Ekskluzive/ Si e shpëtoi mjeku Vasil Laboviti qytetin e Gjirokastrës nga masakra e ushtrisë gjermane! Të pathënat nga spitali ku operoheshin partizanët

Sep 15, 2022 | 15:19
SHPËRNDAJE

Vasil LabovitiAFRIM IMAJ

Ka qenë një mjek i famshëm në Gjirokastër, pinjoll i një fisi të shquar. Ka jetuar afër një shekulli dhe ka ikur duke lënë një emër të nderuar. Një emër dhe një histori të jashtëzakonshme, që ka qarkulluar si legjendë edhe përtej qytetit të ngurtë.

Doktor Vasil Laboviti, apo Vasili i madh, siç njihej më së shumti në ngjallje, ka drejtuar spitalin e Gjirokastër për gati dy dekada, duke filluar nga viti 1935. Ka qenë sakaq kirurgu kampion që realizoi me sukses 50 mijë operacione. Që do të thotë 50 mijë jetë të shpëtuara, madje në kushte modeste me plot mungesa e mjete të kufizuara.

Ka mbetur ky rekord në krenarinë e bluzave të bardha, që do ta dëshironte gjithkush prej tyre. Në fakt, Vasili i madh, për çka bëri e realizoi në profesionin e tij, ka qenë një shkollë e madhe, unike në llojin e vet. Përtej kësaj kreshpe të lartë në karrierën disavjeçare, ai është fiksuar në kujtesën e gjirokastritëve, por jo vetëm, për një ngjarje tjetër të bujshme. Doktor Vasili, mjeshtri duarartë që shpëtoi nga thonjtë e vdekjes me mijëra pacientë, një ditë të bukur mundi të shpëtojë krejt qytetin nga një katastrofë e tmerrshme.

Këtë radhë jo me mjetet e përhershme bisturi e medikamente, si nga hera, por me armën e mençurisë që funksionoi mrekullisht e shmangu një tragjedi të padëgjuar kurrë. Ngjarja daton në 27 shtator 1943 kur Gjirokastra ishte pushtuar nga hordhitë naziste dhe në sheshin e Çerçizit 200 burra prisnin nga çasti në çast përballë mitralozëve gjermanë urdhrin e ekzekutimit. Qyteti sakaq ishte vënë në shënjestër për t’u djegur i tëri. Vetëm ndërhyrja proverbiale e doktor Vasilit bëri të pabesueshmen, shmangu tragjedinë e jashtëzakonshme, shpëtoi qytetin e liroi pengjet.

Një Borovë tjetër, shumë më e madhe nga ajo, ishte gati të ndodhte atë ditë shtatori në Gjirokastër. Po doktori mendjeartë i dha tjetër rrjedhë historisë, sikundër kishte bërë gjithmonë në përballjen me kërcënimin e vdekjes. Ngjarja sa bëri bujë ato ditë lufte, aq u hermetizua më vonë, shumë herë madje u la në heshtje. Kishte një “arsye” pa arsye regjimi komunist, që nuk i pëlqeu “ujdia” me gjermanët, pavarësisht benefiteve me jetë njerëzore.

Për herë të parë, kjo histori është përmendur pas viteve ‘90, po dhe atëherë në varante nga më të ndryshmet, herë-herë e mitizuar, e here-herë si diçka e zakontë që mund ta bënte kushdo. Po cila ka qenë e vërteta, si ka ndodhur çlirimi i pengjeve dhe si ndërhyri doktor Vasil Laboviti te komanda gjermane për të shmangur tragjedinë. Për herë të parë, e sjell këtë për gazetën “Panorama” Llazi Duka, nipi i doktorit të famshëm, djali i vajzës së vetme të tij.

Zoti Llazi, ju jeni nipi i doktor Vasilit Labovitit, që keni jetuar shumë vite bashkë, si e kujtoni dhe çfarë mbresa ruani nga komunikimet e përditshme me të?

Unë jam djali i vajzës së vetme të doktor Vasilit, që njihej ndryshe si Vasili i madh. Ndoshta nuk më takon mua të flas për të, pasi ai ka qenë një figurë e shquar jo vetëm për mjekësinë dhe Gjirokastrën. Nga çfarë mbaj mend nga detyrat që ka kryer, kujtoj atë të drejtorit të spitalit të qytetit, të cilën e ka ushtruar nga viti 1935 deri në vitin 1954.

Pa dyshim sikundër shprehej dhe vet, më e vështira për të kishte qenë koha e pushtimit fashist dhe nazist kur i ishte dashur shumë mund e sakrifica për të përmbushur jo vetëm misionin e mjekut, por edhe atë të drejtorit të spitalit, i vetmi ky asokohe në jugun e vendit. E vërteta është se Vasili i madh ka qenë një emër i famshëm në qytetin tonë e kjo më jepte krenari…

Ai e kishte emrin Vasil Laboviti, pse i thoshin Vasili i madh? Kjo për emrin e krijuar në ushtrimin e profesionit si mjek, apo kishte ndonjë arsye tjetër?

Nuk më kujtohet me saktësi kur filluan t’i thërrasin Vasili i madh, por me sa di kjo lidhet me ardhjen kohë më vonë në Gjirokastër të një tjetër mjeku me emrin Vasil, që dhe ai u shfaq shumë premtues e profesionist i zoti. Me sa duket, për mos t’i ngatërruar, njerëzit bënë zgjedhjen e tyre dhe njërit i flisnin Vasili i madh dhe tjetrit Vasili i vogël. Kjo ka qenë arsyeja. Pastaj gjyshi nuk i pëlqente lëvdatat vend e pa vend. Ai cilësori i Madh përjetohej me një bezdi të madhe nga ai…

Çfarë kujtoni nga koha kur jetonit bashkë nën të njëjtën çati në lagjen “Varrosh”?

Vërtet që jetonim nën të njëjtën çati, por me të takohesha vetëm pak çaste në mbrëmje vonë. Madje, jo gjithnjë. Nuk mbaj mend asnjë mëngjes të jemi përshëndetur me njëri-tjetrin, se kur zgjohesha unë ai ishte në punë. Çdo ditë shkonte në spital para orës pesë të mëngjesit dhe kthehej kur ngrysej.

Ritual i përditshëm në shtëpinë tonë ishin trokitjet e shpeshta të postierit në portë që i sillte letrat e pakot e shumta, pjesa më e madhe me libra shkencor që ai i porosiste herë pas here. Po ashtu, të pashkëputura ishin trokitjet e njerëzve që sa hapnim derën pyesnin “Aty është doktor Vasili?”. Të njohur e të panjohur vërshonin pa reshtur secili për hallin e vet. Gjyshi gjente mënyrën për t’iu përgjigjur çdonjërit prej tyre…

Vasil Laboviti njihet si kirurgu që ka bërë numrin më të madh të operacioneve. A mbante ai ndonjë evidencë për këtë?

Unë di që aty nga vitet ‘70 Kinostudioja bëri një dokumentar për të. Aty për herë të parë kam dëgjuar që doktor Vasili ka kryer mbi 50 mijë operacione. Ai vetë nuk e përmendi asnjëherë këtë shifër, po nuk e fshihte kënaqësinë për suksesin si kishin shkuar ndërhyrjet kirurgjikale. Sidomos kur bëhej fjalë për lindjet e vështira. Se njëherazi me profesionin e kirurgut ai ishte specializuar në Austri dhe për gjinekologji…

Përtej suksesit në profesionin e mjekut, doktor Vasili përmendet për një ngjarje të bujshme që ka të bëjë me shpëtimin e pengjeve të nazistëve gjermanë në qytetin e Gjirokastrës. Është folur shumë herë për këtë histori, ka madje libra për të ku ngjarja sillet në forma të ndryshme. Si e tregonte doktor Vasili atë që kishte ndodhur me lirimin e pengjeve?

Ai rrallë, shumë rrallë fliste për këtë ngjarje. Megjithatë, unë kam pasur rastin ta dëgjoj disa herë nga goja e tij. Një herë kur e tregonte në konfidencë me ca miq të ngushtë dhe një herë kur ia kam kërkuar unë të ma tregojë në mirëbesim…

Çfarë mbani mend nga rrëfimi i tij për këtë histori të pazakontë?

Ngjarja ka ndodhur në ditët e para të pushtimit nazist të qytetit, diku nga mesi i shtatorit 1943, pikërisht pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste. Gjermanët që ndodheshin në Greqi dhe Jugosllavi, vetëm pak ditë pas kapitullimit të Italisë, nisën ofensivën për pushtimin e Shqipërisë dhe Greqisë, për të përmbushur dy qëllime kryesore.

Së pari, të hakmerreshin ndaj Italisë për “tradhtinë” që braktisi frontin dhe së dyti, të mbushnin pa humbur kohë “boshllëkun” e krijuar për të shmangur një zbarkim të anglo-amerikanëve në Shqipëri dhe Itali, ku mendohej si një mundësi reale e hapjes së një fronti të dytë në Evropë, i cili përfundimisht u hap në Francë një vit më vonë..

Pra, në këto rrethana ka ndodhur kërcënimi për masakrën e Gjirokastrës…

Në atë kohë, doktor Vasili ishte drejtor spitali. Sipas zakonit të krijuar qysh nga koha e studimeve në universitetin e Gracit, në vitet 1922-1932, ku përfshihen 6 vjet studime universitare dhe 4 vjet specializimi, çohej herët, ende pa u gdhirë dhe shkonte në spital. Në orën pesë aty fillonte punën. Kjo ishte e përditshmja e tij. Me qëllim që t’i kryente operacionet sa më herët për të shmangur vapën që pasonte gjatë ditës.

Sa mbaronte punë në sallën e operacioneve, fillonte vizitat në pavijon dhe mjekimet e radhës. Aty nga ora 11 apo 11:30 largohej dhe shkonte te Qafa e Pazarit, te kafja e Bezhanit, që e frekuentonte rregullisht. Merrte kafen e mëngjesit, të shoqëruar me një gotë uzo, zakon ky që nga vitet e studimeve në Austri. Uzua e holluar me pak ujë i krijonte shijen e shlivës austriake. Si mbaronte këtu dalëngadalë merrte rrugën për në shtëpi, në lagjen “Varrosh”.

Atë ditë të messhtatorit 43, kur akoma nuk kishte përfunduar ritualin e përditshëm te Kafja e Bezhanit te Qafa e Pazarit, te këndi i kryqëzimit të rrugës që të çon në kala, në qytet kishte shpërthyer një ngjarje e tmerrshme. Gjermanët, që atë ditë kishin mësyrë tokën shqiptare nga Kakavija me një autokolonë ushtarake me tanke e autoblinda, së cilës i paraprinte një pararojë me një motor triçikël dhe një xhip të blinduar me tetë ushtarë të armatosur brenda, i ishin vërsulur Gjirokastrës me tërë arsenalin e armëve.

Pararoja e shkëputur nga autokolona ra në pritë sa filloi të ngjitej në qytet pikërisht tek ura e Nanxës, diku në mesin e lagjes së sotme “Punëtore”. Aty u godit rrufeshëm nga sulmi i befasishëm i një guerileje. Ishte kjo përshëndetja e “mirëseardhjes” që i bënte Gjirokastra okupatorit të ri. Gjyshi më ka folë gjatë për dy ilegalët që gozhduan në vend pararojën e gjermanit.

Njëri ishte nga qyteti i Gjirokastrës dhe tjetri nga Vlora. Ky vlonjati, thoshte gjyshi, kishte lindur me dorën e djathtë cung, pra, të prerë, po me dorën e majtë ama të thante piten. Nga sulmi i tyre ranë përdhe dy nga ushtarët që ishin në motor. Sakaq, nga xhipi që vinte mbrapa dolën tetë ushtarët e armatosur dhe nisën menjëherë sulmin e rrufeshëm. U lajmërua menjëherë komanda e autokolonës. Për disa çaste, qyteti u ndez nga breshëritë e pandërprera. Ndërkohë, guerilet u tërhoqën në drejtim të kalasë. Me shpejtësi rrufe trupa e motorizuar naziste u gjend te sheshi i Çerçizit.

Dy të plagosurit mbetën tek ura e Nenxës. Banorët e lagjes që u gjenden aty i morën dhe i çuan në spitalin e qytetit. Mbërritja e autokolonës në qytetet ndezi katastrofën e vërtetë. Shpagimi për sulmin e guerilësve filloi menjëherë me reprezalje, bastisje, arrestime dhe djegie të qytetit. Akoma më shumë u rrit tërbimi i tyre kur nuk gjetën trupat e dy ushtarëve të vrarë, që ata i kishin kujtuar të vdekur. Një sulm i rrufeshëm nëpër shtëpi, dyqane, rrugica e kafene. Në pak minuta, u arrestuan rreth 200 vetë, të cilët i rreshtuan në sheshin e Çerçizit, para turizmit të sotëm, që asokohe ishte godina e bashkisë. Në turmën e tyre ishte dhe doktor Vasili që e kishin kapur te Kafja e Bezhanit dhe e kishin prangosur bashkë me pronarin e lokalit dhe klientët që kishin gjetur aty.

Pra, doktor Vasilin e kanë arrestuar, nuk e ka kërkuar komandanti gjerman, siç flitet, me të cilin kishte kryer studimet në Austri…

Nuk e di çfarë kanë thënë e shkruar të tjerët, por unë e kam dëgjuar nga goja e gjyshit vet. Ai atë ditë ka qenë pjesë e pengjeve të ushtarëve gjerman. E kanë kapur te kafja në Qafë të Pazarit dhe e kanë sjellë te Sheshi i Çerçizit të lidhur. As bënte fjalë që ai të njihej me ndonjërin nga oficerët gjermanë. Janë legjenda e fantazi ato çfarë thuhen….

Si mundi atëherë doktor Vasili të kthejë mbrapsht urdhrin e komandantit gjerman për ekzekutimin e pengjeve dhe djegien e Gjirokastrës?

Arma e vetme që zotëronte në këtë përballje të frikshme ishte njohja dhe përdorimi i gjuhës gjermane. Ajo iu fut në punë në momentet më kritike.

Kërkoi ndihmë në gjermanisht?

Nuk bëhej fjalë t’i kërkoje ndihmë gjermanit, ca më tepër në ato rrethana kur ata ishin bërë bisha nga tërbimi. Në kontaktin e parë që pati me ushtarin që e mbante për krahu, vendosi t’i ofronte afrimitet duke iu drejtuar në gjermanisht. “Zotëri, të lutem më jep një cigare!”. Tjetri, i befasuar më shumë nga gjuha se nga kërkesa e tij, iu kthye ballas dhe aty për aty i tha: “Çfarë kërkon ti këtu mes këtyre banditëve?”. “Jo, i tha gjyshi, nuk jam bandit, po mjek, drejtor i spitalit të qytetit.

“Gjerman?”, ia ktheu ushtari nazist, “ke ardhur këtu me shërbim”. “Jo,- i tha Vasili,- jam shqiptar”. “Atëherë, si e ke mësuar gjermanishten?”, shtoi kërshërinë mysafiri i paftuar. “Kam qenë 10 vite me studime në Austri, madje aty kam pasur shumë shokë nga Gjermania”, e sqaroi gjyshi. “Bukur, bukur”, u shpreh ushtari dhe aty për aty deshi t’i thoshte diçka tjetër, por i tërhoqi vëmendjen shoku që kishte në krahë. Në fakt, siç tregonte gjyshi ata ishin shumë të alarmuar për fatin e dy ushtarëve që kishin mbetur në plagosur kur futeshin në qytet dhe nuk i gjenin dot. “Mos di gjë ti për fatin e tyre”, e pyeti një moment me një lloj mirëbesimi roja gjermane doktor Vasilin.

“Nuk e di nëse janë ata të dy që kërkoni ju, iu përgjigj gjyshi tjetrit që dëgjonte sy e vesh, po dy ushtarë të plagosur ndodhen në spitalin tonë. I sollën banorët e lagjes që i gjetën të plagosur”. “Në spital, vërtet?”, u hodh tjetri që nuk e fshehur gëzimin për një çast. “Po, po, i kam mjekuar me duart e mia”, ia ktheu gjyshi. Kaq mjaftoi për rojën gjermane dhe nxitoi për t’ia përcjellë lajmin e porsa marrë eprorit të tij që ndodhej në hotel “Hadëri”.

Çfarë ndodhi pas kësaj?

Ushtari që kishte fol me doktor Vasilin sa u paraqit tek eprori, i shpjegoi me një frymë: Njëri nga të arrestuarit në rresht që flet shumë mirë gjermanisht pretendon se është drejtor i spitalit të qytetit dhe dy ushtarët gjermanë të plagosur mjekohen në spital në kujdesin e tij. Komandanti disi mosbesues aty për aty urdhëroi dy korrierët e tij që me një motoçikletë të shkojnë dhe të verifikojnë nëse ndodhen aty dy ushtarët e plagosur. Vetëm për pak çaste korrierët e njësisë mbërrijnë në spital.

Infermieri Kanan Zoto edhe pse nuk dinte gjermanisht, e kuptoi vizitën e papritur të tyre dhe i drejtoi te dhoma ku mjekoheshin dy ushtarët gjerman, nga të cilët njëri ishte kapiten dhe tjetri ushtar i thjeshtë. Sa u përballën me ta, korrierët njohën kapitenin dhe iu drejtuan. Kapiten, si ju kanë shërbyer? Shumë mirë, ia kthen tjetri. Fill pas kësaj bisede ata u kthyen te komandanti dhe i raportuan se vërtetë dy të plagosurit ndodheshin atje dhe mjekoheshin me kujdes e pa dallime. Kaq mjaftoi që komandanti të urdhërojë prerë: Të lirohen të gjithë të arrestuarit, kurse doktorin ma sillni këtu.

Sa mbaroi komunikimin, komandanti të gjithë u shpërndanë sa hap e mbyll sytë duke vrapuar e duke kthyer hera-herës kokën pas se mos anulohej urdhri e i arrestonin sërish. Jo pak syresh nga nxitimi lënduan këmbë e duar dhe përfunduan në spital, tashmë pacientë të doktorit që i shpëtoi nga pushkatimi. Shumë nga burrat e shpëtuar ishin bashkëlagjes të gjyshit në “Varrosh” dhe kur u kthyen treguan çfarë kishte ndodhur te sheshi “Çerçizit”. Sakaq treguan se doktor Vasilin e kishin mbajtur gjermanët. Kjo shkaktoi shqetësim të madh në shtëpi, aq sa filloi kuja me të drejtë se kujtuan se e kishin mbajtur për ta pushkatuar.

Ndërkohë, çfarë ndodhi me doktor Vasilin?

Atë e çuan në zyrën ku rrinte komandanti, sikundër kishte urdhëruar ai. “A ke mjekuar gueriles?”, e pyeti komandanti. “Po”, u përgjigj qetë e shtruar doktori. “Ke mjekuar gueriles, komunistë?!”. “Ëhëë”, shtoi doktori, por jo vetëm gueriles e partizanë, por dhe gjermanë, italianë, grekë. Kam mjekuar këdo që ka ardhur në spital, pa dallime. Se ne mjekët kemi bërë betimin e Hipokratit, sipas të cilit bluzat e bardha nuk njohin ndasi, por vetëm qytetarë që kërkojnë ndihmë. Madje, ne i shërbejmë edhe hasmit kur na kërkon mjekim, ndërkohë që hasmërinë mund ta vazhdojmë më pas. “Ashtu?”, tha gjermani. Vasili pohoi me kokë.

“Të të besoj”, shtoi tjetri në gjermanisht. “Natyrisht”, i tha gjyshi. “Unë prandaj jam mjek, e drejtor spitali”. “Ok” bëri komandanti nazist dhe i shtrëngoi dorën. “Së fundi, desha të të pyes se çfarë kërkon nga ne”. “Asgjë, vetëm të shkoj në shtëpi”, u përgjigj Vasili. Ndërkohë gjermani urdhëroi dy ushtarë për ta shoqëruar të porsanjohurin deri te porta e shtëpisë së tij.

“Nuk është nevoja”, ia bëri Vasili, unë jam në qytetin tim dhe e di mirë rrugën. “E di, e di, pohoi gjermani, por në qytet e rrugica kemi ngritur postblloqe e shumë patrulla me roje të armatosura. Do të shoqërojmë për çdo të papritur e keqkuptim. Si u përshëndetën në gjermanisht, gjyshi i shoqëruar nga dy ushtarë gjerman, mbërriti në shtëpi, ku të gjithë e prisnin të shqetësuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura