Euro nis sërish ofensivën ndaj monedhës vendase, ja me sa lekë u këmbye sot

Nov 1, 2018 | 14:24
SHPËRNDAJE

Monedha e përbashkët europiane ka rikuperuar përkundrejt lekut gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer në nivelin e 125.06 lekëve, rreth 0.12 pikë më shumë se një ditë më parë.

Prej së martës, monedha e përbashkët ka fituar rreth 0.51 pikë përkundrejt lekut, megjithatë euro u zhvlerësua me gati 1.35 lekë gjatë muajit tetor.

Ekspertët e këmbimit valutor dhanë si arsye kryesore qarkullimin e ulët të lekut në ekonomi dhe volumet e ulëta tregtare, të cilat kishin tkurrur dhe kërkesën për valutë në vend. Nënçmimin e euros në vend e ndihmoi edhe rënia në bursat ndërkombëtare.

kk-1-nentor

Megjithatë gjatë ditës së sotme, euro ka rikuperuar dhe në tregjet ndërkombëtare, gjë e cila ka ndihmuar edhe në  forcimin e euros në vend. Sipas Financial Times, një euro është këmbyer sot në nivelin e 1.14 dollarëve, duke rikuperuar nga ditë më parë kur këmbehej nën 1.13 dollarë.

Në treg nuk priten më ndërhyrje

Ekspertët e këmbimit valutor nuk presin që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në treg tashmë të normalizuar.

Banka e Shqipërisë, pas një sërë ndërhyrjesh në treg, që nga fillimi i qershorit, ku bleu më shumë se 100 milionë euro, e ka ulur intensitetin e blerjes së valutës. Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe Banka, sipas ligjit, ndërhyn vetëm kur cenohet objektivi i saj kryesor, ai i mbajtjes nën kontroll të inflacionit.

Por, teksa inflacioni po i afrohet gradualisht objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, nuk pritet të ketë më ndërhyrje në treg, duke e lënë kursin të luhatet i lirë, në bazë të kërkesë ofertës./Monitor.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura