Edi, bashko Shqipërinë e përçarë para Kosovës

Jul 1, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ Aleksander-Biberaj

E përcolla vizitën e sforcuar të Kryeministrit Edi Rama në Kosovë, në këto kohëra të vështira për Kosovën dhe të ardhmen e saj, edhe në situatën e pandemisë, dhe, siç pritej, vizita nuk pati asnjë lloj risie apo interesi për shqiptarët këtej apo andej Vërmicës. Ideja dhe qëllimi i vizitës së “liderit global”, sipas po vetë atij, ishte bashkimi, ide që do të ishte për t’u përshëndetur, nëse do të ishte sadopak e sinqertë dhe frutdhënëse. Vizita në Kosovë realisht, përveç propagandës dhe mbështetjes pa kushte ndaj Thacit, nuk ofroi asgjë. Edi Rama, për 7 vite të qeverisjes së tij, por edhe gjatë gjithë karrierës së tij politike që nga 1998 kur u katapultua nga Fatos Nano si ministër i Kulturës, ka luajtur vetëm rol përçarës, herë hapur dhe herë fshehurazi, duke përdorur arsye politike, fetare apo krahinore.

Modeli i tij qeverisës është modeli më i keq i tranzicionit, pasi ka 7 vjet që lufton natë dhe ditë me çdo mjet dhe formë kundër popullit opozitar, duke u përpjekur që ta margjinalizojë atë, ta kompleksojë, ta çojë në fund të litarëve, gjë që edhe ia ka arritur, edhe për arsye të gabimeve të detyruara të opozitës. Pasi ka vjedhur votat e vitit 2017 me krim, banda, mafie, korrupsion dhe para të pista, po qeveris i vetëm duke mos i dhënë asnjë lloj hapësire ndonjë partie tjetër, qoftë edhe të majtë. Ka shkatërruar me shumë sukses PS-në, duke qeverisur me një sekt të vogël në numër, por shumë të rrezikshëm, që e quan “Rilindje”, ndërkohë që ka vënë komplet buxhetin e shtetit në funksion të një duzine oligarkësh që po grabisin të gjitha pasuritë natyrore të vendit dhe po vjedhin të gjitha paratë e taksave tona nga buxheti i shtetit nëpërmjet tenderëve korruptivë, koncesioneve dhe PPP-ve. Ka okupuar apo nënshtruar të gjitha pushtetet, legjislativin, ekzekutivin, drejtësinë, median, bizneset, duke futur në luftë të gjithë kundër të gjithëve, ndërkohë që me politikat e tij ka larguar me qindra mijëra shqiptarë nga vendi.

Kurrë Shqipëria s’ka qenë më e përçarë se sot, më e varfër, më e çdinjituar, më e përçudnuar dhe më e pafuqishme për të mbrojtur interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që ata janë, në rajon apo diasporë. Me diletantizmin e tij në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare, të njëjtën frymë përçarëse ka mbjellë edhe në Kosovë, duke i çuar marrëdhëniet ShqipëriKosovë në pikën më të ulët të historisë së 20 viteve të fundit. Viziton Kosovën për “ta bashkuar”, ndërkohë që është më i “bashkuar” dhe më i “përafruar” me Vuçiçin dhe Daçiçin se me dy ish-kryeministrat e fundit të Kosovës, respektivisht Ramush Hardinajn dhe Albin Kurtin.

Edi, përpara se të shkoje në Kosovë dhe të bëjë “patriotin bashkues”, duhej të përgjigjeshe se cili ka qenë roli juaj në planin antishqiptar të “shkëmbimit të territoreve” apo “ndryshimit të kufijve”, plan i lançuar nga partneri kryesor i juaj në Kosovë, Hashim Thaçi. Ky plan mbrohet edhe sot pa droje nga këshilltari i tij, Baton Haxhiu, i cili “ka avancuar” edhe më shumë nga shefi i tij, pasi ka kërkuar edhe faljen dhe amnistimin “reciprok” të të gjitha krimeve të kryera nga serbët dhe shqiptarët, duke barazuar agresorin “serb” me viktimën “shqiptar”, duke ia kaluar kështu edhe Ivica Dacicit.

Ndërkohë që Edi as që është distancuar dhe as s’e ka shkarkuar Batonin si këshilltar të tij. E ka ofenduar Edi në ekstrem Ramush Hardinajn duke e paditur edhe në Gjykatë, ndërkohë që kërkon ta takojë pa i kërkuar aspak falje për gjuhën rrugaçërore që ka përdorur, duke e “joshur” me heqjen dorë nga padia, gjithsesi Ramushi nuk e priti Edin. Sa ishte Kryeministër Albin Kurti, pas një debati të fortë në Tiranë për hipotezën serbe të “mini-shengenit” dhe një pritje të ftohtë, Edi nuk e qasi dhe as nuk e njohu më si Kryeministër, ndërkohë që nuk ka dhënë akoma asnjë shpjegim se çfarë roli ka pasur në puçin antidemokratik ndaj qeverisë së Albin Kurtit në kulmin e pandemisë. Gjithsesi, Albini e priti Edin, ndërkohë që fotoja e këtij takimi flet vetë më shumë se 1000 fjalë. Edi ofendoi edhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, gjithsesi prof.

Mustafa e respektoi mysafirin duke e takuar. E fundit dhe më e rëndësishmja, a ke dijeni Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se çfarë do të diskutohej dhe vendosej në Uashington në takimin e 27 qershorit, dhe se hipoteza e Grenell-it për “mini-shengenin” përfshin kthimin e Mitrovicës në zonë të lirë ekonomike “serbe”?! Natyrisht që për asnjë nga këto pyetje, Kryeministri i Shqipërisë nuk u përgjigj, as në Prishtinë dhe as në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, gjithsesi koha dhe historia do t’u japin shumë shpejt përgjigje këtyre pyetjeve me rëndësi kombëtare. Edi dëshmoi se ka memorie diplomatike shumë të shkurtër, prandaj edhe vizita e tij në Prishtinë ishte komplet e dështuar. Ky është pak a shumë edhe pazëlli i vizitës së Edi Ramës në Kosovë, me rezultat zero, pasi nuk u mor vesh se kë me kë bashkoi, si dhe për çfarë?! Ah, nëse Edi Rama bashkoi Hashim Thacin me Kadri Veselin, atëherë patjetër që vizita ia ka arritur qëllimit, jo vetëm si Kryeministër i Shqipërisë, por edhe si kryetar i radhës i OSBE-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura