Ekskluzive/ Të enjten seancë për shtatë ligjet? Reagon ambasada e SHBA

Jul 27, 2016 | 8:21
SHPËRNDAJE

Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të enjten e kaluar, tani duhet që të miratohen edhe shtatë ligjet për institucionet e drejtësisë në mënyrë që Reforma të fillojë të funksionojë.

Donald Lu

Prej dy ditësh po përflitet për një seancë tjetër ditën e enjte ku të miratohen shtatë ligjet, megjithëse Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë në komisionin e posaçëm kur draftet janë diskutuar.

Për këtë arsye “panorama.al” pyeti ambasadën amerikane nëse ka një kërkesë drejtuar Parlamentit që të enjten të zhvillohet seanca e radhës për Reformën në Drejtësi.

“Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi miratimin e shtatë ligjeve dhe zbatimin e plotë të Reformës nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent gjatë javëve që vijnë”, bëri të ditur zyra e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ndërkohë, Top Channel raporton se Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kishte kërkuar në rrugë jozyrtare miratimin e ligjit të Vettingut brenda muajit korrik për shkak se mund të digjej një fond i akorduar nga BE.

Lidhur me këtë kërkesë kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka tha se “Kemi biseduar me zotin Ruçi dhe kemi rënë dakord që  25 korriku të jetë seanca e fundit e këtij sesioni. Në Grupin Parlamentar të PD-së nuk ka asnjë kërkesë nga askush për të mbledhur seancën plenare”.

Ndërsa sipas Petrit Vasilit “Më 25 korrik ishte seanca e fundit për këtë sesion. Dakordësia ka qenë kjo: që 7 ligje, nuk kanë mundësi kushtetuese të kalojnë këtë sesion dhe sesioni i radhës nis më 4 shtator”, thotë Vasili.

Nga ana tjetër kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi thotë se Parlamenti nuk mbyllet asnjëherë.

“Parlamenti është gjithmonë i pambyllur. Ai është funksional në çdo kohë. Nëse ka emergjenca në korrik apo në gusht, Parlamenti mund të mblidhet në çdo kohë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura