Eva Alikaj: Një Ofeli e zhveshur

Oct 13, 2014 | 14:30
SHPËRNDAJE

Sa nga interpretimi, sa nga forma fizike për t’u pasur zili, aktorja Eva Alikaj u ka mbetur në mendje spektatorëve të shfaqjes “HamletMachine”. Vetë Alikaj nuk ka preferuar të flasë për rolin më të fundit në teatër.

Edhe sikur Vera të mos e kish besuar se Telo kishte pasur një dajo me Ballin, edhe sikur Verës me Mollasin nuk do t’i duhej të priste sepse personi ishte paraqitur, prapë Eva Alikaj nuk do të kujtohej me personazhin e Verës te filmi “Njeriu i mirë”, aq sa kujtohet me Elsën e komedisë “Pallati 176”. As dyshimet e një vajze të re për sëmundje të keqe te “Treni niset në 7 pa 5” nuk do të ishin mbizotëruese krahasuar me përpjekjet për t’u fshehur nga teto Rita. Pra, edhe sikur pa fund të kishin qenë rolet e aktores në kinematografi (jo që s’kanë qenë aq të shumtë) nuk do “haheshin” dot me Pallatin. Mundet që në perceptimin e masës, e gjithë kjo të mos jetë në favor të aktorit, i cili krijon një identitet skenik, të ndryshëm nga ai që mund të jetë. Se çfarë mendon Eva Alikaj, e rikthyer në Tiranë fundjavën që shkoi me shfaqen “HamletMachine” në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, rreth kësaj, rreth pritshmërive dhe mënyrës se si ndjekësit e teatrit e shohin, nuk mund ta dimë. Tentuam të mësonim diçka, por nuk morëm asnjë përgjigje. E dinim edhe më parë se Alikaj, megjithëse nuk vjen aq shpesh në Tiranë, pra lë hapësira malli, nuk i pëlqen të flasë për mediat. Është e kuptueshme që ti të vendosësh të thuash atë që do, fjala vjen, se si të shkon jeta private, por në rastin e një projekti artistik, pjesë e të cilit ke vendosur të jesh, përgjigjja, ose më mirë mospërgjigjja, ngelet e habitshme. Me këtë ndërmend, me njëfarë paragjykimi të ndikuar, sheh të paktën shfaqjen. Aty kujtohesh që Eva Alikaj është Ofeli e mirë (se si është ndier ajo vetë ngelet, siç e kuptuat, pa përgjigje). Melankolia e lëkurës, e syve të portretit të saj, nuk mund të flasin më mirë veçse si Ofeli. Kujtohesh prapë që edhe sikur Perikliu ta merrte me sportivitet fejesën me Fredin, Elsa nuk do buzëqeshte dot aq lumturueshëm. Ajo që nuk kishe si ta kujtoje nga gjithë ç’kishe harruar rreth saj, ishte energjia në skenë. Nuk kishe nga ta kujtoje sepse nuk e kishe parë kurrë të kacavirrej me lehtësinë e një 16-vjeçareje, në telat e fortë që mbanin skenografinë. Nëse dikush edhe mund të kishte pëshpëritur në sallë deri në atë kohë, në çastin kur Ofelia u shfaq në rroba të brendshme e ndalën zakonin e të përtypurës së çamçakëzit në teatër, të të parit të telefonit, a të komentuarit të një fotografie(!). Edhe nëse do të funksiononte sinqeriteti i sondazheve, nuk do të dihej nëse e bënë këtë pse ishte kulmi i monologut të saj, apo pse të gjitha vajzurinat e pranishme u xhelozuan nga fiziku i një 53-vjeçare. Ju do dëshironit që të ishte arsyeja e parë, patjetër, por realiteti vazhdon të jetë ndryshe. E rëndësishme është të vazhdojnë gjithashtu përpjekjet për ta ndryshuar. Pas momentit të cilin e shihni edhe të fotografuar, vëmendja sikur u tendos. Efekti që kishte portreti i Eva Alikajt në skenë, qoftë edhe në rastet kur ishte e pranishme vetëm vizualisht, e mbushte sallën e pakndriçuar. “Ka të ngjarë që njerëzit të mos e kenë kuptuar tamam pjesën”, tha Alikaj në ato pak sekonda që vendosi të flasë në një televizion. Është e mundur! Madje, jo, kështu duhet të jetë.

“Hamletmakina”, intelektuali në shoqëritë socialiste
Teksti është shkruar në vitin 1977 nga dramaturgu gjerman Heiner Muller dhe është një lloj mohimi i formës tradicionale të dramës, duke qenë se nuk ka as karaktere dhe as veprim. Bëhet fjalë më shumë për fragmente të ndryshme proze të renditura njëra pas tjetrës. Kjo pjesë teatrale e mbështetur çlirët në veprën e Shekspirit, reflekton tragjedinë e intelektualit në shoqërinë socialiste. Regjisori i njohur i teatrit dhe njëkohësisht profesori i Universitetit të Arteve Stefan Çapaliku, në bashkëpunim me Qendrën e Gjermanishtes, e solli për herë të parë në Shqipëri “Hamletmakinën”. Përmes kësaj pjese ai synoi të krijojë referenca me historinë e vonë të Shqipërisë, të tematizojë faza të caktuara historike si dhe të thyejë klishe të mentalitetit. Ky mbase ishte edhe ngërçi i Alikajt. Të qenit pjesë e një vepre postmoderne, nuk e ka lejuar të “paraqitet” me komente përpara shfaqjes. Eva, u pëlqeve. Nuk ishte fare nevoja të kishe në krah as sigurinë e maturuar të shokut Astrit, drejtorit të Bankës (unë jam drejtor po jam edhe njeri) as rigorozitetin e Telos, dhe as kravatën e zgjidhur të Fredit.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura