EKSKLUZIVE/ Shqipet i shkojnë në “shtëpi”, Kapllani: Të shmangim Spanjën, dua në grup Gjermaninë (E PLOTË)

Nov 24, 2023 | 20:56
SHPËRNDAJE

Përpara se Kombëtarja shqiptare të kualifikohej për në Europian, në një intervistë për “Panorama Sport” Edmond Kapllani u shpreh se kuqezinjtë do t’i priste në Gjermani, aty ku jeton prej vitesh dhe qershorin e ardhshëm do të zhvillohet ky turne.

Kapllani

Ish-sulmuesi i Kombëtares që mban edhe rekordin e golave brenda një fushate eliminatoresh të Europianit është rikthyer të flasë sërish për këtë sukses. Ai shprehet se Kombëtarja ka bërë krenar çdo emigrant që jeton jashtë, pavarësisht se në ndeshjen e fundit nuk shkëlqeu, për shkak edhe të ngarkesës psikologjike që lojtarët kishin.

Kapllani mendon se Broja dhe Kumbulla, do të jenë pjesë e grupit që do të shkojë në “Euro 2024” dhe në lidhje me shortin, ai nuk do të dëshironte në grup kombëtare si Spanja dhe Portugalia. Durrsaku tregon se cilët lojtarë sipas tij kanë dalluar në këto kualifikuese.

Kapllani, kur folëm para Moldavisë, u shprehët se Kombëtaren do e presësh në Gjermani dhe kjo u realizua, kuqezinjtë do të vijnë aty…

Me thënë të drejtën është një arritje madhështore sepse kanë bërë një sezon shumë të mirë kualifikues. Duke hequr dy ndeshjet e fundit, sepse e fundit fare, objektivi u arrit edhe me barazimin në Moldavi. Mendoj se kanë bërë një ecuri shumë të mirë, duke treguar që kemi funksionuar si grup dhe kjo është diçka pozitive për Kombëtaren. Tani ky rrugëtim duhet të vazhdojë më tej, kjo është gjëja më kryesore.

Çfarë nuk shkoi në dy ndeshjet e fundit, sidomos me Ishujt Faroe, ku pati edhe pak zhgënjim nga tifozët për atë paraqitje?

Në Moldavi ishte një ndeshje e atij lloji ku të gjithë lojtarët ngarkohen disi psikologjikisht, ngarkohet koka, trupi. Nuk është se bënë një ndeshje të dobët, por nuk bënë as një ndeshje të mirë. Pikën e morën në fund, me fat apo pa fat nuk ka rëndësi.

Është pak e vështirë ta analizosh. Çdo trajner në botë ka vështirësi në këto situata dhe janë situata që i kanë rastisur shumë futbollistëve të mëdhenj që ka pasur ndeshje që kanë dashur të fitonin, por janë ngarkuar më shumë seç duhet.

Ndërkohë ndeshjen tjetër, Ishujt Faroe po luanin pa asnjë lloj stresi, hapur dhe mirë. Te ne u bënë disa ndryshime në formacion dhe nuk mund të themi se nuk funksionuan. Po t’i shohësh lojtarët, aty janë. Dikush ka besim më shumë sepse ka luajtur e ka shënuar dhe dikush më pak, por pozicionet aty janë. Është shumë e vështirë sepse çdo trajner mundohet ta motivojë ekipin me ato 5 % që mungojnë, siç munguan me Ishujt Faroe. Kjo është analiza ime.

Pse gjithmonë kur na është dashur fitorja, Kombëtarja sikur bllokohet, ndërkohë kur hyn në fushë për të mos humbur, arrin edhe të fitojë?

Për të analizuar kohën tani, sepse është disi e vështirë t’i hysh kohës së Edi Rejës dhe kohës kur kam luajtur unë. Janë situata të ndryshme dhe nga kjo varet. Në këtë situatë me Ishujt Faroe, të cilët kanë luajtur mirë dhe ju kanë hapur probleme edhe ekipeve të tjera në grup. Po të ishin shfrytëzuar ato dy raste në pjesën e parë, do të flisnim ndryshe tani. Po t’i shohësh të gjitha ndeshjet që kemi luajtur, kemi bërë gol me gjysmë rasti dhe kjo i ka motivuar akoma më shumë lojtarët.

Sipas teje, cilët kanë qenë dy lojtarët që kanë dalluar më shumë?

Për mendimin tim ka spikatur gjithë grupi. Deri tani është përmendur shumë Asani. Është një zbulim për Kombëtaren, Silvinjo i dha mundësinë, luajti dhe shënoi. Por, për mua janë të gjithë lojtarët, duke e kapur që nga porta Berisha, më tej me Hysaj që është hera e dytë që kualifikohen, apo Gjimshiti që e pranoi situatën si e ka pasur më parë dhe si është tani. Ka funksionuar grupi, por ajo që më ka bërë përshtypje dhe mund të them që janë zemra e Kombëtares, janë tre mesfushorët, Bajrami, Asllani dhe Ramadani. Kjo treshe është frymëmarrja e ekipit kombëtar dhe ka bërë diferencën, por pa harruar edhe mbrojtjen që ka qënë solide. Ka qenë i gjithë grupi.

Ndalesa e radhës është në Europian, edhe pse kjo varet nga rivalët që do të kemi në grup, si mendoni se janë shanset për një paraqitje dinjitoze?

Ekipi kombëtar ka luajtur me Poloninë, Çekinë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Si Çekia dhe Polonia vinin në këto kualifikuese me një ekip të plakur në shumë aspekte, nuk ishin si para tri vitesh, sepse është edhe me brez. Kombëtaren nuk e kemi parë ende kundër një ekipi të fortë, si Spanja, Portugalia, Holanda etj.

Edmond-Kapllani

Por mua më jep optimizëm ky grup, vrapojnë pa fund dhe po ta shohësh futbolli modern ka ndryshuar. Sa më shumë të vraposh, aq më shumë ke mundësi për të fituar. Kështu që ne do t’i luajmë ato ndeshje në Europian pa ndonjë presion të jashtëm apo të brendshëm, sepse objektivi është arritur dhe një objektiv tjetër është luks. Unë e shoh që ekipi ka kualitet që të bëjë edhe më mirë në fazën finale.

Broja nuk ka luajtur asnjë ndeshje, ndërsa Kumbulla vetëm një në këto eliminatore, si e shihni situatën e tyre tani pas kualifikimit?

Si Broja dhe Kumbulla në këto momente të dy lojtarët janë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë kombëtar. Po ashtu edhe për ekipe si Roma dhe Çelsi kanë interesin që lojtari i tyre të jetë në kampionatin europian me Kombëtaren. Do të thotë që këto klube do i japin më shumë mundësi të dy lojtarëve për tu aktivizuar, që të vinë në formë të mirë. Broja është lojtari që po i mungon Shqipërisë për momentin, po flasim nga ana e kualitetit.

Po të shohësh Cikalleshin, i cili jep maksimumin dhe shpirtin në fushë, vjen një moment ku dikush do të të zëvendësojë. Brojën e shoh si zëvendësuesin ideal. Megjithatë, dera e Kombëtares është e hapur dhe është radha e Brojës që të futet. Kombëtarja ka nevojë për të dhe ai ka nevojë për ekipin. Do jetë pozitive për të dy. Edhe për Kumbullën e njëjta situatë, është një lojtar i Romës. Nëse nga ana fizike do të jenë mirë, të dy do të jënë në Europian

Me aq sa keni ndjekur këto eliminatore, cilat kombëtare nuk do të doje që të kapnim në short dhe cilat do të ishin të favorshme për ne?

Shorti që nuk i përshtatet Shqipërisë, për mënyrën e lojës do të ishte Spanja dhe Portugalia. Janë dy kombëtare që luajnë futboll intesiv, luajnë në sulm dhe kanë shumë kualitet. Mendoj se këto dy shtete nuk do t’i doja në grup. Pastaj Gjermania është Gjermani dhe kur fillon kampionati europian shndërrohet, por aktualisht janë në situatë të vështirë dhe po kalojnë momente të këqija. Do të ishte mirë t’i kishim në grup.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura