ERE “ok” strukturës së CEZ, Dollapi merr me vete stafin e UKT

Jan 31, 2013 | 12:23
SHPËRNDAJE
Sahit Dollapi

Në kohën kur Enti Rregullator i Energjisë miratonte strukturën e re të CEZ Shpërndarje të propozuar nga administratori Sahit Dollapi, ky i fundit pak orë më vonë do të prezantonte drejtorin e ri të CEZ Shpërndarje për kryeqytetin. Paradite, bordi i komisionerëve i ERE u shpreh dakord me mënyrën e re të menaxhimit të kompanisë CEZ, e cila në thelb do të jetë me e decentralizuar. Ruajtja e katër divizioneve në gjithë vendin do të mbetet e njëjtë, veçse përgjegjësitë dhe menaxhimi do të shtohen edhe më shumë në drejtoritë rajonale në vend. Kreu i ERE, Sokol Ramadani, tha dje se kjo strukturë me këtë profil ishte diçka që i ishte kërkuar më herët CEZ-it, kur ai menaxhohej nga çekët, por që nuk ishte zbatuar. Duke qenë se në këtë pikë ky propozim u pa pozitivisht nga bordi i komisionarëve, atëherë u votua pro strukturës së re. Synimi i saj do të jetë ulja e humbjeve në rrjet, që realisht është në shifra të larta, si dhe përmirësimi financiar i kompanisë.
EMËRIMI
Në orët e pasdites, administratori i CEZ Shpërndarje, Sahit Dollapi, prezantoi para mediave Sulejman Lamin si drejtorin e ri të Tiranës. Lami ka mbajtur më herët pozicionin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në Ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, ku më herët ka qenë drejtor edhe Sahit Dollapi. Në fjalën e tij gjatë prezantimit, administratori i CEZ tha se çdo punonjës do të paguhet në bazë të punës që bën. “Puna juaj, paga juaj do vlerësohet në bazë të rezultateve personale të secilit. Ne nuk do lejojmë askënd që abuzon me qytetarin, që abuzon me pronën e kompanisë, që keqtrajton qytetarin, por askush nuk do të marrë energji elektrike nëse nuk e paguan faturën e energjisë elektrike qindarkë më qindarkë”, tha Dollapi. Më herët, ai ka deklaruar se përmirësimi i kompanisë CEZ pritet të shihet brenda dy muajsh dhe kjo do të ketë në bazë thellimin e punës në terren. Pikërisht në bazë të kësaj filozofie u propozua edhe struktura e re e kompanisë së shpërndarjes së energjisë. Enti Rregullator i Energjisë miratoi kandidaturën e Sahit Dollapit për administrator të CEZ më datë 21 janar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura