Edicioni i 21-të/ Hapet “Onufri”, një reflektim që nis nga qelqi

Nov 20, 2015 | 22:23
SHPËRNDAJE

“Onufri”, ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore, nis sot edicionin e vet të 21-të në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nën titullin “SiO2 – arsyeja e brishtësisë.

Marina Abramoviç, një nga artistet pjesëmarrëse
Marina Abramoviç, një nga artistet pjesëmarrëse

Si e shkronjëzojmë fjalën K-U-J-D-E-S kur përballemi me qelqin?”, dy kuratorët Verena Stenke dhe Andrea Pagnes (VestAndPage), kanë bërë bashkë veprat e 23 artistëve nga vende të ndryshme të botës, disa prej të cilëve janë ndër emrat më të mëdhenj të skenës së artit bashkëkohor.

Mes tyre dallojnë emra si Yoko Ono, e cila prezantohet për herë të parë me publikun shqiptar, në Tiranë, me katër punë të sajat: “A key to open a forest”, “A key to open a faded memory”, “Position piece: a hole” dhe “Season of glass”, Marina Abramoviç, e cila në bashkëpunim me Ulay, sjell punën “Balance prof”, Chris Burden, Tony Cragg, Jan Fabre, Joseph Kosuth, Boris Nieslony, Jaume Plensa etj.

yoko-celesi

Çka i ka frymëzuar kuratorët për të ndërtuar një koncept, e mbi të një ekspozitë, është pikërisht qelqi. Një strukturë jo kristalore, sa e fortë, aq edhe e brishtë, e tejdukshme ose jo, e manipulueshme vetëm në temperatura shumë të larta. “Shumë nga bazat e praktikave të artit bashkëkohor nisen nga hetimi i cilësive të materialeve të ndryshme – në rastin e kësaj ekspozite të qelqit – dhe de-kontekstualizimi i funksionit të tyre të zakonshëm.

Në fakt, për artistët bashkëkohorë thellimi kërkimor në cilësitë e një materiali nuk është vetëm për hir të një kërkimi, risi për të prodhuar një produkt origjinal (në formën e të mirës materiale), por synon që nëpërmjet përpjekjes dhe kërkimit të ofrojë një interpretim autonom të botës, i cili, edhe pse i pjesshëm, mund të ndihmojë dhe kontribuojë për t’i dhënë kuptim ekzistencës njerëzore”, shprehen kuratorët.

yoko-ono-season-of-glass

Sipas tyre, “një material si qelqi – për potencialin e tij gjuhësor, simbolik dhe metaforik, krahas vetive të tij kompozicionale të brishtësisë, transparencës dhe rezistencës – është më se i përshtatshëm për të treguar se njohja intuitive e artit u shmanget kritereve të korrektësisë”.

Kuratorët e këtij edicioni u përzgjodhën përmes një konkursi, ashtu si edhe artistët shqiptarë. Ndërsa ata të huaj ishin pjesë e “paketës” konkurruese të kuratorëve. “Onufri XXI” vjen pas një viti “reflektimi” nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe institucionit që e organizon atë.

Ndërsa u duk se “Onufrit” po i dukej “vdekja”, u vu re një lloj rezistence nga ana e komunitetit artistik, që e mbrojti këtë aktivitet, pavarësisht problematikave që ka paraqitur në vite, statusit që i ndryshonte vazhdimisht, nivelit të tij artistik të luhatshëm etj.

Të gjithë ishin në një mendje se “Onufri”, i mirë ose i keq, kishte mundur të mbijetonte 20 edicione, dhe ishte ndër të paktët aktivitete të këtij lloji, me këtë jetëgjatësi. Kjo e detyroi ministrinë të hidhte një hap pas dhe të rishikonte vendimin e saj të heshtur.

Me këtë rast u zhvillua edhe një tryezë debati, që më shumë se solli ndonjë zgjidhje, nxori edhe më në pah problematikat e mëdha që sjell mungesa e një sistemi të mirëfilltë arti; keqkuptimet me politikëbërësish, artistësh dhe konsumatorit.

onufri-xxi

 

PJESËMARRËSIT

Artistët shqiptarë
Eros Dibra
Oltsen Gripshi
Shqipe Jonuzi
Sead Kazanxhiu
Ermela Teli
Klodian Deda
Ermal Baboçi & Linda Doçi

Artistët ndërkombëtarë
Marina Abramovic & Ulay
Chris Burden
Tony Cragg
Jan Fabre
Joseph Kosuth
Boris Nieslony
Yoko Ono
Jaume Plensa
Douglas Quin
Lawrence Weiner
Armando Lulaj
Leonardo Cimolin
Dana Dal Bo
Seamus Farrell
Andrea Moruçhio
Nelda Ramos

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura