“Elbasan Arena” gati për Champions-in

Aug 30, 2014 | 12:23
SHPËRNDAJE

Janë të gjitha mundësitë që klubi bullgar Ludogorets të luajë në “Elbasan Arena”.
 Burime zyrtare në FSHF konfirmuan dje për “Panorama Sport” se stadiumi që po rindërtohet, do të klasifikohet në kategorinë e katërt të UEFA-s dhe, kësisoj, aty mund të luhen ndeshje të fazës në grupe të Ligës së Kampioneve. “Në aspektin teknik gjithçka është OK, pasi stadiumi do të jetë i licencuar edhe deri në atë të fazë të kompeticionit. Gjithsesi, deri më tani, klubi bullgar nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare në FSHF për të luajtur ndeshjet në Elbasan. Pa diskutim që e mirëpresim”, bënë të ditur dje burime zyrtare në institucionin e futbollit shqiptar. Në fakt, vetë presidenti i Ludogorets e konfirmoi se në ditët e ardhshme pret një përgjigje zyrtare nga UEFA për stadiumin e Sofjes, para se të kërkojnë një stadium tjetër, që mes kandidatëve kryesorë është edhe ai i Elbasanit.
Gati për 1 muaj
“Zhurma” e punimeve në “Elbasan Arena” për pak javë pritet t’ua lërë stafetën atyre të tifozëve, të cilët pritet të mbushin shkallët prej 12 mijë e 500 vendesh. Punimet në impiantin më modern që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, janë duke ecur me ritme të kënaqshme dhe është pothuajse e sigurt që do të përfundojë në kohë. Burime të sigurta në FSHF, por edhe pranë atyre që janë në krye të punimeve në impiant, kanë treguar dje për “Panorama Sport” se pritshmëritë janë që në fundin e muajit shtator, më datat 25 deri 30, stadiumi të jetë gati. Ndërkohë, Ludogoretsi me Realin luajnë më 1 tetor. “Panorama Sport” ka arritur të zbardhë të tjera detaje të stadiumit të Elbasanit, nga ku hidhet edhe më shumë dritë rreth pamjes që do të marrë “Elbasan Arena”.
Fasada
Pjesa më tërheqëse dhe “fytyra” e vërtetë e këtij stadiumi është pikërisht fasada. Pasi gazeta zbardhi pak javë më parë se fasada e stadiumit nuk do të jetë tërësisht prej xhami, por pjesa më e madhe e saj do të lyhet, tani zbardhen edhe ngjyrat që do të hidhen në të. Kështu, punonjës që po merren me ndërtimin e stadiumit, tregojnë për gazetën se fasada do të ketë dy ngjyra: blu dhe gri. Për sa i përket blusë, ajo do të jetë me tri nuanca, të cilat do të kenë një kombinim me grinë, duke e bërë tërheqës për syrin e njerëzve. Ditën e djeshme ka filluar edhe lyerja e pjesëve të fasadës me ngjyrat blu dhe pritet që shumë shpejt ajo të jetë gati.
Stolat
Po të njëjtat burime theksojnë për gazetën se ditën e hënë do të fillojë edhe vendosja e stolave, të cilët kanë një kombinim ngjyrash, ato kuq e zi, si dhe të kombëtares sonë të futbollit. Stolat kanë mbërritur në Elbasan përpara disa javësh dhe po mbahen në një magazinë në këtë qytet, por janë pritur që të mbarojnë edhe disa anë teknike për të filluar më pas me vendosjen e tyre. Duke qenë se në stadium po punohet ende, ka shumë ndotje dhe kjo është një nga arsyet për shtyrjen e çështjes së ndenjësve. Ditën e djeshme nisi puna edhe për lyerjen e tribunës qendrore (pjesa që mbulon shkallët) dhe, me mbarimin e saj, të hënën do të fillojë puna për stolat.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura