Është porosia e parë që jepet gjatë pandemisë së Covid-19, mjeku Flamur Topi publikon tregimin “Djali që mbante gishtat në hundë”

May 20, 2020 | 8:57
SHPËRNDAJE

Foto F.T 1

“Mos prekni hundën me dorë!” është porosia e parë e mjekëve tani, në kohën e pandemisë së COVID-19. Edhe më keq se kaq, është zakoni i futjes së gishtërinjve në hundë! Tregimi “Djali që mbante gishtat në hundë” është shkëputur nga vëllimi i suksesshëm me tregime për fëmijë “Një mision i vështirë”, i autorit Flamur Topi

Djali që mbante gishtat në hundë

Rudini kishte një zakon të keq! Mbante gishtërinjtë në hundë. Prindërit e qortonin, sepse i njihnin rreziqet, por djali nuk bindej.

– I pastroj. S`i duroj dot koriçkat! Po i lashë, forcohen e s`më lënë të marr frymë.

– Të gjithë i pastrojnë, – i thoshin prindërit, – por me shami dhe, jo në mes të rrugës, jo në autobus, jo në kinema, jo në klasë. Pastaj, mos harro! Duart janë të pista! Jashtë shtëpisë çfarë s`prek njeriu!

– Ç`thua, moj mami! Pa shih sa të pastra i kam! – thoshte djali duke ia afruar duart së ëmës, që ajo t`i shihte më mirë.

– Duken, por s`janë! – ia priste shkurt e ëma. – Sa herë të kemi thënë! Duart prekin paratë, dorezat e dyerve, mbajtëset tek autobusët, shtrëngojnë të tjera duar të pista, ndoshta edhe të sëmuresh. Ç`të të them, mor bir! Sikur të të bënin një analizë të gishtërinjve, sapo të jesh kthyer nga shkolla, do të gjenin aty miliarda mikrobe qelbëzuese, nga ata që të infektojnë e të shkaktojnë puçrra e sëmundje të tjera…

– Miliarda?! – Fëmija qeshi me t`ëmën, pa i besuar. Qe i bindur se ajo po e tepronte me këshillimet e saj prindërore.

***

Zbuluesit mikrobe ia transmetuan të plotë mbretit Kok1 bisedën e Rudinit me nënën.

– Shumë mirë! Jam i kënaqur! Ky fëmijë më duhet! Lajmëroni Stafilokokun2 të paraqitet tek unë!

– Si urdhëroni, imzot! – u përgjigj lajmësi, tek i përkulej me përulësi mbretit të vet.

***

Komandanti Stafilokok, i thirrur ndryshe edhe Qelbëzuesi, kishte ditë që kishte ngritur çadrat e ushtrisë shumëmilionëshe në thonjtë e paprerë të Rudinit. Nuk mund të thuhej se po e kalonin mirë atje. Madje, kur fëmija lante duart para se të hante, humbiste shumë ushtarë të tij, që mbyteshin nga shkuma e bardhë e sapunit dhe e ujit. Megjithëse i zëvëndësonte shumë shpejt, (brenda një ore ushtria e tij rritej me njëqind milionë ushtarë) po priste me padurim të futej brenda trupit të fëmijës. Dukej sikur djali e kishte harruar zakonin e të kruarit të hundëve. Kjo po e mërziste dhe po ia humbte durimin komandantit mikrob.

– Duro! – i thoshte në mesazhet e veta mbreti Kok. – Kujt i bëhet zakon, a ves, herët a vonë, aty do të kthehet, tek e keqja e vet.

***

Më në fund, kokët u futën në Hundë. Miliona çadra lufte nxinin brenda saj. Miliarda ushtarë qelbëzues po bënin përgatitjet e fundit për të sulmuar. Ndërkohë gjenerali Stafilokok kishte mbledhur shtabin e tij të luftës. Të gjithë qenë përkulur mbi një hartë ku qe vizatuar në përmasa të mëdha koka e Rudinit. Stafilokoku po u përshkruante anëtarëve të shtabit rrugën që do të ndiqnin.

– Në Trup nuk ka rrugë më të shkurtër se Hunda për të hyrë brenda në Tru! – po u thoshte atyre gjenerali Stafilokok. – Hyjmë drejt e në Sinusin Kavernoz3 e qelbëzojmë atë e pastaj marshojmë drejt cipave të Trurit. Po mbërritëm atje, s`kanë ç`na bëjnë më! Le të dërgojnë, po të duan, avionët e tyre më të fundit të antibiotikëve. Me djalin i lajmë hesapet shpejt!

A do ta gërvishtte fëmija me thonjtë e paprerë cipën e brendshme të hundës? Ishte një pikëpyetje e madhe. Përndryshe, ata qenë të humbur. Shpejt do të vdisnin atje, mes cilieve4 e jargëve.

***

– Rudini gërvishti dhe gjakosi hundën!

Lajmi mori dhenë në kampin armik dhe gjenerali Stafilokok lëshoi kushtrimin e madh: – Të gjithë drejt portës së madhe të hapur! Të gjithë drejt Sinusit Kavernoz!

Alarm në trup! Në hundë qe hapur një arteriolë5 e së andejmi po futej mizëria e qelbëzuesve. Kryekomandanti Leukos6 urdhëroi forcat mbrojtëse të shkonin me të shpejtë atje. Çdo vonesë mund t`u kushtonte shumë.

***

Rudinit i doli gjumi në mes të natës. I dhembte hunda. Në fillim, nuk donte të kallëzonte, por mendoi se do të ishte më keq. Sa u shqetësuan prindërit! Pa pritur që të gdhinte, babi i telefonoi doktoreshë Ermirës, një mjeke e njohur otojatre e qytetit.

Fëmija vuajti një javë të tërë. Hunda iu ënjt e iu skuq dhe temperatura iu ngrit në tridhjetë e nëntë gradë. Mjekët e shtruan në spital. Në klinikën e otorinolaringologjisë i filluan serumet dhe antibiotikë të fuqishëm. Me gjithë rezistencën e madhe të makrofagëve miq, qelbëzuesit e shtrinë pushtimin e tyre brenda në hundë, por nuk mundën të shkonin më tutje. Bombardimet e rënda të avionëve “Ceporini”7 nuk po i linin të marshonin për në thellësi. Bombat e fuqishme po i shfarosnin… Në fundin e javës së parë u duk qartë se mikrobet po mundeshin. Forcat e bashkuara të makrofagëve8 dhe antibiotikëve po i ndiqnin ngado agresorët qelbëzues. E megjithatë hunda ende qe e ënjtur dhe e skuqur. Temperatura kishte rënë disi, por përsëri ishte e lartë. Sa po vuante, i gjori fëmijë!

– Rudin! Me këtë që po heq e po vuan, do t`i futësh më gishtërinjtë në hundë? – e ngacmoi doktoreshë Ermira, ndërsa po e vizitonte.

– Jo! – u përgjigj ai prerazi dhe i vendosur. – Kurrë! Asnjëherë më!…

Fjalorth:

1-Mikrobet kokë – shkaktarë pezmatimesh me qelb.

2-Stafilokoku – një lloj i vecantë koku. Mikrob qelbëzues.

3-Sinusi Kavernoz – zgavër në kafkë, e pasur me enë gjaku.

4-Cilie – qimet e hundës

5-Arteriolë – arterie, enë e vogël gjaku. Hunda ka një rrjetë të dendur enësh gjaku.

6-Leukosi(personazh) –përfaqëson rruazat e bardha të gjakut, mbrojtësit tanë të mëdhenj.

7-Ceporina – antibiotik i fuqishëm.

8-Makrofag – një lloj rruaze e bardhë. Zbulon në kohë mikrobet agresorë dhe përballet ashpër me ta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura