Endri & Stefi, adrenalina e natës së fundit të festës

Aug 20, 2012 | 14:20
SHPËRNDAJE
Një grup vajzash duke pozuar para Beer Bike, një risi për këtë vit

Festa e “Birra Korça” përmbylli madhërishëm edhe natën e pestë të saj. Mijëra vetë festuan deri në mëngjes, bashkë me birrën më të preferuar të kësaj feste, birrën “Korça”.

Për pesë net me radhë, surprizat me këngëtarë e artistë të ftuar kanë mbajtur të mbërthyer pjesëmarrësit, që këtë vit i kaluan 50 mijë veta në çdo natë të saj. Alban Skënderaj, Maya, vëllezërit korçarë, Eugent Bushpepa e mjaft këngëtarë të tjerë, shoqëruar edhe me birrën “Korça”, janë kthyer në adrenalinë të festës. Mjaft të mahnitur nga madhështia e festës mbetën edhe ambasadorët që morën pjesë, në fillim ambasadorja çeke, Bronislava Tomasova, më pas, në natën e katërt, edhe ambasadori bullgar Dimitar Arnaudov dhe ai slloven, Bojan Bertoncejl. Ata shprehën preferencën e tyre për birrën “Korça”, ndërsa theksuan se do të merrnin pjesë me kënaqësi edhe në vitet e tjera në këtë festë me rekord pjesëmarrësish. Cilësia e birrës, sipas tyre, konkurron birrat në vendet e tyre dhe më gjerë. Mbrëmë pjesëmarrja ka qenë mjaft e madhe, duke qenë se nata e pestë përkonte edhe me përmbylljen e kësaj feste për këtë vit. Zërat e vëllezërve korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, ashtu sikurse edhe pritej, shkaktuan ovacione të madha në këtë mbrëmje. Të gjithë pjesëmarrësit u janë bashkuar serenatave të kënduara prej tyre, duke kënduar njëzëri, teksa bënin gëzuar me birrën “Korça”. Mbrëmja u hap me muzikën greke të grupit “Korinthi”. Muzika tradicionale e tyre është pasuar më tej nga Niki dhe Flori, dy zëra të rinj, por jo pak të dëgjuar, ndërsa ka kulmuar me dy vëllezërit Prifti, të cilët “çmendën” mijëra pjesëmarrës. Atmosfera është mbajtur lart edhe nga rokeri i talentuar Eugent Bushpepa, i cili ka qenë i fundit në këtë edicion të 6-të të festës së birrës. Tashmë Korça është kthyer në epiqendrën e vendit në ditët e gushtit. Veç qytetarëve nga vendi, mijëra turistë nga shtete të ndryshme të botës, si Italia, Greqia, Anglia, Gjermania, e madje dhe SHBA-të janë bërë pjesë e përvitshme e festës. Nisur nga suksesi i viteve të mëparshme, Bashkia vendosi që nga katër net që ishte, këtë vit festa të bëhej 5 net.

BIRRA “KORÇA”, TRADITA E QYTETIT

“Festa e Birrës” u krijua në qytetin e traditës së birrës që daton që në vitin 1928. Birra e parë shqiptare tashmë konsumohet edhe në Europë e SHBA, ndërsa njeh disa çmime ndërkombëtare për cilësinë e saj. Në pesë netët e festës së birrës, mijëra gota e shishe janë konsumuar nga pijedashësit, të cilët kanë pasur më të preferuarën birrën “Korça”. Shumë turistë u shprehën se kishin vizituar më parë edhe ambientet e fabrikës së “Birra Korça” dhe kishin mbetur të mahnitur nga infrastruktura moderne brenda saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura