EKSKLUZIVE/ De Biazi i “shkel syrin” Shqipërisë: Kombëtarja dashuri e veçantë, ju tregoj si mund të ringrihet (E PLOTË)

Nov 20, 2018 | 18:56
SHPËRNDAJE

Kombëtarja shqiptare po kalon një moment shumë të vështirë rezultatesh dhe jo vetëm. Teksa kuqezinjtë lanë pas një edicion pa sukses në Ligën e Kombeve, ka shumë prej atyre që e rikthejnë kokën pas. Ku ishim dhe ku jemi? Çfarë arritëm në Europian dhe çfarë po ndodh tani? Por, ka prej tyre, sidomos në rrjetet sociale, që e kanë përmendur edhe dëshirën e rikthimit të ish-trajnerit, Xhani De Biazi. Ky i fundit, i cili ka qenë në “Loro Boriçi” duke parë disfatën e thellë të Kombëtares, tregon për “Panorama Sport” emocionet e asaj ndeshjeje, komenton situatën e kuqezinjve, jep “recetën” e ringritjes. Ai flet edhe për raportet me pasardhësin Panuçi apo edhe për gabimet e këtij të fundit në krye të skuadrës.

de biazi

Pse vuan kaq shumë Shqipëria?

Nuk e di praktikisht pse vuan. Mbase vuan sepse kundërshtarët janë në formë dhe mbase për faktin se skuadra nuk është e kompletuar siç ka ndodhur së fundmi, duke qenë se kanë munguar Sadiku dhe Roshi që janë futbollistë të rëndësishëm për Kombëtaren.

Por në Ligën e Kombeve kemi luajtur me skuadra që kanë qenë renditur poshtë nesh në renditjen e FIFA-s?

E di, por tani për tani, skuadra nuk po kalon një moment të mirë, është në një moment të vështirë. Gjë që mund të ndodhë. Për më tepër, siç thashë më parë, mungojnë lojtarë dhe po përpiqet që të integrojë të rinj. Është një çmim që duhet paguar.

Ku ka gabuar Panuçi, pasi ka gabuar në diçka apo jo?

Unë jam i fundit që mund të them se ku ka gabuar. Nuk kam asnjë ide. E kam ndjekur situatën në një mënyrë shumë sipërfaqësore dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me lojtarët dhe aq më shumë me të tjerë. I shoh gjërat nga jashtë siç i shikoni edhe ju. Nuk shkoj të shoh stërvitjet. Nuk di… Ndaj, është diçka e vështirë për t’u thënë se ku ka gabuar. Gjithsesi, trajnerët janë të zotë kur gabojnë sa më pak që të jetë e mundur.

A ka më pak cilësi kjo skuadër sesa më parë?

Mbase po, pasi ndonjë lojtar është i dëmtuar dhe jashtë ekipit, por mendoj se përgjithësisht është ekip që ka pak a shumë cilësinë që kishte ajo që shkoi në Europian.

Si mund të ringrihet Kombëtarja?

Duke punuar dhe duke i parë idetë me qartësi dhe duke ditur që duhet ndërtuar një grup i besueshëm me nja 30 lojtarë, mbi të cilët të mbështesë punën e tij. Në të tilla raste nuk duhet zgjeruar domosdoshmërisht numri i lojtarëve të thirrur për t’u parë nga afër. Nëse më pas ndonjëri bie ne sy në mënyrë të dukshme, Panuçi edhe mund ta grumbullojë.

A keni komunikuar me Panuçin kohët e fundit?

Herën e fundit që jemi takuar dhe kam folur ka qenë, me sa mbaj mend mirë, në Zvicër para ndeshjes me Kosovën. E fundit që jemi parë dhe dëgjuar.

Nëse Panuçi ikën dhe nëse Duka iu ofron mundësinë, do riktheheshit në Kombëtaren shqiptare?

Unë jam mësuar që të komentoj vetëm gjërat e sigurta dhe jo supozimet mediatike.

Pavarësisht kësaj, ju nuk e keni një ndjesi nëse ky supozim ndodh?

Kur të ndodhë, do të ta them sesi do të reagoj.

Nuk ekziston ideja për t’u rikthyer?

Qartësisht, ju e dini që kur kam qenë këtu, në Shqipëri, kam qenë mirë dhe në këtë pikëvështrim ekziston gjithmonë një dashuri e veçantë për Shqipërinë, për shqiptarët. Më tej, sa i përket presidentit, kam një raport shumë të mirë me të.

Çfarë i thatë Dukës pas ndeshjes me Skocinë?

Asgjë! Ne u pamë, por nuk folëm për ndeshjen. Ishim të dy mjaftueshëm të trishtuar.

Po gjatë ndeshjes?

Në fakt, ishte Shulku mes nesh… Në fakt, shiheshim kur pësonim gol. Thjesht sa për t’u kuptuar që sa keq kur humbet në shtëpi një ndeshje që shpresoje se mund të fitonim. Në fakt, për këtë erdha. Pasi solla fat në Elbasan kundër Izraelit dhe erdha si hajmali se mbase fitonim edhe me Skocinë, por ja që nuk rezultoi kështu. Për fat të keq, nuk ishte kështu. Megjithatë, le të themi edhe që ndëshkimi i Mavrajt ka kushtëzuar një pjesë të mirë të ndeshjes.

Si e gjykoni atë veprim të Mavrajt?

Ka qenë një reagim që me shumë mundësi ai nuk deshi të bënte asnjë lloj gjesti. Megjithatë, të ndëshkojnë edhe thjesht për qëllimin. Edhe nëse ka bërë thjesht një “finte” me atë lëvizje të kokës që ndodh në futboll, është konsideruar si dëshira për të goditur tjetrin me kokë. Pastaj, ai është edhe kapiteni dhe është shumë keq sepse skualifikimi është edhe më shumë i dhimbshëm.

Pse shënojmë kaq pak?

Nuk e di. Në fakt, edhe ndaj Izraelit hasëm vështirësi për të shënuar gol. Me shumë mundësi, siç e thashë më parë, mungon disi cilësia dhe nëse kërkon që ta zësh skuadrën kundërshtare shumë lart, mbase ndodh edhe që të lejosh hapësira prapa dhe shndërrohet më shumë në problem për një skuadër që nuk ka shumë cilësi në 30 metrat e fundit.

Pse pësojmë kaq shumë gola?

Hmmm, të them prapë nuk e di…

Çfarë ndodh, na mungon balanca si skuadër për mënyrën e lojës që bëjmë?

Kjo gjë mund të jetë një shkak, sigurisht. Megjithatë, e përsëris që nuk kam parë as ndeshjen kundër Skocisë në Skoci dhe as atë ndaj Izraelit në Izrael. Kam parë vetëm këtë të fundit në shtëpi e kaq. Prandaj, nuk kam shumë elemente për të gjykuar. Shoh rezultatet dhe që kemi pësuar gjithmonë. Ky është aspekti më negativ.

Çfarë mund të presim nga Panuçi dhe skuadra për kualifikueset e radhës pas të gjithë kësaj situate?

Në fakt, varet nga grupi që do të kemi. Pasi, nëse jemi kaq shumë fatlumë siç na ndodh në rastet e shorteve, atëherë na shkon shumë mirë… (ironizon). Kujtoj në fakt të fundit, kur isha ende unë në krye të Kombëtares dhe kishim Spanjën e Italinë e ku kualifikoheshin vetëm dy të parat, ndaj e merr me mend vetë se çfarë nevojitej për të arritur kualifikimin. Të shpresojmë që të jetë sa më i “lehtë”, sepse të lehtë nuk është se ka, e më pas e vetmja gjë që duhet është të kesh besim dhe të programosh këto kualifikuese çka është e rëndësishme. Sigurisht që është e vështirë sepse duke qenë një ekip pa shumë pikë në renditjen e përgjithshme, do të mund të na qëllojnë ekipe që janë më lart se Shqipëria.

Cili është mendimi i parë që ju vjen kur shihni Shqipërinë që keni ndërtuar të…

Mos e vazhdoni… Çfarë të thuash?! Skuadrat janë të destinuara që të ndryshojnë sepse kalon koha, ka dëmtime, ka formë jo të mirë etj. Problemi sipas meje është që duhet të përpiqesh të përfshish grupin në një drejtim të caktuar e të kesh ide që përqasen edhe me djemtë e ekipit e të riprovosh të ëndërrosh e të ndjekësh ëndrrën.

Po ju bëj edhe juve të njëjtën pyetje që mediat i bënë Panuçit pas ndeshjes me Skocinë, nëse është tradhtuar nga lojtarët?

Nuk besoj në këto gjëra sepse futbollistët kur zbresin në fushë e bëjnë për të fituar, edhe në stërvitje madje kur luajnë pesë kundër pesë apo tetë kundër tetë. Kanë një fanellë e një flamur për të mbrojtur, ndaj nuk mendoj se mund të tradhtojnë në këtë aspekt, përkundrazi.

OLSI TUJANI

/PANORAMA SPORT/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura