Emigrantja tregon eksperiencën te ISSH: Më sorollatën për paratë e mia, derisa takova…

Oct 13, 2017 | 9:20
SHPËRNDAJE

Vjen në Shqipëri për të tërhequr paratë e pensionit për 3 vite, por përballet me një situatë të pakëndshme në dyert e institucionit të Sigurimeve Shoqërore. Por fati e deshi që të takonte juristen e ISSH-së e cila bëri të mundur që zonja Besa Gongo të kthehet e qetë në Kretë ku jeton prej 20 vitesh, por pas të lërë një mesazh për vendin e saj: njerëz të tillë të përgjegjshëm duhet të vendosen në punë për t’i zgjidhur problemet qytetarëve të thjeshtë dhe jo të sorollaten më kot.

62-vjeçarja tregon për gazetën “Panorama”, se për të marrë paratë e pensionit që i takonin, i janë dashur disa javë pritje, përgjigje arrogante e mungesë transparence nga disa punonjës të sportelit në ISSH.

besa gongo2

“Kisha zgjedhur që lekët e pensionit, gjatë kohës që unë nuk isha në Shqipëri, të mi kalonin në bankë. Kur erdha, në datën 13 shtator i drejtohem bankës për të tërhequr shumën për 3 vite që nuk i kisha marrë. Aty më thonë se janë hedhur vetëm 4 muaj dhe pjesa tjetër është bllokuar nga ISSH. Nga 40 muaj gjithsej, më mbeteshin edhe 36 muaj. Më thanë që pas 10 ditësh mund të drejtohesh në ISSH në Kombinat për t’i tërhequr dhe nuk do të kasha asnjë problem. Paraqitem pas 10 ditësh ku më adresuan, por në Kombinat më dhanë shumën e parave vetëm për 23 muaj, pra 13 muaj pension mungonin. Por jo vetëm kaq, nga faturat e printuara, dukej që kishte kaluar paratë e muajt shtator, të tetorit jo, por kalonin direct tek muaji nëntor. I pyes përse nuk i kam të plota dhe më thonë të shkoj tek drejtoria qendrore e ISSH-së.

Kur shkoj aty, me numrin e dosjes, faturat dhe të gjitha dokumentet në rregull, sportelisti që pieta më thotë të shkoj pas një jave. U paraqita sërish pas një jave dhe për të mos pyetur të njëjtin, shkova në sportelin ngjitur. Të njëjtën gjë më tha edhe sportelisti tjetër, ‘hajde pas një jave’.

Ajo që më bëri përshtypje ishte se kur unë u thashë se nuk jetoja në Shqipëri dhe se duhet të kthehesha në Kretë, sportelisti më tha ‘Epo ne lekët nuk I kemi për amerikanët, i kemi për shqiptarët. Nëse do të ikësh, ik’.

U detyrova të qëndroja në Shqipëri dhe shkova sërish pas një jave ku më thanë se për faktin që kasha zgjedhur të m’i kaloni paratë në bankë, problemi im ishte shumë i vështirë dhe nuk zgjidhej kështu që duhet të paraqitesha pas një muaji e gjysmë pasi dosja ime do kalonte për rishqyrtim.

Në këtë moment vendosa të shkoj në takim ditën kur drejtori organizonte pritje me qytetarët.

Të nesërmen e asaj dite, pas 3 javësh sorollatje, shkoj dhe takoj juristen e institucionit Anila Take dhe një nga punonjëset që më ndihmoi gjithashtu, Besa Arapi. Juristes Anila ia shpjegova se si e kasha punën dhe për dy minuta, pasi hapi sistemin në kompjuter, pa që ishin 13 muaj të cilat mua nuk më kishin kaluar në llogari dhe i dha zgjidhje menjëherë, duke zbatuar vetëm detyrën e saj, por ama deri në ato moment ishte I vetmi person që më kishte dëgjuar se çfarë problemi kisha.

Kur i thashë që kam rreth një muaj që vij këtu çdo të mërkurë dhe pyes, i tërhoqi vëmendje edhe dy sportelistëve që më kishin thënë se problemi im ishte i vështirë dhe nuk zgjidhej. Fakti është se për pak kohë paratë e pensionit tim do të digjeshin, pasi do të kalonin 3 vite nga moment i fundit që unë isha paraqitur për t’i tërhequr”.

Teksa rrëfeu për “Panorama” gjithë peripecinë disajavëshe, zonja Besa, e cila ka punuar në fabrikën e kimikateve në Tiranë vite më parë,  në repartin e Ngjyrosjes, thotë se kur një situatë të tillë e provon dikush që nuk ka asnjë problem, thjesht do të tërheqë paratë e pensionit që i takojnë, është e trishtë të mendosh për sorollatjen që u bëhet njerëzve të tjerë që kanë probleme më të ndërlikuara.

“Dua ta bëj publike këtë rast për të treguar se unë që nuk kisha asnjë lloj problem, pse duhet të më sorollasnin? Vjen një emigrante nga fundi I botës dhe I thonë që problem yt është shumë i vështirë në një kohë kur nuk ka fare problem… Por Anila dhe Besa, dy vajza të pastra, që punonin në kushte të vështira, me shumë njerëz që kërkonin zgjidhje njëkohësisht, me prpbleme nga më të ndryshmet, arriti që për dy minuta, me dëshirën e mirë dhe ndërgjegjen e pastër për të bërë punën që i takon, i dha drejtim situatës sime dhe unë po atë ditë tërhoqa shumën e mbetur në ISSH në Kombinat. Njerëz të tillë duhet të punësohen që qytetarët të marrin zgjidhje të drejtë dhe mbi të gjitha të marrin atë që u takon”, thotë zonja Besa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura