EKSKLUZIVE/ Xhuljeta e lidhur me Xhaferin? Flasin familjarët e 19-vjeçares: Ishte maniak, vajza…

Jun 15, 2018 | 22:29
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA

EKSKLUZIVE/ Në shtëpinë e Xhafer Matës, babai: I kam çuar fjalë familjes së Xhuljetës, po pres…

Jemi në shtëpinë e Xhafer Matës, 31-vjeçarit që një javë më parë vrau ish-të dashurën dhe më pas veten. Një makinë policie qëndron e parkuar përballë shtëpisë 2- katëshe dhe nga familja Mata mësuam se efektivët qëndrojnë aty 24 orë me turne, që prej ditës kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Vendim ky që është marrë nga vetë Policia dhe jo me ndonjë kërkesë nga ana e familjes për mbrojtje. Në shtëpi na pret babai i Xhaferit, Taip Mata, i cili na mirëpret për një kafe bashkë me të shoqen, njërin prej djemve dhe nusen e tij. Në sallon herë pas here hyn e del edhe djali i vogël i Xhaferit, i cili vazhdon të jetojë aty, edhe pse prindërit i ishin divorcuar që prej janarit dhe nëna e tij ndodhet te njerëzit e saj.

xhaferr mata
Xhafer Mata

Ndonëse autor i ngjarjes së rëndë që ndodhi javën e kaluar është djali i tyre, fatkeqësia është e dyfishtë, edhe për familjen e Xhuljeta Çunit edhe për atë të Xhafer Matës. Babai i 31-vjeçarit, me mirësjellje na kërkon që të jemi të duruar për aq kohë sa ende nuk janë bërë 7 ditë nga ngjarja e rëndë. Na kërkon që të mos i rëndojmë më shumë, qoftë ata, qoftë edhe familjen e vajzës. Ndërsa tregon se është në pritje të një takimi me familjarët e Xhuljeta Çunit.

Xhuljeta Çuni dhe Xhafer Mata
Xhuljeta Çuni dhe Xhafer Mata

“Jam në pritje të një përgjigjeje. Përmes një njeriut tim, i kam çuar fjalë babait të vajzës. Tani po pres që të takohemi dhe të bisedojmë”, shprehet Taip Mata. Ai thotë që ende nuk është momenti për të folur rreth ngjarjes së rëndë që ka ndodhur. “Çdo fjalë e thënë pa menduar, në mërzitje e sipër dhe në trishtimin që na ka rënë për pjesë të përjetojmë, do na rëndonte më shumë ne dhe ata”, shprehet ai. Ndërkohë, babai i Xhaferit pranon se ngjarja mund të parandalohej. Sipas tij, nëse Policia apo Prokuroria do e kishin vënë në dijeni familjen e Xhuljeta Çunit, gjërat sot mund të ishin ndryshe.

Shtëpia e Xhafër Matës
Shtëpia e Xhafër Matës

Flasin familjarët e 19-vjeçares, Xhuljeta Çuni

Ndonëse në procesverbalet e deklarimeve të mbajtura në Polici dhe në Prokurori, Xhuljeta Mata dhe Xhafer Çuni specifikohen si ish-të dashur, familja e 19-vjeçares nuk e pranon këtë.

xhafer xhuljeta

Ata shprehen se Xhuljeta nuk ka pasur të dashur, ndërsa shqetësimet që kishte pasur nga Xhafer Mata nuk ia kishte thënë familjes, pasi kishte prioritet shkollën dhe donte që ta zgjidhte me drejtësi, për të parandaluar sherret apo problemet.

“Vajza nuk e ka pasur të dashur. As nuk ka folur me të. Ai ka qenë maniak. Të paktën ju gazetarët mbroni vajzat, sepse Policia nuk po vendos drejtësi. Mediat duhet t’i japin të drejtë vajzave, jo monstrave”, shprehet një i afërm i Xhuljeta Çunit, përmes disa mesazheve që na ka dërguar. Ai na kërkon që për hir të vajzës së re që hyri në dhe’, të lëmë të qetë familjen e saj.

“Siç ka qenë vajza e drejtë, ne të drejtat do i kërkojmë. Fajtori edhe pse në Shqipëri nuk dënohet, të paktën të dimë kë të fajësojmë”, shprehet ai.

Familja e Xhuljeta Çunit është shprehur para disa ditësh me rezerva edhe për punën parandaluese të Policisë e të Prokurorisë. Madje, edhe lapsusi në një prej komunikatave, ku në kallëzimin që kishte bërë Xhafer Mata për mashtrim, Policia i referohet Xhuljeta Çunit si ish-bashkëshortja e tij, për familjen është i papranueshëm.

Ndërsa tregojnë se nuk kanë qenë në dijeni të veprimeve të Policisë e Prokurorisë, për të cilat pretendojnë se duhej të ishin njoftuar. Ndërsa babai i 19- vjeçares nuk ndodhej në Shqipëri në kohën kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Ai prej vitesh ka jetuar e punuar si emigrant në Greqi, fakt që ishte përmendur edhe nga viktima në kohën që ka folur me psikologët në Prokurorinë e Tiranës. Për këtë arsye, ajo kishte vendosur të mos i tregonte familjes, në mënyrë që të mos e shqetësonte të atin që ndodhej në emigracion.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura