Emigracioni shqiptar përballë Ministrisë së Punëve të Jashtme

Oct 4, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

gurakuqiROMEO GURAKUQI

Ratifikimi i Marrëveshjes për Ekstradimin me Mbretërinë e Bashkuar në Parlamentin e Shqipërisë është një moment reflektimi i të kaluarës së marrëdhënieve dypalëshe, një moment analize i gjendjes së sotme të emigracionit shqiptar, i kualitetit të vëmendjes dhe mbrojtjes që ai emigracion përfton nga shteti i tij i origjinës. Në këtë moment na duhet të bëjmë një analizë të sistemit të brendshëm politik, që prodhon aq shumë destabilitet në këtë vend, krim të organizuar që shtrihet kudo nëpër Europë dhe emigracion të detyruar për mbijetesë, sidomos pas shtatorit të 2013-s.

Afërsisht 89 vite më parë, më 8 nëntor 1926, Dhoma e Deputetëve e Republikës Shqiptare u mblodh për të ratifikuar Konventën për Ekstradimin e Keqbërësve në mes shtetit shqiptar dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Marrëveshja u ndërtua mbi bazat e reciprocitetit perfekt. Konventa përmbante 20 nene, me përshkrime të hollësishme procedurale dhe parashikonte kushtet e ekstradimeve reciproke për 26 figura të veprave penale. (shih: Bisedime Parlamentare, 1926/2, Tiranë 2012, faqe 44-50). Marrëveshja u hartua dhe negociua nga ministri i Jashtëm dhe njëkohësisht zv.ministër i Drejtësisë së asaj kohe, Hysen Vrioni, për palën shqiptare dhe i Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, O ‘Relly.

Nënshkrimi i kësaj Konvente i bashkëngjitej një kontributi të posaçëm të Britanisë së Madhe në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, rikonfirmimin e statusit ndërkombëtar të pavarur të Shqipërisë në vitin 1921 dhe njohjen ndërkombëtare të kufijve jugorë të vendit, të përcaktuara nga Protokolli i Firences më 1913. Ministri fuqiplotë britanik, zotit Seeds, koloneli Sterling dhe nëntë oficerë të Policisë britanike morën përsipër organizimin e agjencive ligjzbatuese të shtetit tonë, trajnimin e xhandarmërisë dhe shndërrimin e saj në një forcë efektive në mbrojtje të ligjit dhe lirisë.

Shqipëria, një vend i sapoformuar, respektonte në planin e brendshëm procesin e përforcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjen e rendit publik dhe stabilitetin e institucioneve. Për një periudhë pothuajse 25-vjeçare, autoritetet diplomatike dhe ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar luajtën një rol të posaçëm në promovimin e një Shqipërie me rend kushtetues dhe me përkatësi në kulturën juridike europiane, kërkuan me çdo kusht ta shkëpusnin nga thundra e fashizmit këtë vend dhe më pas të shmangnin rënien e vendit në fundin e Luftës së Dytë Botërore nën diktaturë. E gjithë kjo qasje politike zhvillohej pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri.

I ashtuquajturi Kongres i Përmetit shfuqizoi të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe Konventën e Ekstradimeve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ka qenë mosnjohja këmbëngulëse e diktatorit shqiptar në lidhje me detyrimet kontraktuale ndërkombëtare të Shqipërisë, arsyeja e ndërprerjes së procesit të njohjes së Shqipërisë nga Mbretëria e Bashkuar në rrjedhën e vitit 1945 dhe fillim të vitit 1946. Incidenti i Kanalit të Korfuzit, i inskenuar nga agjentura e Hoxhës dhe e Titos, shkaktuan ndërprerjen e dhimbshme të lidhjeve të shqiptarëve të formacionit të lirisë dhe të konservatorizmit reformator, me vendin e Mbretneshës së detrave.

Por, për fatin e këtij kombi, për gjysmë shekulli me radhë, kujtimin e një Shqipërie tradicionale në Londër e mbajtën gjallë miqtë e paepur britanikë të “Anglo- Albanian Society” dhe katër fisnikë shqiptarë, që ishin krenaria e emigracionit politik: Tajar Zavalani, Anton Logoreci, Dervish Duma dhe Ihsan Abdi Toptani. Ata arritën të mbajnë zanin e mirë të një Shqipërie dinjitoze në Foreign Office dhe ndriçuan mendjet e shqiptarëve të Shqipnisë, nën dhunën e etërve komunistë të establishmentit të sotëm socialist, përmes zërit në shqip të BBC-së.

Vetëm rikthimi i sistemit konstitucional parlamentar më 1991, bëri që Shqipëria gradualisht të rikthejë vëmendjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar, të rinjohë detyrimet e saj ndërkombëtare, të normalizojë marrëdhëniet dhe të përfitojë interesimin drejt Shqipërisë nga ky vend serioz, miqësia me të cilin është teorikisht dhe praktikisht e çmuar për emancipimin politik, për reformimin juridik, mbështetjen ndërkombëtare për Shqipërinë dhe çështjet e lidhura me shqiptarët. Këtë risjellje të Britanisë në botën shqiptare ne e kemi parë qartë- sisht në një seri rastesh të historisë 26-vjeçare të tranzicionit dhe stabilizimit post-diktatorial.

Mirëpo, një vend i vetmuar gjatë në errë- sirë, me varfëri shoqërore, dobësi shtetërore, padituri qeveritare, është i destinuar të ecë gjatë nëpër grykat e hapura të mjerimit dhe ta kryejë me vështirësi kthesën drejt lirisë, prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë. Kthesa politike e Shqipërisë në vitin 2013 drejt ndërtimit të një sistemi të kamufluar autoritar dhe drejt papërgjegjshmërisë qeverisëse prodhoi një krizë destabilizuese që nuk ndalet, emigracion dhe një rritje të paparë të nivelit të krimit të organizuar, që tashmë kontrollon pushtetin politik në Tiranën zyrtare.

Partnerët ndërkombëtarë, duke qenë dëshmitarë okularë ndaj këtij çrregullimi që prodhohet nga qendra politike e Tiranës, kërkojnë të rindërtojnë me urgjencë urat ligjore të luftës ndaj krimit që strehohet brenda këtij vendi. Kështu, sot para nesh kemi Marrëveshjen QË PLOTËSON KONVENTEN EUROPIANE PËR EKSTRADIM TË VITIT 1957. Është një dokument i domosdoshëm për shkak të ndryshimit rrënjësor të raporteve të komunikimit njerëzor ndërmjet dy vendeve, duke filluar së paku nga viti 2013.

Është një dokument, që i përket një pakice fatkeqe të qytetarëve të të dyja vendeve. Sot, në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë mijëra qytetarë me origjinë nga Republika e Shqipërisë (llogariten afërsisht 50.000), mijëra fëmijë nga familje shqiptare, që kanë lindur në Britaninë e Madhe, qindra nxënës, studentë dhe intelektualë shqiptarë që po ndjekin studimet në këtë vend dhe po punojnë në mënyrë dinjitoze, duke na bërë krenarë, po aq sa edhe etërit historikë të emigracionit shqiptar atje.

Krahas këtyre, gjenden në këtë vend mijëra familje shqiptare, që kanë ndërtuar jetën e tyre të thjeshtë me ndershmëri, duke shpresuar gjithmonë me shpresën e prosperitetit familjar, të cilën politika e mbrapshtë e këtij vendi të komunistizuar deri në gen, nuk ua la ta krijonin dot në truallin amë.

Ata kanë shërbyer si një urë komunikimi dhe miqësie mes dy vendeve dhe kanë ushqyer me energji të re Organizatën Anglo-Shqiptare, kanë lobuar për çështjen e demokratizimit të njimendtë të Shqipërisë dhe të lirisë së Kosovës, dhe përbëjnë një shtyllë të rëndësishme mbështetëse për rigjenerimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike. Sipas të dhënave të Ministrise së Brëndëshme Britanike (Home Office), në statistikat për muajt tetor-dhjetor 2016, shqiptarët e Shqipërisë zënë vendin e gjashtë ndër kombet që kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar, pas Iranit, Pakistanit, Irakut, Afganistanit dhe Bangladeshit.

Sipas të dhënave të “Daily Mail”, më 12 maj 2017, një nga tetë fëmijë të pashoqëruar refugjatë në Mbretërinë e Bashkuar është fëmijë shqiptar; 13 % e aplikimeve të bëra nga të rinjtë refugjatë në atë vend janë nga Shqipëria dhe kjo ndodh, pavarësisht se Shqipëria nuk është vend në luftë (statisticienët britanikë, në fakt, nuk dinë luftën që ka bërë qeveria e parë e zotit Rama për të varfëruar shqiptarët, për të burgosur Shqipërinë e margjinalizuar, për të mbjellë cepat e kodrave të pakapshme të këtij vendi me bimën e magjishme të shkatërrimit të ardhmënisë së këtij vendi, duke vrarë rëndë shpresën, se ky vend do të bëhet ndonjëherë.

Shkaqet e emigrimit të një numri kaq të madh shqiptarësh, Agjencia Nacionale Britanike e Luftës Kundër Krimit të Organizuar (NAC) i gjen në privimin e të drejtave të punësimit dhe jetës në vendin tonë, në papunësinë, në diskriminimin dhe qasjen e dobët për kujdesin shëndetësor, përfitimet sociale dhe arsimim. Të lënë pa mbrojtjen shtetërore, një pjesë e emigracionit të ri, të katër viteve të fundit, i është bashkëngjitur me furi, ose është rekrutuar spontanisht, prej strukturave ekzistuese të krimit të organizuar, duke hapur një problem të ri me shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar.

Krimi shqiptar në UK, sipas të dhënave zyrtare të agjencisë së lartpërmendur, posaçërisht grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogës, kanë stabilizuar një ndikim të profilit të lartë brenda krimit të organizuar të Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë një kontroll të konsiderueshëm përgjatë tregut të trafikimit të drogës atje. Aktualisht, këto grupe janë duke e shtrirë ndikimin e tyre drejt burimeve më të larta të trafikut, duke formuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine. Kërcënimi me të cilin përballen grupet e krimit shqiptar është i rëndësishëm.

Londra është qendra e tyre parësore, por ato janë themeluar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. (Sipas: National Strategic Assessment of Serious and Organised Crime 2017, UK) Po nga i njëjti raport, sipas hartës etnike të grupeve të krimeve të rënda dhe të organizuara, shqiptarët, ndonëse përbëjnë një numër të pakët emigrantësh në krahasim me rumunët, pakistanezët, polakët dhe nigerianët në Mbretërinë e Bashkuar, përbëjnë sipas statistikave zyrtare të këtij vendi 0.8% të rasteve.

Ndërkohë polakët përbëjnë 0.9, pakistanezët 1.2, rumunët 1.5. Raportuesit paralajmërojnë se ndikimi i kriminelëve shqiptarë është veçanërisht shqetësues për shkak të gatishmërisë së tyre për të përdorur dhunë serioze. (Sipas Matthew Horne, the Deputy Director General of the NCA) Strategjia e ndjekur nga autoritetet ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar, në gjendjen e krijuar ka qenë që përmes Strategjisë Kombëtare të Kontrollit, të merrej me problemin në burim, d.m.th. ndërhyrja jashtë vendit në vendet e origjinës së krimit.

Kërkohet kështu angazhim nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe, forumeve ndërkombëtare dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, si Interpoli dhe Europoli, dhe konventat ekstraduese. Në këtë kuadër përfshihet edhe rinovimi i Konventës për Ekstradimet mes dy vendeve tona.

Paraqitja e saj duhet të tërheqë vëmendjen për disa probleme themelore për t’u trajtuar nga qeveria dhe legjislatura e Shqipërisë:

Së pari, do të kishte qenë jashtëzakonisht e nevojshme që marrëveshja e ekstradimit të përfshinte parashikime përkatëse për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë të akuzuar, deri në vërtetimin e fajësisë dhe të drejtën e Shqipërisë për të ndjekur penalisht kriminelët e mundshëm të vendit palë kontraktuese. Pra, do të kishte qenë shumë e nevojshme sikur marrëveshja të ishte e detajuar në segmente dhe e balancuar dhe me reciprocitet të plotë.

Duhet të kujtoj këtu, se vetë anglezët ankohen se një marrëveshje e tyre me SHBA-të është shumë e njëanshme, mbasi i detyron të japin informata e të ekstradojnë anglezë në Amerikë, por nuk kanë kompetenca të mjaftueshme të kërkojnë të njëjtën gjë për amerikanët. Reciprociteti formal duhej të shndërrohej në një reciprocitet thelbësor, sikurse është realizuar në vitin 1926 nga pararendësit e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Së dyti, negociatat për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje duhet të shoqëroheshin me një marrëveshje të posaçme mes dikastereve gjegjëse, për problemin e mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë në konditat e lejes së përhershme të qëndrimit, bazuar në konventat ndërkombëtare. Është detyrim institucional i Ministrisë së Punëve të Jashtme që të interesohet për emigracionin e brezit të dytë (1996-2013), që është stabilizuar në një jetë normale, të qetë, të ndershme, por edhe me shumë privacione, që përbën shumicën e bashkësisë shqiptare në atë Mbretëri.

Po ashtu, është detyrë e MPJ të interesohet dhe të mbrojë edhe emigrantët e brezit të tretë (pas vitit 2013 pas rivendosjes së autoritarizmit socialist), ato të prodhuar në katër vitet e fundit të çekuilibrimit të rolit të Shtetit si edukator dhe kujdestar i paanshëm i rendit social. Mijëra fëmijë shqiptarë enden rrugëve dhe kërkojnë mbrojtje dhe politika kujdestarie, dhe shteti amë nuk kujdeset për ata.

Së treti, bisedime do të duheshin hapur me Foreign and Commonuelth Office për të kërkuar mbrojtje ligjore për shtetasit shqiptarë, të cilët, pas krizës politike dhe ballafaqimit civil të vitit 1997, janë detyruar të gjejnë forma mbijetese për të marrë shtetësinë britanike. Ju e dini mbase se më 23 dhe 24 janar 2018, në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar zhvillohet ai që juristët britanikë, që përfaqësojnë shqiptarët e prekur nga fenomeni i heqjes së shtetësisë, e konsiderojnë si “gjyqi i shekullit”.

Askush nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e drejtësisë së atij vendi, por shteti shqiptar dhe qeveria shqiptare nuk mund të jetë e papërgatitur për t’u përballur me çdo skenar ligjor të mundshëm, në mbrojtjen e emigrantëve të vet, bazuar në konventat ndërkombëtare.

Së katërti, në aspektin e kthimit dhe pranimit të emigrantëve shqiptarë, ne jemi një vend tolerant dhe shumë i përkulur, siç duket në shkëmbim të mbijetesës dhe njohjes së qeverive të ardhura për shkak të trafikut zgjedhor të pushtetit. Po të shikosh edhe vendet e Afrikës të varura nga ndihma ndërkombëtare, si Somalia, nuk pranojnë të kthejnë më shumë se një refugjat në muaj kundër vullnetit.

Përfshihemi në vendet tolerante në pranimin e kthimeve të detyruara, mbasi nuk u nxjerrim asnjë pengesë autoriteteve të huaja për emigrantët shqiptarë të kthyer me forcë, gjë që pak vende e bëjnë lehtësisht. Së pesti, Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar uroj të jetë një përfaqësi e denjë për trashëgiminë që kanë lënë pas Mehmet Konica, Xhemil Dino, Lec Kurti, etj., por kjo kërkon, përveç kryesimit edhe personel të specializuar diplomatik, juridik dhe humanist, të shkallës më të lartë, për të përballuar sfidat e ndikimit politik në qendrat vendimmarrëse të atij vendi serioz, nevojat e bashkisë shqiptare atje, problemin e mbrojtjes juridike të specializuar, të negocimit sistematik me autoritetet e këtij vendi, etj.

Së fundmi, mendoj se një kërkesë shtesë për autoritetet britanike mund të ishte bërë për përftimin e përvojës së tyre të spikatur në riorganizimin e specializuar të organeve ligjzbatuese, ndërtimin e kuadrit ligjor të Ministrisë së Brendshme dhe trajnimin e stafit të Policisë së Shtetit. Shteti shqiptar ka detyrime ndërkombëtare, që duhet t’i plotësojë domosdoshmërisht, por ka edhe detyrime kushtetuese ndaj bashkëkombasve të vet, të cilat do të duhet t’i realizojë me kompetencë në paraprirje dhe në ndjekje sistematike profesionale përmes institucioneve të punëve të jashtme.

Mbi të gjitha, Shqipëria ka nevojë të shndërrohet në një vend të sigurt për të gjithë qytetarët e tij, jo një strehë e krimit të organizuar dhe burim i emigracionit pa kthim. Metoda socialiste e nxjerrjes jashtë të popullit opozitar përmes diskriminimit duhet të ndalet me çdo kusht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura