Eksodi i drejtësisë shqiptare

Jun 14, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

 

FLORJAN KALAJA

FLORJAN KALAJA

Fillimi i vitit 2018 për Shqipërinë nisi me një lajm nga drejtësia ndërkombëtare. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (në vijim Strasburgu) gjeti Shqipërinë me shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (në vijim KEDNJ), për procedurën, mënyrën dhe shembjen me eksploziv të një pallati të ndërtuar në tokë dhe në det në lagjen “Uji i Ftohtë” të qytetit të Vlorës në Dhjetorin e vitit 2013.

Sipas dispozitivit të vendimit të datës 11.01.2018 u konkludua se ka:

a) shkelje të së drejtës së pronarëve për të pasur mjete efektive ankimi për akses në drejtësi;

b) shkelje të së drejtës së pronarëve për proces të rregullt ligjor;

c) shkelje të së drejtës së pronarëve për të gëzuar qetësisht jetën familjare nga sekuestrimi i ndërtesës;

ç) shkelje të së drejtës së pronarëve për të pasur mjete efektive ankimi për mbrojtjen e jetës familjare nga sekuestrimi i ndërtesës;

d) shkelje të së drejtës së pronarëve për të gëzuar qetësisht pronën;

dh) shkelje të së drejtës së pronarëve për të pasur mjete efektive ankimi për të mbrojtur të drejtën e gëzimit të qetë të pasurisë përsa i përket sekuestrimit të ndërtesës;

e) shkelje të së drejtës së pronarëve për të pasur mjete efektive ankimi për mbrojtjen e së drejtës së gëzimit të qetë të pasurisë përsa i përket shpronësimit dhe shkatërrimit të pronës;

ë) shkelje të së drejtës së pronarëve për të gëzuar qetësisht dhe lirisht pasurinë përsa i përket shpronësimit dhe shkatërrimit të ndërtesës. Sipas dispozitivit të vendimit, Strasburgu detyroi Shqipërinë të paguajë ndaj subjekteve të cenuar nga arbitrariteti shtetëror shumën 13.231.500 euro si dëmshpërblim. Në Shqipëri, si çdo lajm që ndan opinionin publik më dysh, llogoret e qëndrimeve morën kahe politike dhe debati mori në një anë trajtën e kritikës së qeverisë dhe nga ana tjetër mbrojtjen e qeverisë.

Pati zëra që kërkuan mosnjohje të vendimeve të Strasburgut, duke e akuzuar gjykatën ndërkombëtare si përkrahëse vetëm të borgjezisë në Europë, ashtu sikurse pati edhe zëra të dëshpëruar që kërkuan daljen e Shqipërisë nga Këshilli i Europës. Vëmendje të madhe mori dëmshpërblimi i bujshëm, por jo arsyet se pse u dha dëmshpërblimi, sikurse dëmshpërblimi të mos kishte fare shkak. Nëpër studio televizive qahej halli i buxhetit të shtetit, por asnjë fjalë nuk iu kushtua problemit struktural që mundet të prodhojnë gjyqet dhe dëmshpërblimet ndërkombëtare eventuale dhe simotra në të ardhmen.

Të gjithë komentonin faktin pa analizuar problemin dhe duke mos dhënë propozime për zgjidhje. Sikurse ndodh gjithmonë kur çështja futet në vorbullën e konsumit ditor politik, pjesa më e rëndësishme nga ky vendim kaloi pa u vënë re dhe se në këtë mënyrë debatit publik i humbi ajo që ishte lajmi dhe shqetësimi kryesor nga ky zhvillim ndërkombëtar jurisprudencial. Sjell në vëmendje se gjithsej Strasburgu ka dhënë 126 vendime kundër Shqipërisë. Ndër to, 125 vendime kanë qenë kronika të një lajmi të paralajmëruar, pasi edhe Shqipëria, edhe pala paditëse edhe Strasburgu kanë qenë të sigurt ndërsa zhvillohej gjyqi se çfarë do të vendosej në fund mbi çështjen.

Të gjitha këto gjykime janë zhvilluar në dhomë këshillimi dhe pa seancë gjyqësore publike, duke qenë se Strasburgut i është dashur vetëm të përsërisë dhe konfirmojë vetveten për raste që i kishte zgjidhur në shtete të tjera europiane vite më parë. E para çështje në Strasburg kundër Shqipërisë, që u gjykua në seancë gjyqësore publike, ishte pikërisht ajo që prodhoi shkatërrimi me eksploziv i pallatit tokë-det në Vlorë. Ky vendim prej 63 faqesh vendosi një standard të ri dhe të padëgjuar më parë mbi shterimin e mjeteve të brendshme të ankimit gjyqësor.

Ndoshta ky precedent europian i jurisprudencës së Strasburgut duhet të vendosej në Dhomën e Madhe, pasi standardi i ri i madh i kalon kufijtë e Shqipërisë së vogël. Ajo çka përbën risi për Shqipërinë dhe Europën në këtë çështje, është fakti se një pjesë e pretendimeve për cenimin e pronës dhe të drejtave themelore të njeriut të personave të dëmtuar nga shembja e pallatit në Vlorë nuk kishin përfunduar akoma shqyrtimin në pushtetin gjyqësor shqiptar dhe akoma nuk ishte shteruar edhe mjeti i ankimit individual në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu, mosmarrëveshja ndërmjet pronarëve të shpronësuar të ndërtesës së shkatërruar në Vlorë dhe shtetit, lidhur me vlerën e kompensimit, ishte shqyrtuar në gjykatën administrative të shkallës së parë dhe të apelit dhe vlera e kompensimit ishte rritur gjyqësisht me shumëfish në krahasim me atë që kishte caktuar administrativisht Këshilli i Ministrave në vendimin e shpronësimit.

Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte rekursuar në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit pa dhënë asnjë arsye pse dhe rekursi kishte disa muaj më shumë se tre vjet që priste të shqyrtohej në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Kjo do të thotë se Strasburgu shqyrtoi pretendimet e subjekteve ankues për cenim të së drejtës së pronës nga shkatërrimi dhe shpronësimi me eksploziv i ndërtesës pa u pritur më parë se çfarë do të vendoste Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese mbi këtë çështje.

Më parë ishte dëgjuar nga Strasburgu se mënyra se si Gjykata Kushtetuese e ofronte aksesin në drejtësi për individët në Shqipëri e bënte këtë mjet ankimi të brendshëm shtetëror joefektiv për qëllimet e garantimit të KEDNJ dhe se Strasburgu nuk priste që të aktivizonte juridiksionin e saj me pretendimet e shtetit shqiptar se duhet të ezaurohej ankimi kushtetues. Por, për herë të parë në Europë, në këtë çështje kundra Shqipërisë u dëgjua nga Strasburgu se edhe Gjykata e Lartë ishte mjet joefektiv ankimi dhe se aktivizimi i juridiksionit të Strasburgut mundet të bëhej edhe pa pritur që çështja të gjykohet nga autoriteti më i lartë gjyqësor në Shqipëri. Sigurisht që kjo konsideratë nihilizuese për Gjykatën e Lartë ishte e papritur dhe se ishte lajmi më kryesor, edhe se ndërtesa tokë-det, shkatërrimit me eksploziv i pronës, shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut, politika e ditës dhe dëmshpërblimi i madh borgjez.

Strasburgu në këtë vendim, në paragrafin 153, arsyetoi se pezullimi i ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata e Lartë pa dhënë asnjë arsye se pse, moskompensimi nga Këshilli i Ministrave as i shumës së caktuar në vendimin e shpronësimit, mosshqyrtimi i rekursit për 3 vjet nga Gjykata e Lartë dhe moskompensimi i titullarëve të pronës së shkatërruar dhe shpronësuar për 4 vjet, përbëjnë rrethana për të konkluduar se në Shqipëri edhe Gjykata e Lartë edhe Gjykata Kushtetuese nuk janë mjete efektive ankimi.

Pas kuptimit të kumtit të madh që ka ky vendim i Strasburgut, natyrshëm, autoritetet shtetërore përgjegjëse dhe i gjithë opinioni publik shqiptar duhet të shqetësohej jo për çfarë ndodhi në një rast të vetëm, por se çfarë mundet të ndodhë në muajt në vijim në qindra raste simotra që varen për gjykim në Kolegjin Administrativ apo Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Mjaft të sjellësh në vëmendje faktin se ka qindra çështje, në të cilat Gjykata e Lartë ka vendosur pezullimin pa arsyetim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë dhe që ka me mijëra çështje të regjistruara që nga viti 2013, të cilat presin të gjykohen në Gjykatën e Lartë dhe askush sot nuk di me siguri se kur do të përfundojë gjykimi i tyre.

Kjo do të thotë se edhe pa bërë rekurs, edhe pa bërë ankim kushtetues individual, individët e cenuar në të drejtat themelore në Shqipëri mundet t’i drejtohen menjëherë Strasburgut. Kjo çon në konkluzionin e prejardhur, megjithëse të pathënë shprehimisht nga Strasburgu, por lehtësisht të hamendësueshëm nga analiza që gjykata bën në këtë vendim, se nëse edhe gjykimi në shkallë të parë apo në apel zgjat këtu dhe me këtë garniturë rrethanash, mundet të konkludohet se edhe gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit nuk janë mjete efektive mbrojtjeje për të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri dhe se, pasi kjo të konkludohet, individi, pa iu drejtuar Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese, mundet t’i drejtohet menjëherë me padi Strasburgut.

E kam shumë të vështirë të shpjegoj juridikisht se çfarë do të gjykojë Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në këtë çështje pas vendimit që Strasburgu dha. Njëlloj do ta kem të vështirë të shpjegoj juridikisht se çfarë do të ndodhë me çështjet në gjykatat shqiptare të çdo shkalle nëse njëlloj Strasburgu në të ardhmen do t’i shquajë si joefektive për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Pa dyshim që “Eksodi” ishte kumti më kritik që erdhi nga vendimi i Strasburgut mbi drejtësinë dhe shtetin shqiptar në ditët e para të vitit 2018. Fatkeqësia është se, në vend që institucionet përgjegjëse dhe opinioni publik të merrej me adresimin e zgjidhjeve për këtë problem strukturor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, vëmendje mori mbrojtja e padrejtë borgjeze që Strasburgu bën, argumentet dritëshkurtër politik dhe dëmshpërblimi i kripur.

Asnjë nuk u shqetësua se palët nën të njëjtat kushte, që po gjykohen në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese, mundet të vendosin të braktisin drejtësinë shqiptare dhe t’i drejtohen Strasburgut dhe se tashmë drejtësia ndërkombëtare e krijoi precedentin e zgjidhjes për të tilla raste dhe se zgjidhjet për këto ankime evropiane, tashmë do të përbënin kronikë të lajmeve të paralajmëruara. Duke u marrë vetëm me lajmet që prodhon vetingu dhe institucionet ndihmëse të këtij procesi dhe duke u kënaqur dhe u mjaftuar vetëm me to, po humbet dita-ditës vëmendja nga ndërtimi dhe mirëmbajtja e funksionalitetit të sistemit të drejtësisë.

Ajo që, afërmendsh, pritet pas kumtit të ditëve të para të vitit 2018, është braktisja e pushtetit gjyqësor shqiptar dhe eksodi i çështjeve dhe palëve ndërgjyqëse drejt Strasburgut. Në një situatë të tillë, nëse nuk analizohen me mendje të ftohtë problemet për të gjetur zgjidhje strukturore, gjykatat shqiptare nga më të ulëtat deri te më të lartat do të ngjajnë si emra me mbiemra bosh dhe vetëm si ngrehina institucionale jofunksionale. Në këto kushte, autoritetet përgjegjëse të të tre pushteteve kanë detyrën për të krijuar kushtet kushtetuese, ligjore dhe funksionale për ndaluar fenomenin e shfaqur rishtazi në fillimin e vitit 2018, eksodin e drejtësisë shqiptare.

*Gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura