Europa e re

May 31, 2014 | 12:38
SHPËRNDAJE

VIRGJIL MUÇI

  Zgjedhjet për në Parlamentin Europian përfunduan, por nuk kanë përfunduar analizat, konkluzionet, komentet, madje edhe profecitë për Europën e re që pritet të ravijëzojë Parlamenti i ri dhe strukturat e reja të Komisionit Europian. Ajo që dihet, për të qenë më të saktë, lypset thënë dihej, është fitorja e atyre që shumëkush i quan euroskeptikë, por që, në të vërtetë, duhen quajtur eurofobë, si dhe prania e tyre si asnjëherë tjetër në numër e në peshë në atë çka është konsideruar deri më sot tempulli i demokracisë liberale europiane, thënë me fjalë të tjera, Parlamentin Europian. Ky spektër laryshor shkon e përmbledh në gjirin e vet parti të ekstremit të djathtë, disa edhe neofashiste, për të përfunduar në parti të majta, për të mos thënë të ekstremit të majtë. Paradoksalisht të gjitha këto grupime politike, aq të ndryshme në dukje, kanë një ose më shumë emërues të përbashkët: nacionalizmin, populizmin, racizmin ksenofob dhe, në thelb, mllefin ndaj bashkësisë europiane si bashkësi vlerash që, siç thuhet në preambulën e Traktatit të Lisbonës, bazohet mbi respektin ndaj dinjitetit njerëzor, të lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu, sidomos, të drejtat e pakicave, qofshin ato kombëtare, kulturore etj.
     Ndaj me të drejtë një studiues si Vladimiro Zagrebelsky thotë se rezultatet e fundit për në Parlamentin Europian nuk na lejojnë luksin të merremi vetëm me politikat ekonomike, sado të rëndësishme qofshin ato për qytetarët, shtetet dhe vetë bashkësinë europiane. E ardhmja e Europës nuk mund të shihet vetëm as në atë të një tregu të përbashkët, të një bashkimi monetar – siç është vepruar deri më sot – as të një unioni bankar ose politikash të njësuara fiskale – siç mendohet të veprohet nesër. Thënë me fjalë të tjera, rrezikut të falimentimit ekonomik i paraprin rreziku i falimentimit të vlerave të demokracisë që, tekefundit, janë në themel të asaj ngrehine që sot quhet Bashkimi Europian dhe nesër, me gjasë, Shtetet e Bashkuara të Europës. Erozioni elektoral dhe politik që gërryen sot Europën nuk mund të ekzorcizohet vetëm me masa ekonomike shtrënguese ose liberale, ndërkohë që skena politike dhe sociale europiane, sot më shumë se kurrë, po shfaq një frakturë politike e kulturore, e cila nuk shërohet me recetat antiausteriti, siç rekomandojnë me shumicë doktorët e ekonomisë. Duke perifrazuar një shprehje të njohur mund të themi se Europa është një çështje tepër serioze për t’ua lënë në dorë ekonomistëve, me gjithë respektin për ta dhe terapitë e tyre.
Falë zgjedhjeve të 25 majit, në Parlamentin e ardhshëm Europian ka për t’u ravijëzuar më qartë se kurrë më parë dikotomia: nga njëra anë europeistët me projektin e tyre liberal demokratik të një Europe të aftë për t’u bërë ballë sfidave të globalizmit në shekullin e njëzetenjë dhe, nga ana tjetër, antieuropeistët me flamurin anakronik të nacional-populizmit dhe prirjen për ta shndërruar këtë familje të madhe të drejtësisë sociale dhe humanizmit në principata izolacioniste. Thënë më shkoqur, të një Europe të trusur e të mpakur, të mbyllur në vetvete, përkundruall një Europe të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, religjioze dhe kulturore. E pra, në këtë kontekst kompleks dhe pështjellues disi, Shqipëria pret të marrë statusin e vendit kandidat, pas rrëzimit në vjeshtën e nxehtë ballkanike me shpresa të ringjallura në pranverën e vonuar europiane. Ç’është e vërteta, në qershor provimi ka për të qenë i ndërsjellë; nga njëra anë ne, me detyrat e përhershme të shtëpisë dhe, nga ana tjetër, BE-ja me vizionet e politikat e saj. Në qoftë se Shqipëria, përtej halleve e derteve të saj, është gati për ta marrë statusin në qershor, zor se mund të thuash të njëjtën gjë për Europën në tërësi dhe, shtet pas shteti, në veçanti. Sprova e Europës është, nga njëra anë, çështje kuraje politike për t’u ndeshur e sfiduar antieuropeizmin dhe, nga ana tjetër, çështje vizioni, sesi e shohim dhe e duam Europën e së ardhmes. Madje është koha që Brukseli të shkojë edhe përtej vizionit të një europeisti të madh, si Jacques Delorsi kur thoshte: “Europa ecën përpara e maskuar”. Shpresojmë që Europa e Re ta flakë tej vellon e drojës dhe të modestisë deloriane, dhe të mos ketë frikë nga zgjerimi, e ardhmja e saj. Dhe e jona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura