“Enigma për vrasjen e 67 ballistëve”- Ish-koloneli: Urdhrin e dha Mugosha! Çfarë u gjet në kasafortën e Mehmet Shehut

Mar 19, 2021 | 20:30
SHPËRNDAJE

pjimage - 2020-12-25T085310.344

DASHNOR KALOÇI/ Në vitin 1942, Mehmet Shehu shkroi një skicë-program politik, që përshkohej nga një frymë socialdemokrate. Një kopje të saj ai ia dha një prej njerëzve të tij më të besuar, Idriz Seitit, i cili e ruajti për dekada.

Kur në vitin 1973 ai i tregon këtë kopje Mehmet Shehut, ky i fundit do të habitej dhe do të shkruante një shënim mbi të, që ky program ishte shkruar përpara se ai të binte në kontakt me Partinë Komuniste. Kolonel Idriz Seiti ka rrëfyer për “Memorie.al” njohjen e tij me Mehmet Shehun dhe një episod që lidhet me skicë-programin e shkruar në vitin 1942. Pse u tërhoq Mehmet Shehu nga idetë e rinisë dhe si u interpretua ky dokument nga Enver Hoxha, i gjetur në kasafortën e ish-Kryeministrit pas vetëvrasjes. Ndër të tjera, Seiti thotë se Mehmet Shehu ishte më shumë i djathtë se i majtë.

SEITI: MEHMETI MË DHA NJË KOPJE TË PROGRAMIT, POR PASI E KORRIGJOI

“Mbi dokumentin me skicë-programin politik që i dorëzova unë, Mehmeti shkroi: ‘Këtë e kam bërë përpara se të merrja kontakt me Partinë Komuniste’. Pas kësaj, unë i thashë se po të kishte mundësi, të më jepte një kopje të atij dokumenti.

Mehmeti më pyeti se përse e doja dhe unë i thashë se kisha dëshirë që atë ta kisha si kujtim nga komandanti im i luftës. Kështu, ai e mori origjinalin e atij programi dhe pas disa kohësh, ma dërgoi një kopje të tij. Por, ndryshe nga origjinali, në fotokopjen që më dha, ai e kishte ndërruar titullin e programit. Në titullin e fotokopjes, shkruhej: ‘SKICË-PROGRAM POLITIK’, gusht 1942, kurse në origjinalin që i dorëzova unë, titulli ishte: ‘Çfarë do të dalë mbas çlirimit, nga kjo luftë që po bën populli’?! Po kështu, në një vend të kopjes së programit që më dha mua, ai kishte bërë disa korrigjime, të cilat e bënin të pamundur leximin e tekstit në atë vend. Ajo çka ishte më kryesorja, që Mehmeti kishte shkruar në kopjen e programit që më dha, ishte shënimi që ai kishte bërë me shkrimin e tij në faqen e fundit. Në atë shënim thuhej:

‘Këtë skicë-program politik (për Qeverinë Popullore Revolucionare që do të delte nga Lufta Nacionalçlirimtare), unë e kam shkruar në gusht të vitit 1942, në Çorush (Mallakastër), sapo isha kthyer në atdhe nga mërgimi (Lufta e Spanjës dhe fusha e përqendrimit e Francës) dhe para se të merrja kontakt me Komitetin e Partisë së Qarkorit të Vlorës.

E përdora atë para këtij kontakti për t’ua shpjeguar fshatarëve, ndër të cilët ishte dhe Idriz Seiti (që atëherë ishte ilegal për çështje ordinere, por që më vonë erdhi partizan me mua dhe sot është kuadër në Ministrinë e Punëve të Brendshme).

Ashtu siç e konceptoja atëherë qëllimin e Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, pa pasur kontakt me Partinë Komuniste Shqiptare. Pastaj, kjo skicë nuk u përdor më prej meje dhe atë e konservoi Idrizi, kurse unë e pata harruar fare. Tash së fundi Idriz Seiti ma dorëzoi”.

TIRANË, 15.2.1973 MEHMET SHEHU

Në këtë shënim, Mehmeti kishte bërë dy nënvizime. Nënvizimi i parë ishte bërë fjalës ‘para’, në fjalinë ku thuhej se atë program ai e kishte përdorur para se të merrte kontakt me Komitetin e Partisë të Qarkut të Vlorës, kurse nënvizimi i dytë i është bërë fjalisë “…pa pasur marrë akoma kontakt me Partinë Komuniste Shqiptare…”, kujtonte Idriz Seiti shënimin e Mehmet Shehut, në fotokopjen e dokumentit që ai i dorëzoi atij dhe nënvizimet që ai kishte bërë aty.

RREZIKSHMËRIA E SKICË-PROGRAMIT POLITIK

Por, si e priti Mehmeti dorëzimin e atij dokumenti me programin-politik, nga ana e shokut të tij të Luftës dhe a përbënte ai një rrezik për të në atë kohë, duke ditur se përmbajtja e të cilit binte krejtësisht ndesh me vijën e Partisë?

Ndonëse Idriz Seiti nuk kishte dëshirë që të bënte komente rreth këtyre hipotezave, nga vetë biseda që ai kishte bërë me ish-komandantin e tij, që në atë kohë ishte në postin e Kryeministrit dhe shënimet që ai i bëri kopjes së dokumentit që ia dhuroi atij, duket qartë që Mehmet Shehu, dorëzimin e atij programi e ka pritur si një “minë me sahat” që do t`i plaste në dorë nga çasti në çast. Nga vetë habia që kishte shprehur Mehmeti, kur shoku i tij i dorëzoi dokumentin, duke e pyetur:

‘Si e ke ruajtur’?, duket qartë, se ai do të dëshironte që ai program të ishte zhdukur përgjithmonë dhe dalja e tij pas 30 vjetësh duket se e ka tronditur atë. Kjo gjë përforcohet dhe nga fakti tjetër, kur Mehmeti e pyeti Idrizin se për çfarë e donte kopjen e atij programi, gjë e cila shpreh dyshimin e tij se mos ishte para ndonjë provokacioni.

Ky dyshim duhet ta ketë bërë Mehmet Shehun që ai të mos i kërkonte shokut të tij, Idriz Seitit, zhdukjen e atij programi, gjë e cila dukej se do ta ndërlikonte më keq punën dhe do ta vinte atë para një fakti të kryer me pasoja tepër të rrezikshme. Mehmeti, pasi e ka shoshitur mirë e mirë situatën, para së cilës ndodhej, ka gjetur një zgjidhje, me të cilën ka menduar që do të përbënte më pak rrezik për të. Ajo ishte bërja e shënimit në fotokopjen e programit, që do t’i dorëzonte Idrizit.

Nga vetë shënimi që Mehmeti i ka bërë atij programi dhe nënvizimet nën fjalët që ‘atë e ka shkruar përpara se të merrte kontakte me Partinë Komuniste Shqiptare’, flet qartë se ai program, ndonëse ishte shkruar që në vitin 1942, paraqiste mjaft rrezikshmëri për Kryeministrin shqiptar, nga vetë përmbajtja e tij socialdemokrate, çka binte ndesh plotësisht me vijën e Partisë së Enver Hoxhës. Shqetësimi i Mehmet Shehut për daljen në dritë të atij programi, duket se ka qenë më se i qartë, çka u vërtetua disa muaj pas vdekjes enigmatike të Kryeministrit shqiptar, kur Enver Hoxha do të deklaronte se: ‘Mehmet Shehut iu gjetën në kasafortën e tij materiale tepër komprometuese’.

ENVERI: IDRIZ SEITI, SPIUN I FASHIZMIT

Por si rrodhën ngjarjet më pas me Idriz Seitin, njeriun që konsiderohej si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-Kryeministrit të vrarë dhe të shpallur armik? Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Pasi më liruan nga detyra që kisha si ushtarak i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe më nxorën në pension, ndaj meje filloi një survejim nga ana e Sigurimit të Shtetit.

Aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit të vitit 1982, u mbajt Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha dhe të gjithë pasuesit e tij, kritikuan dhe demaskuan Kadri Hazbiun, duke e konsideruar atë ‘bashkëpunëtor të afërt të armikut Mehmet Shehu’. Në atë plenum, u përmenda dhe unë si ‘bashkëpunëtor i afërt i Mehmet Shehut’.

Nuk më kujtohet mirë nëse ishte Enver Hoxha apo Ramiz Alia, ai që u ngrit në atë mbledhje dhe tha: ‘Idriz Seiti ka qenë spiun i fashizmit, me detyrë që të priste Mehmet Shehun, kur ky u kthye nga Franca, ashtu siç e priti dhe e ndihmoi’. Gjithashtu, në atë plenum, Enver Hoxha tha: ‘Në kasafortën e armikut Mehmet Shehu, u gjetën materiale komprometuese, të cilat vërtetojnë se ai ka qenë agjent që nga koha e Luftës. Në një program-politik të hartuar prej tij që në vitin 1942, ai nuk thotë asnjë fjalë për PKSH-në dhe paraqitet tepër oportunist’.

Mbas fjalëve që u thanë për mua në Plenumin e Komitetin Qendror të PPSH-së, problemin tim e mori në dorë Prokuroria, e cila në një mbledhje të bërë me popullin e Ballshit, me pretekstin e një hetimi popullor, ngriti gjithë ato akuza ndaj meje, duke ripërsëritur ato që u thanë në mbledhjen e Plenumit, pra, që ‘unë, Idriz Seiti, kisha qenë spiun i fashizmit, me detyrë për të pritur dhe ndihmuar Mehmet Shehun’. Unë atë ditë isha në Vlorë dhe këtë gjë e mësova nga njerëzit e familjes sime, që më telefonuan për atë çka ishte thënë në Ballsh”, kujtonte Idriz Seiti, akuzat që ju bënë në Plenumin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe demaskimin që iu bë para popullit të Ballshit.

ARRESTIMI I IDRIZIT ME AUTOBLINDË

Po ç’ndodhi më pas me Idriz Seitin, pas akuzave që iu bënë atij në Plenumin e Komitetit Qendror dhe demaskimit para popullit në Ballsh? Lidhur me këtë, Idrizi kujtonte: “Në datën 19 nëntor 1982, isha duke shkuar në mbledhjen e organizatës së partisë të veteranëve, që do të bëhej në një sallë në afërsi të Gardës së Republikës.

Sapo shkova aty, akoma pa filluar mirë mbledhja, m’u drejtuan duke më thënë: ‘Idriz Seiti, armik i popullit dhe i partisë, dorëzo teserën’. Mbas atyre fjalëve, salla ku po përgatitej të zhvillohej mbledhja, u rrethua nga disa sampistë të Forcave Speciale, nga tre-katër autovetura të Ministrisë së Brendshme që i shoqëronte dhe një autoblindë. I gjithë ky arsenal njerëzish dhe teknike luftarake, bëhej për t’i treguar popullit rrezikshmërinë që gjoja paraqisja unë si armik i popullit dhe i partisë.

Pas kësaj, më dërguan në Hetuesinë e Tiranës, ku ndaj meje filloi procesi hetimor me një grup prej tre hetuesish, të cilët më akuzonin si ‘grupazh’ me dy persona të tjerë, që ishin Qamil Mane Islamaj dhe Duro Ismail Shehu, vëllai i Mehmet Shehut. Akuzat kryesore që më bëheshin mua ishin: ‘Armik dhe spiun i fashizmit, bashkëpunëtor i afërt i Mehmet Shehut, që ke ruajtur dhe propaganduar programin socialdemokrat të tij. Spiun i jugosllavëve dhe i Dushan Mugoshës’. Këto akuza ata i mbështesnin në letrën me programin politik të Mehmet Shehut, si dhe një letër tjetër, të cilën ma kishte dërguar Dushan Mugosha në kohën e luftës.

Po kështu, unë akuzohesha ‘për veprimtari armiqësore se gjatë luftës, i nxitur dhe në bashkëpunim me Mehmet Shehun, kisha sabotuar vijën e partisë duke vënë në krye të këshillave nacional-çlirimtare, eksponentë të reaksionit dhe fashizmit’. Për këtë akuzë, hetuesia mbështetej në takimin e Ballshit të vitit 1942, të organizuar nga Namik Kamani, ku Bilbil Klosi dhe Mehmet Shehu, u bënë thirrje nacionalistëve mallakastriotë, që asokohe punonin në administratën e qeverisë fashiste, për t’u hedhur në Luftën Antifashiste. (Pas kësaj, Bektash bej Cakrani, u bë kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe për këtë takim, pas lufte, u vendos një pllakë përkujtimore në shtëpinë e Namik Kamanit).

Por akuza kryesore që më bëhej ishte për programin politik. Lidhur me këtë, në aktakuzën e Prokurorisë thuhej: Pozicioni armiqësor i të pandehurit Idriz Seiti në dëm të vijës së partisë, vërtetohet dhe nga materialet dokumentare të gjetura, të cilat janë ruajtur për të realizuar qëllimet e tij kundërrevolucionare. I pandehuri Idriz Seiti, veç programit armiqësor të armikut Mehmet Shehu, ka ruajtur dhe dokumente të tjera armiqësore, përmbajtja e të cilave është në kundërshtim me vijën e partisë, orientimet dhe direktivave të saj.

Mbas këtyre akuzave të Prokurorisë, më datën 28 dhjetor të vitit 1883, në Kolegjin Penal Ushtarak të Gjykatës së Lartë, u zhvillua gjyqi ndaj meje dhe Qamil Mane Islamajt e Duro Ismail Shehut.

Në këtë gjyq, unë u dënova me dhjetë vjet burg politik, me akuzën se ‘kisha bërë agjitacion e propagandë duke ruajtur dhe propaganduar programin social-demokrat të armikut Mehmet Shehu dhe se kisha ngritur padrejtësisht rolin dhe kultin e tij’. Pas kësaj, unë u dërgova për të vuajtur dënimin në burgun e Burrelit, kurse familjen ma internuan në Paftal të Beratit dhe ndaj saj u ndërmor një persekucion tejet i ashpër.

Nga tri amnistitë që u dhanë për të burgosurit politikë, nga ana e Kuvendit Popullor në 1982-in,1986-ën e ’89-ën, ndonëse më takonte lirimi, ky ligj për mua nuk u zbatua”, përfundonte dëshminë e tij ish-koloneli i Ministrisë së Brendshme, Idriz Seiti.

SEITI: MEHMETI ANONTE DJATHTAS!

Po cili është mendimi i Seitit për ish-Kryeministrin Shehu, prej të cilit ai pati fatkeqësi të shumta në jetën e tij. Lidhur me këtë, ai shprehej: “Po ta analizosh gjithë veprimtarinë e Mehmet Shehut, që nga koha e Luftës e deri në dhjetorin e 1981-it kur e vranë në dhomën e gjumit të vilës së tij, unë nxjerr konkluzionin se ai kishte pikëpamje social-demokrate dhe ishte më shumë demokrat sesa komunist, gjë e cila vërtetohet dhe nga programi i tij. Por për vetë rrjedhën që mori Lufta dhe politikën që ndoqi Enver Hoxha më pas, ai nuk kishte mundësi ta zbatonte programin që kishte hartuar. Nuk janë të vërteta të gjitha ato sa thuhen për Mehmetin, se ai ka qenë kriminel.

Këto gjëra ia atribuoi atij Enver Hoxha, pasi e eliminoi fizikisht. Nuk është e vërtetë se Mehmet Shehu ka urdhëruar pushkatimin e 67 robërve ballistë në fshatin Matjan të Lushnjës në vitin 1943.

Mehmeti nuk ka qenë fare në atë ngjarje dhe as nuk ka pasur dijeni për sa po ndodhte aty, por ajo gjë iu atribuua atij gjatë Luftës e më pas, për arsyen se ai ishte komandant i Brigadës. Ajo masakër është bërë me urdhër të Dushan Mugoshës dhe zbatuesi i saj u zhduk fizikisht pas disa kohësh në rrethin e Skraparit.

Dushani ishte një kriminel i lindur dhe në fjalën e tij në ditën e inaugurimit të Brigadës Parë, ai u shpreh: ‘Edhe një dyfek i vetëm po të zbrazet kundër Brigadës sonë, ta dini mirë se në atë fshat nuk do ngelën të gjallë as çiliminjtë’.

Një nga dobësitë e Mehmetit ka qenë Kosova, gjë të cilën ai ka pasur parasysh në programin e tij kur thotë se: ‘pas lufte do rishqyrtohet problemi i minoriteteve, duke e zgjidhur atë problem paqësisht sipas principit e të së drejtës së vetë popujve’. Një fakt tjetër që përforcon bindjen time se Mehmeti ishte për social-demokraci, është edhe autokritika që ai bëri para Byrosë Politike, disa orë para se të ndodhte vrasja e tij, ku ai mes të tjerash thotë: Mua më rrëshqiti këmba e djathë, por shoku Enver dhe shokët e tjerë nuk më lanë të rrëzohem përtokë.

Me këtë Mehmeti ka dashur të thotë se ai kishte rrëshqitur djathtas”, përfundonte Idriz Seiti bindjet e tij për ish-komandantin e luftës dhe Kryeministrin shqiptar, i cili u gjet i vrarë në rrethana misterioze në 18 dhjetorin e vitit 1981, pas konflikteve me Enver Hoxhën. Memorie.al

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.