Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, prehje në hapësirën e gjelbër të Kryeministrisë

Jun 20, 2019 | 9:45
SHPËRNDAJE

Pasi janë mbushur 40 vjet që nga pushkatimi i tyre, dy ishgazetarët e “Radio Tiranës” e kanë më në fund një vend, ku familjarët t’u vendosin një tufë lulesh në përvjetore.

Fadil-Kokomami-dhe-Vangjel-Lezhos-dy-martirë-të-Radio-Tiranës

Hapësira e gjelbër pas godinës së Kryeministrisë do të quhet tanimë “Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho”, në nderim të aktit vetëflijues të dy intelektualëve idealistë, në emër të fjalës së lirë. Një nismë e Kryeministrit Edi Rama, për t’u dhënë vlerësimin e merituar këtyre figurave, këtyre dy burrave, që në moshë fare të re, guxuan t’u shkruajnë udhëheqësve të kohës, t’ua përplasin ballazi të vërtetat e hidhura dhe zhgënjimin prej shndërrimit deri në krim të idealeve të tyre.

Ceremonia e vendosjes së pllakatit me emrin e tyre u zhvillua dje në praninë e të afërmve të dy gazetarëve, përfaqësuesve të qeverisë, të komuniteteve fetare, por edhe të kolegëve gazetarë, të brezave më të rinj. Në emër të familjarëve të Kokomanit dhe Lezhos, përshëndeti Spartak Poçi, duke ndarë me të pranishmit përpjekjen për gjetjen e eshtrave të njerëzve të dashur, por më kor.

Me sa duket, regjimi ishte kujdesur që t’i linte pa varr, por nuk mundi t’i linte pa kujtim. “Fadilit, Vangjelit dhe veprës së tyre po u bëhet nderi më i lartë. Prej sot e tutje, njëri prej shesheve më të bukur të qendrës së Tiranës dhe që vizitohet vazhdimisht nga qytetarët e të gjitha moshave do të mbajë emrin ‘Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho’, që do të thotë se për ta është rezervuar një panteon i vërtetë. Ishte ideja dhe iniciativa e Kryeministrit Rama për të sintetizuar në një të vetme simbolikën me mesazhin që na jep jeta dhe sakrifica e këtyre dy martirëve”, tha Poçi.

Më tej e mori fjalën Kryeministri Edi Rama, i cili do të vlerësonte Fadil Kokomanin e Vangjel Lezhon si dy intelektualë me shpirt të lirë, që sfiduan kohën, regjimin dhe e ruajtën fjalën, si një përgjegjësi të shenjtë personale. “Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, shumë djalosharë në dënimin e parë, u burrëruan ashtu si vetëm Spaçi mund të burrëronte apo gjunjëzonte edhe karakteret më të skalitur. Për habi dhe mrekullinë të një regjimi të kobshëm që u rrek të shpërbënte deri në grimcën e fundit të qenies, këta dy gazetarë u kthyen në dy grimca rëre që çakërdisën gjithë ingranazhin, në dy grimca kripe që i japin shije dheut të asaj kohe, që i ngjan një shkretëtire dhe forcën e një shembulli që ka si çmim vetëm vetëdijen e lirisë.

Diku, Ismail Kadare shkruan, saktësisht, në një libër pak të njohur, ‘Katër përkthyesit’, se ‘Enver Hoxha i zgjidhte shumë shpejt dilemat e vështira me dy mjete, joshjen ose shkatërrimin’. Me Fadilin dhe Vangjelin nuk ia doli as duke performuar njërën, as duke kallur datën me tjetrën”, tha Rama. “Është mahnitëse se si dy gazetarët e Radios u kthyen në një nga sfidat njerëzore, intelektuale dhe pothuajse hamletiane të diktaturës komuniste, jo se komplotuan apo patën ambicien e ndonjë heroizmi vetëflijues, as për hir të ndonjë protagonizmi snob dhe jo për të dënuar me një terrorizëm revolucionar, gueril, një terrorizëm shtetëror të instaluar këmbëkryq.

Sfida që ata e mishërojnë edhe sot me mungesën fizike të varrit të tyre, ishte një sfidë sa e pamundur, aq edhe e thjeshtë, prej një koherence që nuk u cenua deri në fund, prej nevojës së një fjale të lirë, që u jetua deri në fund si një përgjegjësi e shenjtë personale”, vijoi ai, duke shtuar se ata ishin kthyer në një kokëçarje të pandërprerë ndaj një regjimi të mavijosur nga krimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura