Entiana: Si i sfidova italianët te pika e tyre e fortë, kuzhina

Mar 4, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Në foto: Shefja e kuzhinës me origjinë shqiptare Entiana Osmënzeza
Ka lënë Shqipërinë si shumë bashkombës të saj, por fatin personal ka preferuar ta ndërtojë si një histori suksesi, me shumë punë dhe përkushtim natyrisht. Entiana Osmënzeza është shqiptarja që u bë e famshme në Itali jo vetëm me talentin e saj në kuzhinë, por edhe si pjesëmarrëse në disa programe televizive atje.
Për të gjithë ata që nuk e dinë historinë tuaj, ju kur e keni lënë Shqipërinë dhe në çfarë rrethanash?
Ishte koha më e vështirë, jeta qe pa vlerë, nuk kishte të ardhme në Shqipëri, shkollat ishin gjysmë të mbyllura në Berat dhe situata social-ekonomike e qytetit e pashpresë. U largova nga Shqipëria në shkurt të 1992.
Si ndodhi që iu futët profesionit dhe artit të bukur të kulinarisë?
Zgjedhja ka qenë një nevojë ekzistenciale, pasi bota e turizmit ishte zgjedhje më e lehtë për të gjetur një vend pune, qoftë ky në bar, restorant. Pasi një nga nevojat bazë të njeriut është që të ushqehet. Nisur nga kjo, puna është gjëja e parë që do kërkosh.
Dimë që keni bërë një shkollë kuzhine italiane dhe italianët janë mjeshtër të gatimit. Cilat janë disa nga rregullat e forta të kuzhinës italiane, të cilat nuk mund të shkelen për asnjë arsye?
Sekreti i kuzhinës italiane është tradita, mënyra se si ata e trashëgojnë kulturën e të gatuarit brez pas brezi duke respektuar traditën dhe mos modifikuar atë që është esenciale, bazën e produkteve ushqimore. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është disiplina. Ndjekja rigoroze e recetës që të jep shefi, moskundërshtimi dhe përpikëria.
Kur ju kanë pyetur për kuzhinën shqiptare,ju çfarë keni demonstruar?
Unë jam larguar në moshë shumë të vogël nga Shqipëria, por ajo fare pak që unë kujtoj nga kuzhina e gjyshes sime, janë shumëllojshmëria e erëzave dhe përdorimi gjerësisht në recetat e saj. Kuzhina shqiptare pak a shumë shkon njësoj me atë italianen, hyjnë të dyja te mesdhetarja.
Kur ktheheni në Shqipëri dhe shkoni në restorantet shqiptare, çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo?
Më vjen keq, por nuk kam një eksperiencë të tillë. Kjo është hera e parë pas 14 vitesh që kthehem në Shqipëri dhe jam e ftuar nga hotel Sheraton për të shtruar për publikun shqiptar tri darka, ku do shërbehet meny e përgatitur nga unë në datat 26, 27 dhe 28 shkurt.
Kur gatuani, krahas shijes dhe bukurisë së pjatës, a interesoheni edhe për një kombinim të mirë të vlerave ushqyese?
Absolutisht po, e studioj një gjë të tillë.
Ideja për të gatuar në Sheraton nga erdhi?
Unë punoj për restorantin me tarracën më të bukur në botë, Sesto on Arto, te hotel Westin Excelsior, i cili është nën të njëjtën kompani menaxhuese me Sheraton Tirana. Unë u ftova nga kolegët e mi të Tiranës për të krijuar një eksperiencë në restorant “Metropolitan”, për publikun shqiptar. Ideja më mrekulloi, pasi kthehesha në vendin tim pas kaq shumë vjetësh për të bërë një eksperiencë me kolegë shqiptarë dhe shefin e kuzhinës, kroatin Damir Pejcinoviç. E gjithë kjo ishte një eksperiencë e frytshme për mua për të kuptuar më mirë kulturën dhe aftësitë e kolegëve të mi.
Kjo është hera e parë që ju vini në Tiranë si shefe kuzhine?
Absolutisht, po.
Çfarë ndodh kur ju prezantoheni si shqiptare në Itali, ka paragjykim?
Patjetër që po, e para fjalë që më thonë është, erdhi shqiptarja për t’u marrë punën italianëve dhe unë u përgjigjem: “Urdhëroni! Nëse keni të njëjtat aftësi, punoni ashtu siç bëj unë, me të njëjtin intensitet, me të njëjtin devocion, pasion dhe seriozitet”. Ata qeshin.
Së fundi keni ndonjë plan për të investuar në Shqipëri në një restorant apo diçka tjetër që ka të bëjë me fushën tuaj?
Tani për tani jo, por kam në plan të bëj diçka për kuzhinën shqiptare.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura