Evropa të vetëmbrohet

Apr 4, 2024 | 7:52
SHPËRNDAJE

NGA QEMAL LAMAJ QEMAL LAMAJ

Përkeqësimi i situatës ushtarake në Ukrainë për Perëndimin dhe tërheqja në rritje e SHBAve nga kjo luftë po krijojnë një situatë në të cilën BE-ja duhet të marrë një rol udhëheqës për vetëmbrojtjen dhe të vendosi me guxim për të sotmen dhe të ardhmen e popujve evropianë.

Për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Evropian do të kishte mundësinë të shprehej dhe të vendoste për një çështje kaq vendimtare si lufta dhe paqja në Evropë, pavarësisht nga konsideratat gjeopolitike të SHBA-ve.

BE-ja mund të provonte se ishte projekti evropian i paqes, që synohej të ishte kur u themelua. Me gjithë rolin në rritje të BE-së pas Traktatit të Lisbonës, ajo nuk ka pushtetin e domosdoshëm qendror për të realizuar këtë qëllim, pasi nuk arrihen unifikimi i politikave për shkak të vetos nga shtetet anëtare që mbrojnë interesat sovrane nacionale.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bashkëpunuar ngushtë për të ndihmuar Ukrainë dhe kundërvënë pushtimit nga Rusia. Por në kushtet e fushatës për zgjedhjet presidenciale po ndodhin ndryshime. Ndërsa thirrjet për bisedime po rriten në establishmentin politik të SHBA-ve, politikanët në pushtet në BE dhe pothuajse të gjitha vendet anëtare po marrin qasje të kundërt dhe po përfshihen në thirrje gjithnjë e më të mprehta për luftë dhe kërcënime ushtarake. Këto ndikohen kryesisht nga politika e Kremlinit për luftën në Ukrainë dhe rikthimin e gjeopolitikës së kohës së ish-Bashkimit Sovjetik. Prandaj, mundësia e një zgjidhjeje diplomatike as që merret parasysh. Gazeta e madhe holandeze NRC, si edhe disa media në shtete të tjera, ka qenë e janë në favor të vazhdimit të luftës. Ajo publikoi pak ditë më parë një raport paralajmërues të titulluar “Holanda është duke ecur në gjumë në një luftë të re botërore”. Një paralajmërim i tillë sigurisht që vlen për të gjithë BE-në. Presidenti amerikan, Biden, e filloi edhe një herë fjalimin e tij për gjendjen e Bashkimit këtë vit, duke u zotuar për mbështetjen e tij të plotë për Ukrainën. Dy momente të tjera në fjalimin e tij ishin vendimtare: se në asnjë rrethanë nuk do të dërgonte ushtarë amerikanë në një luftë në tokën ukrainase dhe se vetëm Ukraina mund ta ndalonte Rusinë.

Biden nuk e përmendi se si Ukraina duhet ta bëjë këtë pas dy vitesh lufte që e pagoi me numrin e lartë të gjakut të Ukrainës dhe shkatërrimin e vendit të tyre. Ai gjithashtu nuk tha se si do të duhej të realizohej mbështetja e mëtejshme e SHBA. Ndërsa forcat ukrainase kanë nevoja urgjente për armatime, Shtetet e Bashkuara kryesisht i dhanë fund mbështetjes financiare dhe ushtarake për Ukrainën gjashtë muaj më parë. Nuk ka më shumicë për këtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Nuk përmendet gjithashtu mbështetje për Ukrainën në buxhetin emergjent për gjashtë muajt e ardhshëm. Buxheti emergjent lidh buxhetin e SHBA-ve deri pak para zgjedhjeve presidenciale, në të cilat Donald Trump tani ka një shans më të mirë për t’u bërë sërish president.

Nga ajo që dimë për të, ai mund të negociojë përfundimin e luftës në Ukrainë me presidentin rus mbi kokat e ukrainasve dhe evropianëve. Dhe nuk është vetëm Trump. Establishmenti antiTrump në SHBA ka kuptuar gjithashtu se kjo luftë nuk mund të fitohet më për Ukrainën dhe mund të përfundojë vetëm përmes negociatave – pa parakushte – me Rusinë. Revista “Foreign Affairs”, e cila është me ndikim në politikën e jashtme, sapo ka botuar një editorial nga Samuel Charap (RAND Corporation) dhe Jeremy Shapiro (Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë) nën titullin rrëfimtar “Si t’i hapim rrugë diplomacisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”. Foreign Affairs kishte botuar tashmë një tekst nga Shapiro dhe Michael Kimmage në janar: “Mitet që shtrembërojnë mënyrën se si Amerika e sheh Rusinë – dhe anasjellas: si keqkuptimi i ndërsjellë ngjall tensione dhe konflikte”. Në shkurt të këtij viti, Instituti Uashington Quincy publikoi një tekst me titull “Rruga diplomatike për një Ukrainë të sigurt”.

Në të, autorët shkruajnë se negociatat për armëpushimin do të ishin jashtëzakonisht urgjente për Ukrainën, sepse “lufta nuk do të çonte në një ngërç të qëndrueshëm në front, por në një kolaps të Ukrainës”. Vitin e kaluar, Richard Haass (atëherë President i Këshillit të SHBA për Marrëdhëniet me Jashtë) dhe Charles Kupchan, një nga këshilltarët më me ndikim të qeverisë për politikën e jashtme, mbrojtën në artikullin e tyre “Perëndimit i duhet një strategji e re për Ukrainën: nga fusha e betejës në negociatat në tryezë”. u propozua një zgjidhje e negociuar. Gjenerali Mark Milley, në atë kohë Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Amerikane, gjithashtu sugjeroi vazhdimisht vitin e kaluar që negociatat për armëpushim duhet të fillojnë.

Këtu përfshihet edhe dorëheqja e Victoria Nuland si Nënsekretare e Shtetit për Çështjet Politike në Departamentin e Shtetit të SHBA. Me të, një nga njerëzit kryesorë përgjegjës për zgjerimin e dështuar të NATO-s drejt Ukrainës, po largohet dhe Gjeorgjia dhe një nga avokatët më të zëshëm kundër Rusisë në skenën politike të Uashingtonit.

Ky mund të jetë momenti që Bashkimi Evropian të marrë përgjegjësinë tani dhe të tregojë një rrugëdalje paqësore nga lufta. Ishin konfliktet e pazgjidhura në Evropë, të cilat bënë që njerëzimi të zhytet dy herë në luftëra botërore. Evropa nuk duhet ta përsërisë këtë.

E megjithatë, gjuha e luftës është aktualisht e vetmja gjë që bashkon shumicën e qeverive evropiane dhe mediat kryesore. Nuk ka strategji të përbashkët të BE-së dhe asnjë ide të përbashkët se çfarë mund të arrihet dhe si. Kryeministri polak deklaroi se Evropa ishte tashmë para luftës, ndoshta tashmë në luftë, dhe kolegu i tij suedez u bëri thirrje familjeve të vendit të tij që të përgatiteshin për luftë.

Presidentja e Komisionit të BE-së vazhdon të kërkojë më shumë para, më shumë armë dhe më shumë municione dhe që Evropa të kthehet në një ekonomi lufte. Liderët evropianë theksojnë: “Të përgatitemi për luftë që të mbrojmë paqen”! Se sa kokëfortë dhe jofalëse është qëndrimi i BE-së, bëhet e qartë nga mocionet për rezoluta nga disa qeveri dhe parti opozitare në përvjetorin e dytë të sulmit rus. Disa argumente të diskutueshme janë të lidhura me kërkesa maksimale joreale dhe kërcënime të njëkohshme. Flitet se nuk ka vend për kompromise, por nuk argumentohen me përgjegjësi zgjidhjet e domosdoshme nga politika. Çdo përpjekje për negociata është bërë e pamundur që në fillim. Pas dy vitesh luftë, kjo përbën një mohim të realitetit dhe rrezik potencial për zgjerimin e konfliktit. Është një politikë për t’iu përmbajtur vazhdimit të luftës, duke e ditur fare mirë se nuk ka asnjë shpresë për një paqe fitimtare të Ukrainës.

Kjo gjithashtu mund të shpjegojë pse shtetet individuale anëtare të BE-së po angazhohen për një prani me trupa ushtarake me pasoja të pamundura për tu parashikuar e mënjanuar. Këto përfshijnë propozimet franceze për të dërguar trupa të NATO-s në Ukrainë ose planet për të vendosur njësi franceze në Moldavi. Në të njëjtën kohë, politikanë të vijës së ashpër në Gjermani besojnë në armët e mrekullueshme dhe insistojnë në sigurimin e Ukrainës me raketa lundrimi ‘Taurus’. Britanikët mbështesin dhënien e tyre dhe zotohen për ti transportuar në Ukrainë, në kushtet që qeveria gjermane nuk do të krijojë precedentë lufte me Rusinë. Plane të tilla bazohen në propagandën me besimin e tepërt të politikanëve.

BE-ja është e mbetet bashkësi e shteteve sovrane dhe nuk mund të vendosi pa miratimin e gjithë, pasi dominon vetoja që përdoret nga interesat nacionale të anëtarëve të saj. Ajo nuk ka forcën e një shteti federativ, nuk ka as aftësitë ushtarake dhe as mbështetjen popullore për të ndërmarrë sipërmarrje qoftë edhe të pjesshme, vetë si bashkësi ndërkombëtare apo nga shtetet e saj sovrane. Edhe po të merren vendime, nuk do të ndryshonin shumë gjatë rrjedhës së luftës me më shumë vrasje dhe shkatërrime në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, plane të tilla rrezikojnë të ndikojnë në një përshkallëzim të luftës në Ukrainë. Përfundimisht shkaktohet një luftë pan-evropiane apo edhe bërthamore. Në skenarin më të mirë, politika e BE-së për Ukrainën do ta bëjë atë të pabesueshme, në rastin më të keq, ajo mund të shembet pa rezultate.

Ndërsa elitat politike vazhdojnë të na thonë se kjo luftë mund të fitohet ende me armë gjithnjë e më të fuqishme apo edhe me ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake. Ato po humbasin mbështetjen e një shumicë në rritje të popullsisë evropiane – dhe bashkë me të tërheqjen dhe besueshmërinë e tyre. Popujt evropianë nuk duan luftë. Për shkak të efekteve negative ekonomike të luftës, gjithnjë e më shumë njerëz mund t’u drejtoheshin partive antievropiane. Në aspekte të tjera, koha po ikën edhe për BE-në. Marrëdhëniet politike me SHBA-të së shpejti mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike nën një president Trump. Ka dallime të rëndësishme midis shteteve anëtare dhe ka frikë se një rrëshqitje politike në SHBA do ta ndajë BE-në në vend që ta bashkojë atë. Politika pakompromis proluftës dhe antiruse, nuk mbështetet nga shumica e shteteve joperëndimore.

Në këto kushte është thelluar ndarja gjeopolitike e superfuqive dhe polarizimi në rendin botëror. BE-ja do të dështojë nëse zgjedh të mbështetet ekskluzivisht në një zgjidhje ushtarake dhe sanksione pa fund. Është e domosdoshme të jemi realistë në vendime të drejta, pa u tërhequr nga akuzat e rëndomta për tërheqje apo pacifizëm. Në interesin e saj, BE ka nevojë urgjente për një ndryshim në strategji që rezulton në reformimin e forcimin e saj si shtet sovran evropian federal gjeopolitik e gjeostrategjik. Me pushtetin e një shteti të fuqishëm, BE do të arrijë sigurinë panevropiane që përfshin Ukrainën dhe Rusinë, si dhe do të rrisë rolin e kontributin efektiv për një rend të ri paqeje në botë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura