Elsa Lila shijon live atmosferën e fitores

Jun 29, 2013 | 15:50
SHPËRNDAJE

Këngëtarja Elsa Lila, e cila prej vitesh jeton në Itali ku ka krijuar tashmë dhe familjen e saj dhe është bërë nënë e vajzës dyvjeçare Evita, po kalon disa ditë në Tiranën paszgjedhore. Elsa erdhi në Shqipëri posaçërisht për të votuar Rilindjen, një fakt që e deklaroi dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në “Facebook”, duke postuar madje edhe foto me këngëtaren e njohur shqiptare. Pasi ka votuar dhe ka pritur rezultatin e fitores së PS-së, Elsa ka vijuar qëndrimin e saj në Tiranë gjatë kësaj jave, ndërsa është fotografuar po ashtu në shoqërinë e mikut të saj të hershëm, gazetarit Arjan Konomi. Këngëtarja ka udhëtuar e vetme kësaj here nga Italia, për herë të parë larg vajzës së saj të vogël, të cilën e ka lënë për disa ditë nën kujdesin e familjes së bashkëshortit. Ajo është shfaqur në Tiranë e lumtur dhe në formë shumë të mirë fizike, me linja super elegante, edhe pse është bërë nënë. E, pas postimit të fotos së saj shumë miqësore me kreun e PS-së, Edi Rama në rrjetet sociale, filluan aludimet se arsyeja e ardhjes së saj në Tiranë është dhe përgatitja për një rikthim ndryshe jo më si artiste, dhe një post të mirë në politikë. Por, sipas informacioneve tona, ajo nuk ka ndonjë qëllim konkret për t’u angazhuar në politikë. Elsa Lila njihet për mbështetjen që i ka dhënë kreut të opozitës, Rama. Ajo mori pjesë dhe në grevën e urisë me çadra që opozita bëri për javë të tëra para Kryeministrisë, në shenjë proteste për rezultatin e zgjedhjeve vendore të vitit 2011.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura