Elma Doresi, regjisorja “e çmendur” e ndryshimeve

Nov 26, 2012 | 14:27
SHPËRNDAJE
Momente nga komedia “14 vjeç dhëndër”

Prej dy fundjavash e në vazhdim, në Teatrin e Metropolit, batutat aq të dëgjuara të komedisë “14 vjeç dhëndër” janë ndryshuar. Regjisorja Elma Doresi ka ripunuar tekstin, personazhet, por e ka lënë ngjarjen në kohën e vet… Në këtë intervistë na tregon prapaskenat e këtij “eksperimenti”, që së pari të gjithë e quajtën “çmenduri”.

Ndryshe nga Marigoja me egërsi të bukur që jemi mësuar të shohim e të rishohim te komedia ’14 vjeç dhëndër’, njihemi tani me një version të ri të regjisores Elma Doresi. Asgjë nuk ka lidhje me situatat e mëparshme, aktorët e teksti janë tërësisht të transformuar, vetëm se Tana është po ajo, me po ato dëshira për të mos punuar, e për të pasur dikë në shtëpi për ta urdhëruar. Martesa e Gjinos është i vetmi shpëtim. Ndryshe nga ajo, Tana e vërtetë, aktorja Mars….. e sjell këtë të renë në një version burrëror, llafazan e grindavec (jo se ajo e vjetra nuk i kishte). Vangjeli i urtë, natyrisht që është bërë më fjalëshumë, por sidoqoftë jo aq sa t’i bëjë ballë së shoqes… Të gjitha këto situata vijnë përmes dialogësh komikë e me nota mjaftueshëm erotike. Mjafton të përmendim “Këngën e Kandarit” të Çajupit, që të hamendësoni pak rreth dritave të kuqe të atmosferës. Nëse fantazinë nuk e keni shok, mund të shihni aktorët e rinj të Teatrit të Metropolit edhe për disa fundjava të tjera. Në fakt, e gjithë pjesa, rishkruarja e tekstit, është bërë duke u bazuar në motivet e Çajupit, meqenëse spikat në zhanrin e groteskut. E vetmja që nuk kishte ndryshuar ishte koha kur zhvilloheshin ngjarjet. Elementët folklorik të kostumografisë e muzikës, shpesh interpretuar live nga vetë aktorët, të fusnin edhe më në atmosferën e asaj kohe, të fshatit e të dasmës…fundin e së cilës nuk po e zbulojmë. Po ju themi vetëm se pse regjisorja e ripunuesja e tekstit, bashkë me aktorin Devis Muka, zgjodhi pikërisht këtë pjesë për ta risjellë të transformuar…

Pse keni përzgjedhur pikërisht “14 vjeç dhëndër” për ta ripërpunuar?
Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, drejtuesja e Teatrit të Metropolit, Suela Konjari, vendosi që gjatë gjithë vitit të flitej shqip. Këtu gjej mundësinë ta falënderoj publikisht, fal saj kuptova se ku ka më bukur se të punosh mbi veprat tona. Mbas “Karnavaleve të Korçës”, menduam të sillnim një tjetër vepër, siç është dhe komedia e Çajupit “14 vjeç dhëndër”. Gjithmonë zgjedhjen e pjesës e bëj nga aktualiteti që përmban vepra dhe mesazhi që duam t’i përcjellim publikut. Puna me tekstin ka nisur diku nga qershori. Kjo ka qenë vështirësia ime e parë: Të ndërhyja në një tekst! Nëse në një shfaqje tjetër kisha tekstin dhe merresha me regjinë, këtu jo. Këtu më është dashur një punë e dyfishtë, duhej të sillja një herë tekstin e më pas te punoja mbi regjinë. Megjithatë, duhet ta pranoj se të dyja linjat ecën paralelisht, gjatë punës me tekstin, çdo gjë që shkruhej inskenohej. I qëndruam besnik autorit në linjën e tij, pra: Një fillim, një mes dhe një fund. Sikundër i qëndruam besnik edhe fabulës dhe karaktereve. Është e lehtë të gjykosh shkrimin tonë, apo mënyrën se si ne e sollëm këtë komedi, por harrohet thelbi: Ishim përballë një sfide shumë të madhe, në të cilën kemi marrë parasysh edhe dështimin (dhe pse nuk rezultoi i tillë). Pjesëmarrja masive e publikut, bileta të cilat mbarojnë në fillim të javës, kritika pozitive nga profesionistë, na bëjnë të mendojmë se diçka kemi bërë.
Thuajse në të gjitha pjesët që keni vënë në skenë kam parë nota erotizmi, e bëni këtë sepse njerëzit ngacmohen, apo…?
Absolutisht nuk është tendencë e imja të ngacmoj publikun me të tilla tema… Publikun më pëlqen ta ngacmoj me anë të punës sime mbi regjisurën, ky ka qenë qëllimi im që ditën kur hyra në këtë profesion. Erotizmi ka ekzistuar që nga antikiteti, gjë që e kemi prekur dhe në veprën “Gratë në Parlament”. Sikundër kam pasur vepra në të cilat nuk është prekur fare. Nëse një pjesë e ka të nevojshme, pa diskutim që e vendos… kjo jo pa shkak. Më pëlqen të luaj deri në infinit me imagjinatën dhe t’i çoj gjërat deri aty ku mund të thuhet “caku”… kjo për arsye të një mesazhi që unë dua të përcjell… Nëse në këtë komedi kemi një Marigo, në shtratin e së cilës futen të gjithë meshkujt e këtij fshati, është një zgjidhje regjisoriale dhe aspak provokuese. Dhe ajo ç’ ka mua më ka pëlqyer në këtë moment është publiku. Mënyra se si ai e merr këtë moment, mënyra se si ai e percepton, do të thotë se kemi arritur të krijojmë një urë lidhëse midis nesh e tij, dhe se jemi kuptuar më së miri.
Ishte i vështirë transformimi i personazheve, ripërshtatja e tyre?
Në fillim ishte pak tronditëse! Për shembull, do të ndaj me ju dy momente nga dy aktorët e kësaj vepre, Devis Muka, në rolin e Gjinos dhe Marsela Lena, në rolin e Tanës. Me të vendosur veprën, telefonatën e parë ia bëj Devisit: “Hej, këtë radhë do të punojmë mbi komedinë ‘14 vjeç dhëndër’. E gjen se cilin rol kam menduar për ty? Gjinon! Devisi menjëherë u përgjigj: “Elma, nuk mendon se jam paaak i madh për këtë rol?”. Eja i thashë, se do të të tregoj gjithçka kur të takohemi. Ndërsa me Marselën kam komunikuar me SMS: “Marsela, në shator nisim provat me komedinë ‘14 vjeç dhëndër’… për ty kam menduar Tanën. Nuk jam çmendur! Të tregoj gjithçka kur të vish. Përgjigja e Marselës ishte: “Elma Ok. ti je çmendur vërtet!:)))” E kështu me radhë, fillova të ftoja të gjithë aktorët. Pothuajse i tillë ka qenë impakti te të gjithë. Ditën e parë të provave, ashtu siç është rregull, shtrova platformën regjisoriale. Kjo dhe për të treguar se nuk isha çmendur…(shaka). Pastaj çdo gjë u bë shumë e lehtë dhe argëtuese për ne. Çdo provë ka qenë ndryshe, çdo ditë punonim mbi karakteret përkatëse dhe çdo ditë kishte prurje… I falënderoj që më besuan në këtë “çmenduri”, por kujdes, nuk kam mbaruar… Surprizë…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura