Edi Rama në krah të Gruevskit

May 29, 2015 | 14:49
SHPËRNDAJE

NEXHMEDIN SPAHIU

   Maqedonia mes Bullgarisë e Serbisë
Kur u krijuan shtetet autonome të Serbisë (1835) dhe Bullgarisë (1878) e, më pas, të pavarura më 1878 Serbia e më 1908 Bullgaria, kufijtë etnikë mes tyre ishin të paqartë. Liturgjia greke në kishat dhe manastiret orto-dokse nën Perandorinë Osmane e bënte jo relevante përkatësinë etnike deri në kohën kur filluan lëvizjet kombëtare në Ballkan. Derisa nuk u krijuan kufijtë shtetërorë, po të niseshe nga Beogradi në Sofje apo anasjelltas, nuk mund të vëreje se ku mbaronin fshatrat serbe dhe ku fillonin fshatrat bullgare apo anasjelltas. Ky fakt e ashpërsoi betejën mes idesë kombëtare serbe dhe asaj bullgare, saqë vetëm në një rast në histori serbët e bullgarët u gjetën aleatë (Luftën e Parë Ballkanike), kurse në të gjithë luftërat e tjera ishin armiqtë më të përbetuar të njëri-tjetrit.

Maqedonia e sotme ishte pjesa për të cilën po luftonin të dyja palët për të shtrirë ndikimin e vet përmes shkollave dhe priftërinjve.  Rezultatin e kësaj beteje e shohim në statistikat osmane të fillim shekullit XX. Për të mos lodhur lexuesit me statistikat ekzakte që i paraqet në librin e tij profesori turko-amerikan Kemal Karpat,  popullsia sllavofolëse e qyteteve të Maqedonisë deklarohet bullgare në masën 90%, ndërsa serbe në masën 10%.

Lufta I dhe II Ballkanike
Por më 1912-n, në Luftën I Ballkanike (Bullgaria, Greqia, Serbia e Mali i Zi kundër Perandorisë Osmane), Serbia e Greqia e tradhtojnë keq armikun e deridjeshëm dhe aleatin e tyre të momentit, Bullgarinë dhe  e marrin pothuaj komplet Maqedoninë. Serbia e mori Maqedoninë Veriore, përfshirë qytetet më të rëndësishme: Shkupin, Ohrin e Manastirin, kurse Greqia, atë jugore, përfshirë Selanikun.
Me Luftën II Ballkanike (Serbia, Greqia, Rumunia e Perandoria Osmane kundër Bullgarisë) më 1913-n, Bullgaria humbi edhe atë pak territor që fitoi në luftën paraprake.

Pas luftërave ballkanike, Maqedonia e sotme u bë pjesë e Serbisë dhe bullgarët e deridjeshëm u konsideruan për serbë.
Por më 1914-n shpërtheu Lufta I Botërore dhe Bullgaria ia mori Serbisë Maqedoninë. Katër vite me radhë popullsia sllavofolëse e Maqedonisë mësoi për identitetin e vet bullgar në shkollat laike dhe ato fetare.
Më 1918-n, Serbia e rimori Maqedoninë, vrau e preu elitën bullgare të saj, përmes shkollave dhe kishës, banorëve që flisnin gjuhën sllave, u përpoq t’i bindte se nuk janë bullgarë, por serbë.

Rezistenca bullgare në Maqedoni – më e fuqishme se ajo shqiptare në Kosovë
Megjithëkëtë, identiteti bullgar kishte lëshuar tashmë rrënjë dhe  rezistenca bullgare në Maqedoni ishte më e fuqishme se ajo shqiptare në Kosovë. Derisa akti më madhor i irredentizmit shqiptar në Kosovë ishte zënia peng e komandantit të xhandarmërisë serbe në Mitrovicë nga ana e Shote Galicës, irredentistët bullgarë të Maqedonisë vranë kryeministrin e Bullgarisë, Aleksandar Stambolinskin, më 1921, për shkakun që nënshkroi paqe me Beogradin, duke i prerë dhe ekspozuar dorën me të cilën nënshkroi “aktin e tradhtisë”. Ndërsa në 1934, në Marsejë të Francës irredentistët bullgarë të organizatës VMRO vranë edhe vetë mbretin serb, Aleksandar II Karaxhorxheviç.

Më 1941, Bullgaria ia rimerr Maqedoninë Serbisë, qytetet shqiptare të saj, pos Shkupit e Kumanovës, i merr Shqipëria. Deri më 1945 funksionoi kisha bullgare dhe shkollat bullgare. Madje edhe ilegalët komunistë të asaj kohe në Maqedoni ishin të lidhur me Partinë Komuniste Bullgare. Partia Komuniste e Jugosllavisë mezi gjeti Llazar Kolishevskin për ta bërë për vete.

Terrori serb mbi bullgarët në Maqedoni, më i madh se ndaj shqiptarëve në Kosovë
Më 1945, Serbia ia rimori Bullgarisë Maqedoninë. Terrori serb mbi elitën bullgare në Maqedoni ishte shumëfish më i madh se ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mësuesit, nëpunësit, ushtarakët, xhandarët, priftërinjtë, e me një fjalë e gjithë shtresa e lartë dhe e mesme u ekzekutua.
Megjithëkëtë, pas gjithë asaj çfarë kishte ndodhur, Beogradi nuk pretendoi më serbizimin e bullgarëve, por doli me idenë e shpalljes së kombit maqedon dhe shpikjes se etnisë maqedone. D.m.th., meqë nuk qenkeni serbë, atëherë nuk jeni as bullgarë. Nga ky fakt u traumatizuan edhe shqiptarët e Kosovës, saqë edhe sot, 70 vite më mbas, kur u përmendet se tani shqiptarët e Kosovës janë komb në Kosovë, halucinojnë sikur dikush po u shpik një etni të paqenë, sikur të qenët komb kosovar u dashka të thotë se më nuk je me etni shqiptar, edhe pse Ahtisaari me planin e tij komunitetin etnik shqiptar e sanksionon si komb.

Maqedon apo maqedonas?
Është interesante se në fjalorin e gjuhës shqipe as që ekziston fjala maqedon (përkatësi kombëtare si italian, gjerman etj.),  por vetëm fjala maqedonas (përkatësi territoriale si tiranas, beratas etj).
Po përderisa lindja e një kombi të ri është një rezultat politik, shpikja e një etnie të paqenë kërkon shtrembërime shkencore dhe sforcim të identitetit të stisur.
Megjithëkëtë, ndjenja bullgare në Maqedoni, sado që u venit, nuk u shua kurrë.

Riparaqitja e VMRO-së probullgare
Më 1990-n, sapo paraqitet mundësia e pluralizmit politik në Maqedoni,  formohet partia me emrin historik VMRO dhe shtesën DPMNE me logon me luanin me kurorë mbretërore, që është simbol kombëtar bullgar.
Amerikanët tregohen të kujdesshëm dhe nuk ndihmojnë VMRO-në të vijë në pushtet, për shkakun se kjo do të hapte vatrën e luftës edhe në jug të Ballkanit, gjë që do ta kishte më vështirë ta mbante nën kontroll situatën në Ballkan, përderisa zjarri i luftës veç po fillonte në Slloveni, e pastaj Kroaci e kështu me radhë. Amerikanët ndihmuan të marrin pushtetin më liberalët në mesin e ish-komunistëve, përkatësisht më jo antibullgarët në mesin e proserbëve: Presidentin Kiro Gligorov dhe Kryeministrin Nikolla Klusev, për të realizuar pavarësimin e Maqedonisë pa luftë.

Por, pas problemeve që aleati i natyrshëm i Serbisë, Greqia, i paraqiti Maqedonisë, forcat proserbe ne krye me Cervenkovskin e LSDM e marrin pushtetin. Pasi merret qeveria e Maqedonisë nga proserbët, ato tentojnë ta marrin edhe Presidencën.
Më 1995 organizohet atentat ndaj Presidentit Kiro Gligorov, i cili nuk u zbardh kurrë. Presidenti u plagos rëndë, por shpëtoi.
Më 1998, po afrohej koha kur Perëndimi duhej të intervenonte në Kosovë, dhe një regjim proserb në Maqedoni do t’ishte pengesë e madhe. Perëndimi ndihmoi VMRO-DPMNE probullgare në krye me Lubçe Georgievskin. Më 1999, Boris Trajkovski, po ashtu nga VMRO-DPMNE, u zgjodh President i Maqedonisë.
Më 2004, avioni i Presidentit Trajkovski rrëzohet afër Mostarit në Bosnjë dhe hetimet akoma vazhdojnë. Me gjasë të mëdha, një atentat i forcave proserbe, pasi vendin e tij e zë Cervenkovski proserb.

Proserbët marrin kalanë nga brenda – VMRO-në
Dhe, derisa LSDM bie në dorë të probullgarëve, proserbët e marrin VMRO-në. Natyrisht, politikanëve maqedonë nuk u shkruhet në ballë se kush është probullgar e kush proserb, derisa ata nuk vinin në pushtet dhe e tregonin veten.
Fuqia e Gruevskit rritej për dy arsye: E para se udhëhiqte një parti që tradicionalisht ka qenë bullgare, dhe e dyta se gëzonte përkrahjen e armiqve më të përbetuar të bullgarëve: serbëve dhe grekëve. Derisa në njërën anë nuk lëshonte pe asnjë milimetër ndaj kërkesave absurde të Greqisë për emrin, Greqia po bëhej eksportuesi më i madh në Maqedoni.

Në kohën kur Perëndimit i duhej që Maqedonia të jetë në NATO, Greqia në njërën anë e Gruevski duke mos lëshuar pe, i bënë qejfin Rusisë. Nuk kishte asgjë jo patriotike që të pranohej emri Republika e Maqedonisë Veriore, por nuk e bënte, ngaqë donte pretekst për të mos hyrë në NATO. Hashim Thaçi, ta zëmë, ka bërë lëshim shumë më të madh kur lejoi që emri ndërkombëtar i shtetit të Kosovës të jetë “Kosovo” e jo “Kosova”.
Perëndimi e kuptoi se kush na qenka Gruevski kur u shfaq hapur si prorus, por ai tashmë ishte tepër i fortë.

Përpjekjet e Perëndimit për ta rrëzuar Gruevskin
Në zgjedhjet e vitit 2014, të paktën institucioni i Presidentit kishte mundësi të merrej nga forcat properëndimore, nëse shqiptarët do të votonin për kandidatin e LSDM. Autori i këtyre rreshtave e ftoi në Prishtinë dhe paraqiti para studentëve kandidatin e LSDM për President të Maqedonisë vetëm 2 ditë përpara balotazhit dhe u bëri ftesë publike ta votojnë atë. Të njëjtën gjë bëri edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.  
Duke e ditur që Gruevski do ta merrte sërish qeverinë, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi nuk deshën ta dëgjojnë as Hashim Thaçin e as diplomatët perëndimorë dhe i mundësuan fitoren kandidatit proserb të bëhet president i Maqedonisë.
Tani, kur Edi Rama paraqitet me retorikë nacionaliste përballë Maqedonisë, ai gdhend sëpatën në këmbë të Shqipërisë. Shteti maqedon është krijesë amerikane. Të luftosh kundër krijesës së aleatit tënd strategjik do të thotë të bësh vetëvrasje politike.

Trekëndëshi Shqipëri-Kosovë-Bullgari
Nëse do të zhbëhej Maqedonia, territoret e saj me më shumë gjasë do t’i merrte Serbia sesa Bullgaria, Shqipëria apo Kosova. Kësaj të fundit, luftëtarët e saj më me eksperiencë iu zunë në grackë e iu kthyen në arkivole.
Nëse Edi Rama dëshiron të dëshmohet patriot, atëherë ai së bashku me Hashim Thaçin duhet t’i kërkojnë takim Kryeministrit të Bullgarisë, në mënyrë që të tre së bashku ta takojnë Zoran Zaevin, dhe t’u bëjnë thirrje bullgarëve/maqedonëve, shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë ta përkrahin atë. Kësisoj, t’i hapin rrugë Maqedonisë për NATO e BE dhe jo ta pengojnë atë në këtë rrugë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura