëbimin” nga zona pa kufij në rast falimentimi, me argumentin e rrezikut të sigurisë edhe në vendet e tjera europiane. “Të gjitha shtetet në BE po përgatiten për këtë mundësi”, shkruan “Standard”, duke theksuar më tej se “Mbyllja formale e kufijve nuk do të ishte problem më i madh nga dalja e diskutuar e Greqisë nga eurozona, e cila nuk është parashikuar në marrëveshjet e BE-së. Ndërsa në marrëveshjen e vendeve të përfshira në ‘Schengen’ ekzistojnë rregulla të qarta, të cilat do ta mundësonin këtë masë për të garantuar sigurinë. E gjitha varet nga rruga që do të marrë Greqia pas zgjedhjeve të 17 qershorit. Sondazhet e fundit kanë treguar rikthimin në krye të preferencave për Syriza, radikalët e majtë të cilët janë kundër reformave të BE-së për masa kursimi. Rezultatet e sondazhit nxjerrin në krye të listës koalicionin e Alexis Tsipras me 30 për qind, i cili pasohet nga konservatorët e Antonis Samaras me 26.5 për qind dhe sërish, në vend të tretë PASOK, i Evangelos Venizelos me 12.5 për qind. Europianët e kanë bërë të qartë se nëse Greqia nuk i kryen obligimet e saj ndërkombëtare, atëherë të gjitha marrëveshjet financiare me të do të ndërpriten. Kjo do ta çonte vendin drejt falimentimit të sigurt. Situata ekonomike në këtë vend është edhe më e vështirë nga sa ishte parashikuar. Banka Kombëtare Greke, huadhënësi më i madh në këtë vend, ka publikuar humbjet e tremujorit të parë të vitit. Humbja neto ishte 537 milionë euro pas një përfitimi prej 157 milionë eurosh një vit më parë, sipas një deklarate dërguar me faks nga banka në Athinë. Vetëm humbjet nga tregtia në tremujorin e parë ishin 271 milionë euro, thuhet në deklaratën e bankës.

“Taksat” e Legarde
Kryetarja e FMN-së, e cila ka të ardhura prej rreth 350 mijë eurosh, nuk paguan asnjë taksë. Lajmi u publikua një ditë pasi sulmoi popullin grek për evazion fiskal. Kristine Legarde ka provokuar reagime të ashpra me deklaratat e saj, pasi fajësoi qytetarët grekë për krizën ekonomike pasi “përpiqen gjithnjë t’u shpëtojnë taksave”. Tani u zbulua se francezja e divorcuar 56-vjeçare ka një kontratë që e “bekon” atë pa detyrime taksash. Dhe jo vetëm kaq, në kontratën e saj pesëvjeçare ajo përfiton rritje page çdo muaj korrik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura