Eklips qeveritar për “Hëna e Plotë”

Aug 31, 2014 | 12:12
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA

 
    “PLOJA” E PRITUR

Pas rutinës së sanksioneve qeveritare të ushtruar përgjatë dy dekadash mbi mediat, deri në shkatërrimin dhe vasalizimin e plotë të fjalës së lirë, kultura e sanksioneve qeveritare ka shkelur tashmë në një tjetër treg, më të gjerë e më të majmë: universitetet private. Janë 37 subjekte të ndaluara e të pezulluara… pas raporteve të kryera nga komisionet qeveritare mbi verifikimin e kritereve të ligjshmërisë. Në këtë peizazh, 17 prej universitete private u hiqet licenca apo u pezullohet aktiviteti akademik. Në perceptimin e gjerë publik, pas disa skandaleve të përbindshme me dy-tri universitete private, ndërmarrja e një ndërhyrjeje të tillë pritej dhe ka qenë gjithnjë e domosdoshme. Nga ana tjetër, ajo që përbën shqetësim të thellë publik dhe madje kërcënim për alternativën private, jopublike të arsimit të lartë, është orientimi tendencioz i sanksioneve, të cilat fshihen pas ligjërimit populist e propagandistik, duke gërshetuar precedentin si dukuri me sanksionet e ndalimit dhe pezullimit. Dhe këtu nuk të vjen keq për disa universitete, të cilat duheshin ndaluar e demaskuar me kohë si skema mashtrimtare, apo thënë më troç, si pazar xhambazësh për gjënë e gjallë! Shqetësimi në këto raste ka të bëjë me goditjen e disa universiteteve serioze, që s’kanë gjë të përbashkët me tablonë, përgjithësisht të rëndë e dëshpëruese ku degradoi në këto dhjetë vitet e fundit arsimi i lartë privat. Populli e thotë në mënyrë më lakonike: “digjet i njomi me të thatin”. Që të jem më konkret po e formuloj shqetësimin tim kështu: a duhet t’i gëlltisim si absolutisht të vërteta Raportet mbi ligjshmërinë e kritereve që çuan në sanksionet qeveritare, të manifestuara me ligjërim politik populist gjithë trope e figura oratorike? Pra, a duhet t’i gëlltisim këto pilula propagandistike njëlloj si kryqëzata anembanë rrugëve nacionale me tabelat e famshme mbi arritjet e qeverisë në 300 ditorin e pushtetit të saj? Sepse njëra nga patrullat i kushtohet edhe reformimit arsimor universitar. Unë 300 herë e kam ndeshur dhe 300 herë s’e kam besuar… njëlloj si të tjerat.

PËRSE GODITET UNIVERSITETI “HËNA E PLOTË”?
Në sfondin e plojës mbi universitetet private më habiti, jo pa arsye, sanksioni mbi universitetin “Hëna e Plotë (Bedër)”. Them “jo pa arsye”, sepse po të njëjtat kritere, që çojnë në pezullim këtë universitet, nuk çojnë, për çudi, një sërë universitetesh të tjera publike e jopublike, çka më ngjalli kureshtjen ta di pse Raporti mbi ligjshmërinë e standardeve zbatohet me dy standarde. Pse disa universitete private e madje edhe mjaft fakultete (përfshij Fakultetin Filologjik ku jap mësim vetë prej një dekade), – i plotësuakan kriteret dhe “Hëna e Plotë” jo? Sipas gjahtarëve qeveritarë të standardeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, “Hëna e Plotë” penalizohet për: a) mungesa e shkallëve të zjarrit; b) për korridoret e ngushta; c) për tavanet e ulëta. Por shkallët e zjarrit janë një procedurë që, e shumta, zgjat tri-katër ditë, dhe s’përbëjnë arsye për të pezulluar aktivitetin akademik të një universiteti. Sa për argumentin e “korridoreve të ngushta” dhe “tavaneve të ulëta” kemi të bëjmë me një risí, por risí të cinizmit, kur s’ke se ku të kapesh. Të krijohet përshtypja sikur populli universitar që i mbush këto auditorë është një racë e lashtë ciklopike, që lëvrijnë brinjasi korridoreve dhe rrinë të gërmuqur në auditorë, pa u drejtuar në masën e plotë të shtatit, krejt si në filmin e Spike Jonze “Të jesh John Malkovich”. Çfarë absurditeti! Nuk e di në çfarë standardi është parametri ideal i gjerësisë dhe lartësisë, formës dhe ngjyrës që duhet të kenë auditorët, godinat dhe korridoret, por ajo që shihet nuk fshihet dot: “Hëna e Plotë” ka një godinë solide, të bollshme, me auditorë dhe bazë teknologjike elektronike ku e ku më të avancuar se auditorët e Universitetit tonë Shtetëror. Pra si qëndron puna e korridoreve dhe tavaneve me universitetet private të papenalizuara? Një pjesë e mirë e tyre, ne e dimë të gjithë: janë pjesë pallatesh banimi, ish-fabrika kompostosh a uzina përpunimi kompensate etj., etj. Dhe korridoret e tavanet e këtyre universiteteve fatlume nuk kanë asnjë epërsi dhe as që krahasohen me universitetin “Hëna e Plotë”. Megjithatë, atyre pikërisht u njihet standardi i ligjshmërisë, ndërsa “Hënës së Plotë”, jo! Ka dhe një pretekst të fundit, serioz, me gjasë, të cilit MSA i mëshon fort në Raport, për ta shtuar cazë misterin e sanksionit të pezullimit mbi universitetin “Hëna e Plotë (Bedër)”: mosekuivalentimi i diplomave të shkollës së mesme për studentët e huaj. Kjo është një histori tipike e burokracisë proverbiale dhe kështu duhet parë. Mësojmë se, në akord me procedurën, nga marsi i këtij viti janë depozituar në MAS aplikimet individuale të çdo studenti të huaj për njohjen e ekuivalentimit të diplomave të shkollës së mesme. Dhe nëse përgjigjet nga MAS do të ishin kthyer në afatin e duhur 1-2-mujor, atëherë kjo mospërmbushje ligjore vetvetiu nuk do të numërohej. Por çfarë faji ka të pezullohet universiteti “Hëna e Plotë”, kur vetë ministria nuk përmbush detyrimin e saj? Së paku, kjo nuk përbën as arsye, as argument për sanksionin e pezullimit. E meqë asnjëra prej arsyeve nuk qëndron, pezullimi i “Hëna e Plotë” del i qëllimshëm dhe sanksionet e ndërmarra nga qeveria u përmbahet kritereve selektive. Në thelb bëhet fjalë për një dëm të madh: goditet një universitet i ri në një nga pikat e tij më të forta, duke synuar shkatërrimin e imazhit të tij. Atëherë pse ky sulm? Pse ky eklipsim i qëllimshëm qeveritar ndaj universitetit “Hëna e Plotë”? Dy janë mundësitë e kësaj dashakeqësie: e para duhet kërkuar në shantazhin e paramenduar, me qëllim deformimin artificial të konkurrencës, ku segmente monopoliste, me sa duket, “bëjnë ligjin”, si dje, si sot në MSA; mundësia e dytë, ka gjasë të lidhet me nervozizmin e ndonjë fundamentalisti të tejshqetësuar nga ecuria e mbarë dhe perspektiva specifike identitare e universitetit “Hëna e Plotë”. Grupi i inspektorëve të kontrollit të standardeve akademike të ligjshmërisë, konkludoi në fund të prillit të këtij viti me një Raport të hollësishëm rreth përmbushjes së kritereve në universitetin “Hëna e Plotë”, duke shprehur vlerësime maksimale. Por në Ministri ka pasur presion mbi hartuesit e Raportit. Do të ishte në nderin e kurajën e këtyre hartuesve të dilnin publikisht dhe të kallëzonin personin zyrtar që ka ushtruar këtë presion, çka i detyroi ata të rihartojnë nga e para një Raport tjetër, të ri, disi më të fashitur nga ngjyrat entuziaste.

PSE ME SËPATË?
I themeluar në vitin 2011, universiteti “Hëna e Plotë (Bedër)” është një profil i ri, i munguar gjatë në arsimin tonë të lartë, i cili gërsheton fakultetin e shkencave teologjike me fakultetin e shkencave humane. Përveç një pjese të vogël të studentëve të huaj, pjesa dërrmuese e studentëve janë shqiptarë. Profili teologjik, sidomos i teologjisë islame në Shqipëri, ka qenë tejet i paragjykuar e i tabuizuar. Universiteti “Hëna e Plotë” e përmbush këtë zbrazëtirë. Në një vend me një të shkuar totalitare si Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore, që kaloi nën shenjën e tërbimit frenetik të ateizmit zyrtar, universiteti “Hëna e Plotë” vjen si një nevojë e natyrshme për të përmbushur misionin e ndriçimit të rinisë studentore me dijen shkencore të sferës së hyjnores. Studenti shqiptar s’e ka të nevojshme ta kërkojë këtë dije ndër kulturat arabe, potencialisht në vende me ndikime e tradita të huaja, shpeshherë, ndikime të rrymave ekstremiste. Një rol të tillë e luajnë mjaft mirë dhe universitetet analoge “Logos” dhe “Këshilli i Zojës së Mirë” për teologjinë kristiane. Ministria e Arsimit dhe Sporteve mund të kontrollojë, mund të lërë afate të plotësimit të kritereve, por kurrsesi nuk duhet të shkatërrojë imazhin e një universiteti, duke e pezulluar atë me një të rënë të sëpatës. Aq më tepër kur këto sanksione ndëshkojnë pa pikën e transparencës dhe në mënyrë klienteliste e selektive një palë universitetesh dhe, po për të njëjtat kritere, amnistojnë disa universitete të tjera. Dhe mbi universitetin “Hëna e Plotë (Bedër)” eklipsimi mendoj se është i qëllimshëm, sikundërse jam i bindur gjithashtu, se drejtuesit dhe studentët që kanë investuar në këto tre vite do të kundërshtojnë, do të dëshmojnë dhe do të sqarojnë gjithçka, derisa retë të zhdavariten.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura